E Shtunë, 31 Tetor 2026

Halitosis, “sinjal alarmi” për sëmundjet e veshkave dhe mëlçisë

Era e keqe e gojës, në disa raste është sinjal alarmi për praninë e sëmundjeve të ndryshme të organizmit.

AIDA MALAJ

Megjithatë halitosis nuk është një sëmundje e mirëfilltë, shpesh është një simptomë e pranisë së një sëmundjeje orale, i një gjendjeje fiziologjike ose një sëmundjeje sistemike e organizmit. Në një intervistë për “Panorama”, mjeku stomatolog, Enkelejd Lako, shpjegon se kur duhet të shqetësohemi dhe çfarë mund të bëhet në këto raste:
Doktor, çfarë është sëmundja e halitosit?
Halitosis ose siç njihet ndryshe “fetor ex oris”, është përshkruar që në kohën e grekëve të lashtë, dhe përshkruan erën e keqe të gojës. Megjithatë halitosis nuk është një sëmundje e mirëfilltë, por shpesh është një simptomë e pranisë së një sëmundjeje orale, i një gjendjeje fiziologjike ose një sëmundjeje sistemike e organizmit. Vetë era e keqe, shkaktohet nga përmbajtja e sulfurit dhe përbërjeve të tij, në ajrin që nxjerrim nga goja. Sulfuri dhe përbërësit e tjerë sulfurorë, shkaktohen nga purifikimi ose shpërbashkimi, gjatë të cilave çlirohen bakteret anaerobe në hapësirën e gojës ose atë nazale (e hundës). Përbërjet sulfurore mund të transmetohen nëpërmjet gjakut nga një organ i sëmurë si psh: mëlçia cirrotike dhe shkojnë në mushkëri ku i japin dhe ajrit, erën karakteristike.
Ka raste kur era e keqe e gojës, nuk është sinjal sëmundjeje?
Në fakt halitosis ndahet në grupet e mëposhtme: në halitosis e vërtetë, pseudo halitosis dhe në halitofobia. Era e keqe e gojës mund të shkaktohet nga disa probleme mjekësore në hapësirën e gojës dhe në organizëm. Ndërsa pseudohalitosis dhe halitofobia janë ato gjendje të personit ku vetëm ai e ndjen ose është i persekutuar nga ideja e erës së keqe të gojës, megjithëse ajo nuk ekziston klinikisht. Këto dy raste të fundit nuk mund të zgjidhen nga dentisti. Halitosis i vërtetë mund të ndahet në dy nëngrupe: në atë fiziologjike dhe në atë patologjike.
Era e keqe e gojës e përkohshme ose momentare, mund të shkaktohet nga konsumimi i disa produkteve ushqimore si: ushqimet pikante ose përdorimi i duhanit dhe kjo ndjehet në orët e para të mëngjesit nga mungesa e salivës ose pështymës gjatë orëve të natës. Ushqimet të cilat shkaktojnë erën e keqe të gojës momentare janë: qepa, hudhra, ushqimet pikante dhe shumë të kripura. Kjo lloj halitosis konsiderohet fiziologjike dhe mund të trajtohet shumë lehtë, fal një higejen të mirë dentare.
Doktor, kur halitosis duhet të na shqetësojë dhe tregon për praninë e ndonjë sëmundjeje?
Era e vazhdueshme e gojës shkaktohet në pjesën më të madhe të rasteve nga flora mikrobiale që gjendet në hapësirën e gojës. Goja shërben si një rezervuar i mirë dhe si një depo e këtyre baktereve. Në hapësirën e gojës janë gjetur mbi 500 specie bakteresh, ku gati 150 prej tyre janë të përhershme në hapësirën e gojës. Megjithatë jo të gjitha janë shkaktare për shfaqjen e erës së keqe. Halitosis patologjike nuk ikën pa u larguar shkaktari sepse në hapësirën e gojës përveç pështymës, kemi dhe derdhje të sekrecioneve ose substrateve të tjera që shfrytëzohen nga bakteret për të çliruar erën e keqe. Kështu psh., qelizat e nekrotizuara, qelizat e gjakut, eksudatet ose qelbi, sekrecionet në xhepat gingivar, të cilat e bëjnë halitosën  patologjike. Falë disa studimeve është vënë re se 90 për qind e halitosave patologjike, e kanë origjinën në kavitetin oral dhe 60 për qind e atyre që vuajnë nga halitosa me origjinë orale era e keqe e ka origjinën nga gjuha. Halitosa patologjikë është shoqëruar gjithmonë me higjienë të ulët orale, gingivitet ulcerative sëmundje të mishrave), periodontite, pericoronarite (infeksionet e dhëmballëve të pjekurisë), xhepat e thatë të dhëmbëve, cariesi, infeksione kancerogjene të gojës dhe nga veshja e gjuhës me cipa. Pra në të gjitha rastet që përmendëm më lart, halitosa është  simptomë e këtyre problemeve, të cilat mund të zgjidhen vetëm me ndihmën e dentistit.
Nëse shfaqet ky problem, çfarë mund të bëhet?
Këshilla e parë që jepet është një higjiene orale e rregullt: larje e rregullt e dhëmbëve, pastrim me fije dentare, pastrim i gjuhës me pjesën e pasme të furçës dhe shpëlarja e gojës me kloreksidinë. Por mbi të gjitha rekomandohen vizita periodike te mjeku stomatolog për të parë shëndetin e dhëmbëve në përgjithësi, dhe që do të bënte të mundur trajtimin në kohë të të tilla problemeve.

Nëse doni të merrni më shumë informacion për sëmundje të caktuara apo doni të komunikoni me mjekë specialistë, mund të kontaktoni me ne nëpërmjet letrave ose postës elektronike në adresat e mëposhtme:
Adresa: Rr. “Jordan Misja” (prapa shkollës “Harry Fulltz”), pallati 1, kati 2, Tiranë.
Tel.00355 4 273 207|08|09       
E-mail:panorama_shendet@yahoo.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›