E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Apollon 2008”, teatri shqiptar sërish në Fier

Festivali Mbarëkombëtar i Aktrimit “Apollon ‘08" ngre siparin sot në mbrëmje.

Eshtë viti i shtatë që teatri shqiptar pushton qytetin e Fierit. Marrin pjesë trupa të ndryshme shqiptare nga Tirana, Vlora, Korça, Durrësi, Peja etj. Mbrëmja e sotme do të çelet nga trupa vendase, me shfaqjen “Fqinjët”, tekst të Ruzhdi Pulahës dhe regji të Dhimitër Orgockës. Ndërsa në netët në vazhdim, do të prezantohen teatri “Petro Marko” i Vlorës me shfaqjen “Jo të gjithë vijnë për të vjedhur” nga Dario Fo, me regji të Donald Hasanit. Teatri “Aleksandër Moisiu” i Durrësit me pjesën “Të gjitha të njëjtën histori”, e Dario Fo dhe Ram, me regji të Driada Dervishit, Teatri Kombëtar me pjesën e suksesshme “Pamje nga ura” të Artur Miller dhe regji të Albert Mingës. Kompania private “Çajupi” sjell “Shërbëtoret” e Jean Genet, me regji të Kiço Londos, ndërsa trupa e teatrit shtetëror të Korfuzit prezantohet me shfaqjen “Baçhae”, me regji të Nikos Dionysios. Teatri profesionist i Pejës përfaqësohet me dramaturgun e njohur kosovar, Ekrem Kryeziu. Trupat pjesëmarrëse janë përzgjedhur nga bordi i festivalit dhe Enver Petrovci, ndërsa një juri e përbërë nga emra të njohur të teatrit do të përcaktojë edhe fituesit. Tinka Kurti, Niko Kanxheri dhe Bujar Asqeriu do të ndajnë çmimet e përvitshme të këtij festivali aktrimi. Sipas drejtorit të festivalit, Klajdi Marku, krahas shfaqjeve në konkurrim, një tjetër vepër përshëndetëse, “Madeamaterial” e H. Myller vjen nga Sardenja. Teatri “Bylis” nuk do të jetë skena e vetme ku do të performohet. Rostika Kala dhe Apollonia janë dy destinacione të tjera që do të mirëpresin aktorët dhe publikun, një ndërthurje mes artit dhe traditës së qytetit të Fierit. Sipas Markut, edhe sivjet, gjatë ditëve të festivalit do të organizohen takime dhe diskutime mbi shfaqjet konkurruese, por dhe për probleme të teatrit në përgjithësi. Jo vetëm artistët pjesëmarrës, por edhe të tjerë të ftuar për të ndjekur aktivitetin, do të jenë të ftuar të bëhen pjesë e këtyre organizimeve gjatë ditëve të festivalit. Një veprimtari i është kushtuar dramaturgut dhe regjisorit kosovar Ekrem Kryeziu. Pas ngjitjes në skenë të shfaqjes së tij “Përplasja”, do të ketë një takim për promovimin e dramaturgjisë së tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›