E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, kapen dy të kërkuar për pastrim parash në SHBA

Policia e Shkodrës ka arrestuar dy persona të shpallur në kërkim për mashtrim të institucioneve financiare dhe pastrimit te parave. Burime nga policia bëjnë me dije se në kuadër të operacionit "Kujtesa", mbrëmjen e djeshme, u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve Zoge Ahmetaj 69 vjeç dhe Qerim Ahmataj 77 vjeç, të dy banues në Koplik, Malësi e Madhe.
Këta dy persona janë arrestuar me qëllim ekstradimi drejt SHBA-së, pasi autoritetet e drejtësisë atje, kanë caktuar ndaj tyre masën e sigurisë "Arrest me burg", për veprat penale të "Mashtrimit" dhe "Pastrimit të parave".
Sipas policisë të arrestuarit nga data 18.11.2009 deri më datë 01.01.2010, në bashkëpunim me njëri tjetrin dhe në mënyrë të jashtëligjshme, kanë marrë pjesë në një skemë për të mashtruar një institucion financiar në Cleveland, Ohio, si dhe kanë përfituar paratë përmes aktiviteteve të rreme dhe mashtruese.
Nga strukturat Kundër Pastrimit të Parave në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër po kryhen të gjitha hetimet e nevojshme mbi aktivitetin e tyre në Shqipëri.
Ky operacion është në vazhdën e një sërë operacionesh të suksesshme të strukturave Kundër Pastrimit të Parave në Policinë e Shtetit, duke bërë të mundur sekuestrimin gjatë vitit 2011 të rreth 8 milionë eurove asete dhe vlerë monetare, autorëve të përfshirë në aktivitete të paligjshme.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›