E Diel, 1 Nëntor 2026

Jareci: Të drejtoj Spanjë-SHBA është kulmi i karrierës time

Sokol Jareci do të gjykojë ndeshjen miqësore SHBA-Spanjë më 4 qershor.

Në këtë ndeshje Spanja do të testojë skuadrën e saj para fillimit të finaleve të Euro 2008 që do të zhvillohet në Austri dhe Zvicër. Kjo është hera e parë që një gjyqtar shqiptar drejton një ndeshje të një niveli kaq të lartë. Nën urdhrat e Jarecit për 90’ minuta do të jenë yje si Torres, Pyjol, Ksavi apo Ramos dhe gjyqtari i njohur shqiptar pohon se, kjo është vërtet emocionuese. Arbitri shqiptar e ka cilësuar këtë si kulmin e karrierës së tij dhe shpreson që në këtë ndeshje të paraqitet sa më mirë, sepse kështu do të nderonte edhe emrin e Shqipërisë në nivel ndërkombëtar. “U gëzova tej mase. Kur ma komunikuan bëra sikur nuk e dhashë veten, por në fakt u ndjeva shumë i lumtur. Kjo ndeshje është padyshim kulmi i karrierës time, pavarësisht se bëhet fjalë për një takim miqësore. Janë dy skuadra të mëdha dhe kanë lojtarë të mëdhenj në përbërje. Do të përpiqem që të bëj më të mirën time, sepse kështu do të përfaqësoj denjësisht emrin e Shqipërisë dhe gjyqtarëve shqiptarë në arenën ndërkombëtare. Shpresoj që gjërat të ecin mirë dhe të dal me sukses”, ka thënë Jareci për “Panorama”. Ndeshja e fundit që ai ka drejtuar në arenën ndërkombëtare ka qenë ajo e 6 qershorit të vitit të kaluar mes Mariborit dhe Birkirkarasë e vlefshme për Kupën Intertoto. “Kjo është krejtësisht një ndeshje tjetër. Aty mbetesh pa fjalë sapo hyn në stadium, por gjithsesi unë kam eksperiencën e duhur për t’ia dalë mbanë dhe do të bëj më të mirën time”, ka thënë Jareci. Ai bashkë me Albano Jankun janë dy gjyqtarët e vetëm shqiptarë të FIFA-s. 40-vjeçari Jareci gjykon ndeshje ndërkombëtare që nga viti 2000, por asnjëherë të këtyre niveleve. Edhe dy asistentët e tjerë të ndeshjes Spanjë-SHBA do të jenë shqiptarë, por deri tani FSHF, ende nuk ka zgjedhur se cilët do të jenë emrat që do të udhëtojnë bashkë me Jarecin drejt Spanjës. Kërkesën për gjyqtarë shqiptarë e ka bërë pikërisht Federata Spanjolle e Futbollit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›