E Shtunë, 31 Tetor 2026

Halimi takon Gaianin : Të mbrojmë arritjet në luftën kundër krimit

TIRANE-Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, ka vijuar takimet e tij me partnerët ndërkombëtarë në përfundim të detyrës si Ministër. Mesditën e sotme ai është takuar me ambasadorin italian, Massimo Gaiani.

Ministri Halimi e konsideroi Italinë një partner të rëndësishëm si në realizmin e reformave në drejtësi ashtu dhe në luftën ndaj krimit të organizuar. Halimi veçoi kontributin e ekspertëve italian në kuadër të misionit “Euralius” me të cilët Ministria e Drejtësisë bëri të mundur reformim e sistemit të drejtësisë, hartoi paketën penale dhe civile, dixhitalizoi gjykatat dhe i bëri ato më transparente si dhe vlerësoi asistencën financiare në ndërtimin e burgjeve dhe gjykatave.

Lufta ndaj krimit të organizuar falë marrëveshjes së arritur nga qeveria shqiptare dhe ajo Italiane gjatë këtyre viteve të fundit është një arritje e realizuar nga bashkëpunimi i suksesshëm mes palëve.

“Deri para disa vitesh, Shqipëria ishte strehë e krimit të organizuar . Më shumë se 1000 persona të kërkuar ndërkombëtarisht kryesisht nga Italia qëndronin në Shqipëri , kishin biznese dhe mbrojtjen nga politika.

Me marrëveshjen historike që realizuam i premë rrugën bandave dhe krimit të organizuar duke i vendosur ata pas hekurave . Kjo marrëveshja është monitoruar dhe për çdo devijim që është hasur në zbatimin e saj kemi marrë masat ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve duke i propozuar për shkarkim. Në ditët në vijim masa të ngjashme do të merren ndaj të gjyqtarëve edhe prokurorëve të tjerë që nuk kanë zbatuar këtë marrëveshje kushtetuese. “ – tha Ministri Halimi .

I shqetësuar nga aktivizimin e segmenteve të krimit të organizuar në zgjedhjet fundit parlamentare Ministri e siguroi ambasadorit italian se opozita do ta monitorojë zbatimin e kësaj marrëveshje.

“Njerëz me preçedentë penal të dënuar në Itali, që i kishin shpëtuar ndjekjes penale u vunë në krye të fushatës elektorale ” – tha ministri.

Halimi e falënderoi ambasadorin Italian edhe për ndihmën e madhe që qeveria e tij kanë dhënë për trajnimin e administratës së burgjeve si dhe i kërkoi që të vazhdojnë ta mbështesë këtë administratës para presionit për shkarkime që maxhoranca e re po shpalos ende pa marrë detyrën.

“Do të jemi një opozitë e fortë në mbrojtje të administratës dhe institucioneve të pavarura si dhe të arritjeve tonë në luftën ndaj krimit të organizuar. “- theksoi Halimi.

Nga ana e tij ambasadori italian vlerësoi bashkëpunimin e deri tanishëm si në kuadër të luftës ndaj krimit të organizuar ashtu edhe në drejtimi të bashkëpunimit dy palesh në reformimin e sistemit të drejtësisë, përmirësimit të dukshëm të infrastrukturës në burgje si dhe vlerësoi se administrata civile është një aset kombëtar i çmuar, që duhet vlerësuar.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›