E Shtunë, 31 Tetor 2026

Misioni kuqezi, të bindë “tradhtarët”

Trajneri i Kombëtares shqiptare U-21, Artan Bushati, ka thënë se ai dhe Federata Shqiptare e Futbollit do të bëjnë të pamundurën për të bindur disa nga talentet shqiptare që të luajnë për fanellën kuqezi në të ardhmen.

Jetmir Halilaj

Bëhet fjalë për Florenc Kerin, 18-vjeçarin që pak ditë më parë u transferua te Bajerni i Mynihut, por që dëshiron që të luajë me Kombëtaren greke dhe për Edgar Çanin. Bushati nuk ka dashur t’ua mbyllë derën këtyre dy lojtarëve, duke thënë se do të bëhen sërish tentativa për t’i veshur ata kuqezi. “Unë nuk paragjykoj askënd për zgjedhjen që bën, pavarësisht se do të isha shumë i lumtur që Keri apo Çani të luanin për Shqipërinë, pasi janë lojtarë që i duhen skuadrës tonë – ka thënë Bushati për “Ora News”. “Jam informuar nga media se Keri dëshiron të luajë me Greqinë, por ne do të tentojmë sërish dhe me sa di unë instancat e FSHF-së po përpiqen të kontaktojnë drejtpërdrejt me lojtarin që ai të mund të ndryshojë mendje”.
Zgjedhja
“Unë nuk e kuptoj se si një shqiptar dëshiron të luajë për një kombëtare tjetër”, tha ish-trajneri i Shqipërisë, Oto Bariç, kur mori vesh se Mërgim Mavraj, edhe pse ishte pajisur me pasaportë shqiptare në fund ndryshoi mendje, duke shpresuar se do të luante me Gjermaninë. Është bërë modë që kohët e fundit disa të rinj të talentuar shqiptarë luajnë me “dy porta”, duke e cilësuar Kombëtaren shqiptare si një ‘as nën mëngë’. Disa prej tyre që luajnë në skuadra të huaja kanë dribluar vazhdimisht kur u është bërë ftesa me Shqipërinë, për shkak se shpresojnë që të luajnë me skuadra si Gjermania, Italia apo Greqia. Vetëm nëse nuk ia arrijnë këtij qëllimi, atëherë ata zgjedhin të luajnë me Shqipërinë.
Çani
Talenti shqiptar që luan te Palermo, Edgar Çani, ende nuk ka kthyer një përgjigje përfundimtare për zgjedhjen që do të bëjë, duke dribluar vazhdimisht ftesat nga Kombëtarja shqiptare. “Më 20 gusht do të mësohet nëse Çani do të luajë për Shqipërinë apo jo – ka thënë Bushati. – Në këtë datë ne do të luajmë kundër Greqisë ndeshjen e prapambetur, e vlefshme për eliminatoret e Euro 2009. Ne ia kemi bërë të qartë lojtarit se jemi të interesuar për shërbimet e tij, por deri tani bisedimet nuk kanë pasur asnjë përfundim konkret. Ne duam që ai të luajë për ngjyrat e Shqipërisë dhe do t’i bëjmë sërish ftesë për ndeshjen e 20 gushtit. Shpresojmë që ai të pranojë”.
Berisha e Raskaj
FSHF është në bisedime me dy të rinj kosovarë që luajnë në kampionatin suedez. Bëhet fjalë për mesfushorin e avancuar, Anel Raskaj (Halmstad) dhe portierin Etrit Berisha (Kalmar). Bushati ka pohuar se dy të rinjtë mund të veshin fanellën kuqezi në të ardhmen. I pyetur nëse kjo mund të shkaktonte ndonjë konflikt me Federatën Kosovare të Futbollit, e cila është në prag të anëtarësimit në FIFA, Bushati ka thënë se kjo nuk përbën asnjë problem. “Dyert janë të hapura për të gjithë ata që i thonë vetes shqiptar. Këta dy lojtarë kanë shprehur interes për të luajtur me Shqipërinë dhe ne jemi të interesuar që ata t’i bashkohen skuadrës tonë. Ata kanë bërë një zgjedhje me dëshirë dhe ne nuk mund t’u themi kurrsesi ‘jo’. Nëse FFK anëtarësohet dhe ata ndryshojnë mendje, sërish për ne nuk ka problem. Por ata janë gjithashtu, shqiptarë dhe ne nuk mund t’ua mohojmë shansin atyre”. Një situatë krejt paradoksale kjo, kur sheh dy të rinj shqiptarë si Keri (beratas) dhe Çani (tiranas) që i bëjnë bisht fanellës kuqezi dhe dy të rinj nga Kosova që dëshirojnë të luajnë për Shqipërinë.

Çani
Edgar Çani luan te skuadra e Palermos. Sulmuesi 19-vjeçar u transferua gjatë merkatos së janarit nga Peskara te klubi sicilian. Ai është 190 cm i gjatë dhe për karakteristikat që ka, cilësohet si pasardhësi i Kristian Vierit. FSHF i ka bërë disa herë ftesë lojtarit që të paraqitet me përfaqësuesen U-21, por deri tani ai nuk ka ardhur. Ndërkaq, në deklaratat për median, sulmuesi i talentuar ka dribluar gjithnjë pyetjet për të ardhmen e tij.

Keri
Sulmuesi 18-vjeçar që u transferua pak ditë më parë te Bajerni i Mynihut ka pohuar se ka pasur oferta nga Federata Shqiptare e Futbollit, por ai është shprehur se dëshiron të luajë për Greqinë. Talenti beratas është transferuar në Greqi që në moshën 2-vjeçare dhe dëshiron që në të ardhmen e tij të luajë për ngjyrat e flamurit helen. Gjatë këtij sezoni ai realizoi 14 gola dhe 22 asiste ekipin U-19 të grekëve të Verrias.

Jonuzi
Ahmed Jonuzi, sulmuesi 20-vjeçar nga Prishtina që luan bashkë me Dallkun dhe Currin te Vorskla Poltava ka shprehur dëshirën e tij për të luajtur me përfaqësuesen shqiptare U-21. Ndërkaq, edhe trajneri i përfaqësueses së Shpresave, Artan Bushati, e pëlqen lojtarin dhe është i gatshëm t’ia japë një mundësi atij me fanellën kuqezi. Mësohet se Jonuzi ka “sponsorë” në FSHF, Dallkun e Currin, të cilët gjithnjë flasin me superlativa për të.

Refuzimet e deritanishme kuqezi
Pesë futbollistët shqiptarë i kanë thënë ‘jo’ përfaqësueses shqiptare gjatë viteve të fundit. Bëhet fjalë për Ronald Gërxhaliun, Jurgen Gjasulën, Sotir Ninin, Panajot Konen dhe Elin Dhimuçon. Gërxhaliu zgjodhi të luante për Austrinë për motive familjare, ndërsa Gjasula shpresonte të luante me Gjermaninë. Tre të fundit preferuan të luanin për ngjyrat e flamurit grek.

Bogdani, vuloset rënia në B     
Erjon Bogdani ka luajtur si zëvendësues te Livorno, që gjatë javës së parafundit të kampionatit Italian, u mund në shtëpi me rezultat minimal 1-0 nga Torino. Bogdani në lojë hyri në minutën e 64-të në vend të Fausto Rossinit. Livorno është e fundit në tabelën e renditjes me 30 pikë dhe sezonin e ardhshëm është vendosur përfundimisht që do të luajë në Serinë B.

Cana, shpresa për Ligën e Kampionëve
Lorik Cana ka ende shpresa se skuadra e tij, Olimpik i Marsejës mund të sigurojë një vend në Ligën e Kampioneve, përsa i takon sezonit të ardhshëm. “Ne do të shpresojmë deri në fund, pasi nëse fitojmë me Strasburgun dhe nëse Rene arrin të ndalë Nensin, atëherë do të kemi mundësi të bëjmë realitet objektivin tonë”, ka thënë Cana, i cili e ka ëndërr të luajë në Champions.

Vangjeli, aktivizim i rregullt
Kristi Vangjeli ka luajtur si titullar gjatë ndeshjes së djeshsme të kampionatit grek që skuadra e tij Aris i Selanikut humbi me rezultatin 3-1 përballë Panathinaikosit. Nga informacionet që vijnë, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare është aktivizuar rregullisht gjatë javëve të fundit dhe aktualisht gëzon një formë të mirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›