Presidencialet, 4 shqiptarë në garë, pak gjasa për fitore
1.6 milionë maqedonas do të zgjedhin presidentin e ri të vendit nga shtatë kandidatë gjatë votimit të së dielës, më 22 mars. Megjithatë, duket se vetëm dy prej tyre kanë probabilitet të lartë për të rrëmbyer ‘fronin’ presidencial. Fushata zgjedhore ka përfunduar të premten, pasa 20 ditëve në garë, për t’ia lënë vendin heshtjes parazgjedhore, që do të zgjasë gjatë ditës së sotme deri në votimin e së dielës. Partitë shqiptare kanë mbajtur dje tubimet e fundit me elektoratin. Sipas kompanisë maqedonase të sondazheve “Rejting”, kandidati i partisë në pushtet VMRO-DPMNE, Gjorgje udhëheq votat me 29 për qind i ndjekur nga Ljubomir Fërckovski, i partisë opozitare Aleanca Social Demokratike me 14 për qind. Parashikohet se Ivanov dhe Fërckovski janë ata që do të konkurrojnë në betejën e fundit pas raundit të parë të votimeve, ndërsa kandidatët e tjerë, ku përfshihen katër shqiptarë kandidojnë, sipas analistëve, për të testuar fuqinë e tyre. Po sipas sondazheve të “Rejting”, shkruan agjencia AKI, mes shqiptarëve, Imer Selmani, përfaqësuesi i “Demokracia e re: pritet të ketë nga ana e tij 12 për qind të votuesve duke u ndjekur nga ish pushtetari maqedonas (ministri i brendshëm), i akuzuar në Hagë për krime lufte dhe i deklaruar i pafajshëm, Ljube Boshkovski, tashmë përfaqësues i të pavarurve, me tetë për qind. Në fillim të fushatës, Boshkovski kishte popullaritet të dukshëm, por mbështetja e tij ra gjatë fushatës. Ndryshe nga zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, që u shoqëruan me përplasje mes shqiptarëve dhe maqedonasve etnikë, fushata presidenciale nuk ka pasur incidente të mëdha. Shqiptarët përbëjnë mbi 25 për qind të popullsisë në Maqedoni dhe këtë vit konkurrojnë për herë të parë me kandidat për postin e presidentit. Në total 370 kandidatë janë të regjistruar për zgjedhjet bashkiake në 84 bashki, ka rreth 700 lista elektorale për pozicione në këshillat bashkiakë. Votimi do të monitorohet nga 6,981 vëzhgues vendas dhe 524 të huaj.