E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta pritet në DASH: Integrimi u ngadalësua

Meta gjatë takimit me senatoren Jeane Shaheen në Uashington

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, u prit dje në Uashington nga zv.ndihmëssekretari i Shtetit, z. Philip Reeker. Sipas njoftimit për shtyp të LSI-së, gjatë takimit u diskutua mbi zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, perspektiven e axhendës se integrimit europian dhe zhvillimeve në rajon. Meta u shpreh se Shqipëria ngadalësoi axhendën e saj integruese në dy vitet e fundit në mënyrë të panevojsme dhe se kjo duhet të shërbejë si një mësim për të ardhmen. Në këtë drejtim, Meta vuri në dukje përmirësimin e klimës politike gjatë muajve të fundit dhe theksoi rëndësinë e konkretizimit të shpejtë të reformave, në përputhje edhe me Planin Kombëtar të Veprimit, të miratuar së fundi. Zëvendësndihmëssekretari i Shtetit, z. Reeker, u shpreh se SHBA mbështetin plotësisht përmbushjen e 12 prioriteteve të Bashkimit Europian dhe marrjen e statusit të kandidatit, duke theksuar se fokusimi në zbatimin e Planit për Veprim është i rëndësishëm për ecurinë e integrimit europian të Shqipërisë, thuhet në njoftimin e LSI-së. Meta dhe Reeker ndanë të njëjtin mendim se Shqipëria dhe rajoni kanë përjetuar një zhvillim të madh gjatë 20 viteve të fundit. Forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit rajonal u vlerësua si domosdoshmëri për konsolidimin e një të ardhmeje të qëndrueshme dhe të begatë për të gjitha vendet. Në këtë drejtim u vlerësua kontributi që Shqipëria jep në mënyrë të vazhdueshme në shërbim të fqinjësisë së mirë dhe integrimit rajonal. Meta viziton Washingtonin për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Evropës Juglindore që zhvillohet në John Hopkins University, përfundon njoftimi i LSI-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›