Gjykata Kushtetuese pritet të rrëzojë komisionin hetimor të PD-së “Rama 2”
Eljona Ballhysa
Gjykata Kushtetuese pritet të firmosë rrëzimin duke e cilësuar antikushtetuese një tjetër nismë të Partisë Demokratike. Burimet kanë bërë të ditur se këto ditë pritet që Kushtetuesja të zbardhë vendimin për rrëzimin e Komisionit hetimor kundër kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, që u ngrit vetëm me votat e PD-së dy muaj para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese pritet ta cilësojnë antikushtetuese këtë nismë të PD-së, pasi sipas burimeve, nuk mund të ngrihet komision hetimor për pushtetin lokal.
Komisioni
Partia Demokratike miratoi vetëm dy muaj para zgjedhjeve ngritjen e Komisionit hetimor parlamentar për kryebashkiakun e Tiranës, Edi Rama. Pas kërkesës së firmosur nga 40 deputetë të kësaj partie, PD-ja votoi e vetme për hetimin e dhënies së lejeve të ndërtimit nga Rama. PD-ja ishte e ndërgjegjshme se hetimi i Ramës nuk do të sillte gjë të re për shkak se raporti i komisionit nuk do të merrej në konsideratë. Kjo për faktin se ekzistonte një vendim i Gjykatës Kushtetuese, i cili ndalon hetimin e pushtetarëve vendorë. Deputetët e PS-së dhe të partive të tjera opozitare e cilësuan ngritjen e komisionit thjesht për qëllime elektorale. Ndërsa kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, u shpreh në atë kohë se komisioni ngrihet pasi janë prishur pazaret midis PS-së dhe PD-së për dhënien e lejeve të ndërtimit. Komisioni hetimor parlamentar u përbë nga 9 anëtarë, ku 5 ishin të maxhorancës, bashkë me kryetarin, dhe katër të opozitës, të cilët nuk morën pjesë në asnjë mbledhje. Afati i hetimit zgjati vetëm 3 javë. Anëtarët e PD-së në komision ishin Ferdinand Xhaferri, Edi Paloka, Aldo Bumçi, Gjokë Vuksani si dhe Lajla Pernaska. Gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend në atë kohë deputeti Xhaferri u shpreh se “Komisioni do të hetojë procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit në mënyrë krejtësisht abuzive, klienteliste e në konflikt interesi në Bashkinë e Tiranës, duke krijuar një kartel të paligjshëm ndërtimi, bllokimin dhe mosdërgimin e Planit të ri Rregullues të Bashkisë së Tiranës për miratim sipas ligjit dhe abuzimet me dhënien e lejeve të ndërtimit në mungesë të këtij Plani Rregullues”. Është e dyta herë që për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, kërkohet një hetim parlamentar. Në vitin 2003, kryebashkiaku u hetua nga një komision hetimor i kryesuar nga Sokol Olldashi, me akuzën për shpërdorime me detyrën dhe fondet publike.
Opozita
Ndërsa deputeti i PS-së, Blendi Klosi, gjatë fjalës së tij në Kuvend theksoi se PD-ja po bën çdo përpjekje të hedhë baltë me Edi Ramën. “Më vjen keq që vazhdoni të hidhni baltë mbi Edi Ramën. Kjo është fushata e katërt që bëni kundër tij dhe dilni të humbur. Arsyeja që ne do të fitojmë zgjedhjet, pavarësisht komisioneve tuaja, është modeli i qeverisjes së Bashkisë së Tiranës nga Edi Rama, që do të jetë dhe modeli i ardhshëm i qeverisjes së vendit”, - është shprehur Klosi. Ndërsa deputeti i LSI-së, Pëllumb Xhufi, e cilësoi qesharake nismën e PD-së për të hetuar Ramën 2 javë para përfundimit të mandatit të Kuvendit. Sipas Xhufit, PD-ja dispononte prova kundër Ramës që në prill të 2008-s dhe nuk e ndërmori këtë nismë, por e ndërmerr tani në prag të zgjedhjeve. “Është qesharake nisma juaj për të ngritur komision dy javë para mbylljes së Kuvendit. Ju zonja kryetare keni akuzuar me shifra Ramën në prill të 2008-s. Pse nuk e ngritët atëherë komisionin, por e ngrini tani? Duket qartë se qëllimet tuaja janë thjesht për të bërë fushatë”, - është shprehur Xhufi. Ndërsa vetë lideri i opozitës, Edi Rama, në atë kohë vuri në dukje se komisioni është i paligjshëm, sepse ligji ndalon ngritjen e komisioneve parlamentare katër muaj para zgjedhjeve. Ai i është referuar edhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese gjashtë vjet më parë, që vlerësonte se pushteti lokal është i ndarë nga ai legjislativ. Si i tillë, për ta hetuar atë ekzistojnë mënyra të tjera, dhe jo një komision hetimor parlamentar. Rama e konsideroi se kjo nismë e fundit është një sulm politik.
Qeveria, bilanc të hidhur me ligjet antikushtetuese
Cilësimi antikushtetues i kësaj nisme të PD-së nga ana e Gjykatës Kushtetuese rrit numrin e ligjeve antikushtetuese të kësaj maxhorance. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka rrëzuar brenda këtyre 5 viteve jo pak, por mbi 20 ligje të PD-së, duke i cilësuar ato antikushtetuese. Ligjet e rrëzuara nga Kushtetuesja janë ligje të “reklamuara” me forcë nga qeveria, por që nuk kanë gjetur mbështetjen e opozitës dhe të grupeve të interesit. Pas ankimimeve ata janë shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka vendosur të rrëzojë projektet e qeverisë duke i konsideruar shumicën e tyre në mospërputhje me Kushtetutën e vendit. Përveç dy ligjeve të fundit të rrëzuara nga Kushtetuesja dhe që kanë qenë për një kohë të gjatë në qendër të debatit politik dhe mediatik, si ligji i dosjeve dhe Marrëveshja e kufijve me Greqinë, janë një sërë ligjesh të tjera që janë rrëzuar gjatë pesë viteve të fundit. Në këtë listë përfshihet ligji “Për funksionimin e Gjyqësorit”, ligji “Për legalizimet dhe urbanizimet në zonat informale”, ligji “Për procedurat tatimore, gjobat”, ligji “Për miratimin e aktit normativ për urbanistikën”, ligji “Për miratimin e aktit normativ për prefektin”, ligji “Për Akademinë e Shkencave”, ligji “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj” dhe së fundi “Marrëveshja e Shqipërisë me Greqinë për kufijtë detarë”. Përsa i përket rrëzimit të ligjit për gjobat ndaj biznesit, Kushtetuesja veproi pas ankimimit të 7 shoqatave të biznesit. Shoqatat e bizneseve të ndryshme në vend kishin dërguar në Kushtetuese shfuqizimin e nenit që fliste për parapagimin e gjobës në masën 15 për qind para se të bëhej kërkesë-padia në gjykatë. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë vendosi të pranojë kërkesën e subjekteve kërkuese, duke shfuqizuar si të papajtueshëm me Kushtetutën e Shqipërisë pikën 2 të Nenit 3, të Ligjit Nr. 9713, datë 16.04.2007, sipas të cilit, "tatimpaguesit, para se të paraqiten për shqyrtim gjyqësor, janë të detyruar të paguajnë 15 për qind të çdo gjobe dhe interesi". Përsa i përket ligjit “Për funksionimin e pushtetit gjyqësor”, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi një nen të ligjit duke reduktuar disa kompetenca të kancelarëve në gjykata, që kanë të bëjnë me emërimin dhe shkarkimin e personelit dhe sekretarisë gjyqësore. Ndryshimet në ligj caktonin se kancelarët e gjykatave emërohen dhe shkarkohen nga ministri i Drejtësisë. Po kështu, Kushtetuesja ka rrëzuar pak kohë më parë disa ndryshime në ligjin e legalizimeve. Gjykata, me 5 vota pro dhe 4 kundër, i dha të drejtë kërkesës së socialistëve, duke rrëzuar ato kompetenca të ALUIZNI-t, i cili, gjatë procesit të legalizimeve, ia kishte marrë pushtetit vendor. Një tjetër ligj i shfuqizuar dhe i cilësuar si antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese ka qenë ligji “Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare”. Ky ligj është ankimuar nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë dhe gjatë shqyrtimit Kushtetuesja pranoi pretendimet e tyre për përfshirjen në Konferencën Kombëtare të gjyqtarëve të të gjitha niveleve, si dhe miratimin e një ligji që parashikon funksionimin e këtij organi me 3/5 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Gjykata Kushtetuese, gjatë këtyre viteve ka dalë kundër qeverisë në lidhje me çështje të reformës në administratën publike. Këtë e ka bërë duke rrëzuar tri vendime të qeverisë “Berisha”, të njohura si vendimet që synonin të luftonin nepotizmin në administratën publike. Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtyre VKM-ve u bë nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Avokati i Popullit dhe nga Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut. Argumenti kryesor që palët e interesuara paraqitën ka qenë ai i kufizimit pa ligj i të drejtave të njeriut të parashikuara në Kushtetutë, duke u shkelur parimin e barazisë para ligjit. Kushtetuesja pranoi argumentet e grupeve të interesit duke rrëzuar vendimet e qeverisë “Berisha”. Një tjetër ligji i rrëzuar ka qenë ai për përcaktimin e pagave të institucioneve të pavarura kushtetuese. Shfuqizimi i gjashtë neneve të ligjit të mësipërm është kërkuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Avokati i Popullit, ndërkohë që palë të interesuara, të përfaqësuara në Kushtetuese, kanë qenë edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Pretendimi e këtyre institucioneve se një pjesë e mirë e ligjit është në kundërshtim me Kushtetutën është vlerësuar i drejtë nga nëntë anëtarët e Gjykatës gjatë vendimit të shpallur. Së fundi, Gjykata Kushtetuese rrëzoi Marrëveshjen e qeverisë “Berisha” me Greqinë për vijën ndarjes kufitare detare, si dhe ligjin për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit duke i konsideruar ato në mospërputhje me Kushtetutën e vendit.
Ligjet e rrëzuara nga Gjykata Kushtetuese
Ligji “Për funksionimin e Gjyqësorit”
Ligji “Për legalizimet dhe urbanizimet”
Ligji “Për procedurat tatimore, gjobat”
Ligji “Për miratimin e aktit normativ për urbanistikën”
Ligji “Për miratimin e aktit normativ për prefektin”
Ligji “Për Akademinë e Shkencave”
Ligji “Për dosjet”
Ligji “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”
Marrëveshja e Shqipërisë me Greqinë për kufijtë detarë
23 Mars 2010