E Shtunë, 31 Tetor 2026

Halimi: Prokuroria e pavarur, por jo e pakontrollueshme

Halimi në Burgun e Peqinit

PEQIN – Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, i shoqëruar nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, inspektoi mesditën e djeshme Burgun e Sigurisë së Lartë në Peqin. Kjo vizitë e ministrit të Drejtësisë vjen pikërisht pas publikimit të raportit të Këshillit të Europës, i cili flet për kushte të rënda në ambientet e burgjeve. Ministri Halimi u shpreh se trajtimi i të dënuarve, në një shtet tregon dinjitetin e tyre dhe se Ministria do të bëjë të mundur rritjen e performancës në burgjet shqiptare, duke garantuar respektimin e të drejtave të të dënuarve. Kreu i Drejtësisë shfrytëzoi këtë rast për të folur për marrëdhënien mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme, duke thënë se mes tyre nuk ka asnjë lloj përplasjeje, por një debat brenda kornizave kushtetuese. Raporti që i dërgohet Kuvendit për Prokurorinë e Përgjithshme është detyrë kushtetuese e Ministrisë së Drejtësisë dhe sipas këtij raporti nuk kërkohet shkarkimi i prokurorëve, por i jepet Prokurorisë informacion i detajuar. Raporti në fjalë është absolutisht korrekt. Institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme është i pavarur, por jo i pakontrollueshëm, deklaroi Halimi. Pjesëmarrësit ndoqën dhe aktivitetet sportive e artistike të vetë të dënuarve në burgun e Peqinit.                                                                         m.s

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›