Halimi:Strategji për pronën dhe dixhitalizim të regjistrit të tokës
Ministri i Drejtësisë Eduart Halimi ka bërë publike disa nga objektivat e institucionit që ai drejton gjatë këtij viti. Ndërsa ka bërë analizën vjetore të punës së ministrisë së drejtësisë, Halimi theksoi se disa nga prioritetet për këtë vit mbeten dixhitalizimi i regjistrit të tokës, miratimi i strategjisë kombëtare të pronës, njohja e pronësisë për subjektet e shpronësuara, lirimi i shtëpive të ish pronarëve dhe hapa konkretë në zgjidhjen e problemit të pronës.
“Sfidë për këtë vit është miratimi i strategjisë kombëtare të pronës që do të shpreh vizionin e qeverisë për pronat, ajo do të parashikojë hapa konkretë me regjistrin dixhital të pronës, shqyrtimi i hapave dhe kërkesat nga subjektet ish pronare”- ka shtuar Halimi.
Sipas tij, regjistri i tokës do të vlejë për një shërbim efektiv e të shpejtë të publikut ndërsa shtoi se do të vijohet me procesin e njohjes së pronësisë për subjektet e shpronësuara do të evidentohen pasuritë e paluajtshme shtetërore përmes metodikës së vlerësimit të kësaj prone duke pasur orientim vlerën e tregut, lirimi i shtëpive të ish pronarëve duke aplikuar për personat kreditë e buta sipas ligjit.
“Në vëmendje do të jetë kompensimi fizik i ish pronarëve dhe kompensimi financiar. Të gjitha kërkesat pranë agjensisë së kthimit të pronave do të marrin përgjigje”- shtoi më tej Halimi.
Ndërkohë për ministrinë e drejtësisë viti 2011 ka qënë i suksesshëm ku sipas ministrit Halimi disa nga sukseset janë hartimi i paketës së ligjeve, implementimi i kësaj pakete dhe zhvillimi i infrastrukturës.