Halimi, letër Topit: Tërhiq propozimin për nënkryetarin e KLD-së

Eduart Halimi
Ministri i Drejtësisë i ka dërguar një letër Presidentit Topi, nëpërmjet të cilës i kërkon të ndryshojë propozimin e tij për zëvendësimin e nënkryetarit të KLD-së. Në letrën e tij, ministri Eduart Halimi e cilëson propozimin e Topit në kundërshtim me Kushtetutën.
Gjatë mbledhjes nga anëtarët e KLD-së dhe unë personalisht u ngrit dhe u diskutua çështja e antikushtetueshmërisë së propozimit për zgjedhjen në pozicionin e zv.kryetarit të KLD-së të një anëtari nga radhët e gjyqtarëve. Në cilësinë e ministrit të Drejtësisë, ju kërkoj revokimin e propozimit tuaj, sepse ai bie ndesh me nenin 147 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, thuhet në letrën drejtuar Presidentit të vendit.
Po sot, të njëjtin qëndrim me Halimin ka mbajtur edhe ish-ministri i Drejtësisë, Enkeled Alibeaj. Ai e ka cilësuar si antikushtetues propozimin e Presidentit për postin e nënkryetarit të KLD-së, duke thënë se anëtarët e zgjedhur nga gjyqësori nuk mund të gëzojnë këtë post. Sipas Alibeajt, kandidati duhet të propozohet nga Kuvendi i Shqipërisë.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk mund të zgjedhë si nënkryetar, një nga anëtarët e vet i cili vjen nga radhët e gjyqtarëve. Të mos bëjë të tjera gafa Kushtetuese. Megjithatë ai që vendos në fund të fundit është Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe ai nuk mund të votojë si nënkryetar një prej gjyqtarëve që janë anëtar, sepse me këtë akt jo vetëm që i heq atij cilësinë e gjyqtarit, por nuk arrin të zgjedhë në mënyrë të vlefshme nënkryetarin e vet, sepse ai do ishte i pavlefshëm, tha Alibeaj.
Ashtu siç pritej, maxhoranca po përpiqet të pengojë kandidaturën e propozuar nga presidenti Topi për numrin 2 të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në mbledhjen e djeshme të KLD-së, Topi propozoi që anëtari Ilir Mustafaj të zërë vendin e Kreshnik Spahiut në institucionin e lartë të drejtësisë. / G.N.