“Halimi: Parlamenti po vë në vend dinjitetin”
Shkarkimi i Kreshnik Spahiut
Për kreun e dikasterit të Drejtësisë, Eduard Halimi nisma e ndërmarrë nga deputetët e mazhorancës për shkarkimin zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu është një përpjekje e Parlamentit për të vënë në vend dinjitetin e tij.
Halimi tha se Spahiu nuk ka përmbushur detyrat dhe misionin e tij si mandatar i Parlamentit, duke shkelur hapur Kushtetutën e vendit. Më tej ai sqaroi se është kompetencë e Kuvendit për ta shkarkuar si anëtar të KLD pas shqyrtimit të fakteve dhe raporti më pas do ti përcillet KLD për të bërë zëvendësimin e tij.
“Ajo që po ndodh sot mes Parlamentit dhe Spahiut është një përpjekje e Parlamentit për të vënë në vend dinjitetin. Kur i mandatuari i tij nuk kryen detyrën e tij, por merret me gjithçka në këtë botë, përveçse me funksionin e përcaktuar, i mbetet ta zëvendësojë. Është një proces i rëndësishëm dhe objektiv, një mësim që do ti jepet pasardhësit të tij. Ai nuk ka përmbushur prej tre vitesh misionin e tij. Dje shpalli programin politik të partisë së tij, mund ta bëjë normalisht por jo nën petkun e nënkryetarit të KLD-së. Parlamenti ka të drejtë ta shkarkojë si anëtar të KLD pas shqyrtimit të fakteve, ky raport do ti shkojë më pas KLD, i cili do të bëjë dhe zëvendësimin. Spahiu bën gabim që luan rolin e hipokritit përpara qytetarëve shqiptarë sepse pas 3 muajsh do ta shohin me parti të tij”, tha më tej ai.