Interkonjeksioni me Kosovën, Rama: Berisha të japë shpjegime pse e mban peng

Edi Rama
Kreu i PS-së, Edi Rama, është shprehur sot se qeveria Berisha po mban peng linjën e interkonjeksionit Kosovë-Shqipëri. Në mbledhjen e sotme të grupit të PS-së, Rama tha se opozita do të kërkojë shpjegime përmes një interpelance të kryeministrit në Parlament.
Berisha duhet të përgjigjet publikisht, pse është bllokuar prej një viti ky projekt strategjik për Shqipërinë dhe Kosovën.
Pse qeveria dhe Berisha nuk i kanë dhënë përgjigje financuesit prej një viti dhe pse qeveria e ka parë të udhës të sillet në kundërshtim me normat etike e ligjore në kushtet e një bashkëpunimi me një donator të rëndësishëm për një çështje kaq të rëndësishme sa është pavarësia energjetike e Kosovës, tha Rama, duke theksuar se ky bllokim sjell dëme edhe në bashkëpunimin me donatorë të fuqishëm si Gjermania.
Taksat rëndojnë mbi qytetarët e thjeshtë
Më tej, duke u ndalur te taksat, Rama tha se ato rëndojnë më shumë në xhepat e qytetarëve të varfër. Kreu i PS-së shtoi se të dhënat e qeverisë për dyfishim të importit nuk pasqyrojnë realitetin.
Kontributori më i madh për mbajtjen e këtij shteti është qytetari i thjeshtë. Ai paguan shumë më tepër taksa në raport me atë që ka. Konsumi taksohet tre herë më shumë se fitimi dhe pasuria. Populli taksohet tre herë më shumë sesa pjesa që ka një pasuri për të cilën paguan rentë.
Analiza e të dhënave zyrtare për gjithë periudhën e qeverisjes së Saliut tregon se volumi i importeve është po ai. Shqipëria importon dy herë më shtrenjtë, por paguajnë njerëzit e zakonshëm, tha Rama.
Kryesocialisti u shpreh premtimet e qeverisë për uljen e taksave parlajmërojnë për një tjetër goditje të pabesë.
Prej një viti në faturën e çdo familjeje është shtuar edhe fatura e TVSH-së. Shqiptarët paguajnë dyfishin e taksës së një viti më parë për ekranin më të turpshëm të pushtetit. Kryeministri flet për ulje taksash po kjo paralajmëron një tjetër goditje të pabesë, për qytetarët, njësoj si dyfishimi i taksave të biznesit të vogël të kryeqytetit. Ne e kemi një votë për të ulur taksat. Kemi një propozim që jemi gati ta votojmë. Duhet të jemi të sinqertë dhe nuk duhet ti ikim për asnjë moment vizionit tonë dhe dallimit me pushtetin. Me një taksim të ndershëm të gjithë do të dalin më të fituar, tha Rama.