Vangjel Dule: PS, fobi ndaj koalicioneve, do mbetet në opozitë

Kreu i PBDNJ, Vangjel Dule
Kreu i PBDNJ: Në 2011 PS e PD na vodhën votat.
Jep konsensusin për një sistem që favorizon koalicionet dhe punon vetëm për veten e vet
Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i ftuar në 5 pyetje nga Babaramo në News 24, tha se PS do të mbetet në minorancë nëse nuk bashkëpunon sinqerisht në koalicion.
Sipas tij, koalicioni me PS është në një vakum institucional dhe nuk po funksionon.
Në çfarë pike ka ngelur reforma zgjedhore?
Reforma zgjedhore është një lojë dypartiake, së cilës po i vishet petku i gjithëpërfshirshmërisë.
Ju e kondiciononi koalicionin me reformën zgjedhore?
Nuk e kondicionojmë. Ne, bashkëpunimin në një koalicion do ta shohim mbi bazën e programit. Sistemi zgjedhor është çështje demokracie.
Vazhdoni të jeni në koalicion me Edi Ramën?
Koalicioni ynë ka nënshkruar një marrëveshje ku palët kanë rënë dakord të bashkëpunojnë. Ne bashkëpunuam me PS në zgjedhjet e 2009-s dhe 2011-s. Nuk ka një dokument angazhues për të dyja palët. Ka shumë çështje, parimore, strategjike që na rreshtojnë në një vijë. Për momentet aktuale ekziston një vakum institucional mes dy partive, jemi në opozitë me qeverinë dhe qeverisjen.
Në 2013-n mund të keni bashkëpunim me zotin Berisha?
Ne jemi rasti i vetëm në jetën politike të vendit që u larguam nga një qeveri për të kaluar në opozitë. Numëruesit e 2009-s në Gjirokastër vijnë sot dhe më pohojnë se votat e PBDNJ-së në qarkun e Gjirokastrës u numëruan në harmoni të plotë me PD dhe PS, votat tona i ndanë dy partitë mes tyre.
Ju vetë e zgjodhët koalicionin me zotin Rama, keni brejtje ndërgjegjeje?
Vetë e zgjodhëm. Por në politikë nuk ecet me brejtje ndërgjegjeje, por me marrje masash.
Në zgjedhjet e ardhshme do hyni të vetëm, apo për shkak të sistemit do imponoheni në një koalicion?
Sistemi zgjedhor është penalizues për kandidimin autonom për një parti të nivelit të dytë. Nëse do ketë ndryshime në sistemin zgjedhor, ne do të kandidojmë të vetëm. Sepse në qarkun e Gjirokastrës mund të fitosh 18% të votave dhe të mos fitosh deputet. PS është në kontradiksion në themel të çështjes së zgjedhjeve. Në një kohë që jep konsensusin e vet për një sistem që favorizon koalicionet, ajo punon vetëm për veten e vet, është fobike ndaj koalicioneve dhe nëse kjo situatë vazhdon, është e destinuar të mbetet sërish në minorancë.
E kishit presion psikologjik kur keni thënë se po prisni partinë e zotit Topi për të bërë koalicion?
Smund ti bëjmë askujt presion psikologjik. Nuk thashë asnjëherë se PBDNJ do të bashkëpunojë me partinë e zotit Topit apo ndonjë tjetër.
Do shikoni një koalicion me zotin Rama nga halli në fund, para zgjedhjeve?
Edhe PS do ta shikojë bashkëpunimin me PBDNJ-në nga halli. Në reflekset e veta PS është fobike ndaj bashkëpunimeve, nuk e ka kulturën e ndarjes. Jemi në një sistem zgjedhor penalizues dhe e para është mbijetesa. PBDNJ ka qenë zëri më opozitar në Parlament dhe jashtë tij që prej 2009-s.