E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Politika ka mundësinë për të ndryshuar diçka në Opinionin e progres-raportit”

09-10-2011 / Gazeta 55

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto
 
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto e cilëson kthimin e opozitës në parlament si një zhvillim pozitiv, por sipas tij, duhet një arritje e prekshme e dialogut politik.
Në një deklaratë për mediat Haxhinasto, tha se, “10 pikat e opozitës, theksojnë dy ose tre nga çështjet e 12 rekomandimeve. Por ka edhe një tërësi tjetër elementesh, të cilat as nuk priten nga BE-ja të trajtohen në këtë moment, dhe as nuk janë tregues të një cilësie të re për sa i përket bashkëpunimit politik për të çuar përpara axhendën e integrimit”.
Sipas tij, duke i bërë një analizë të qartë të çështjeve që parashtrohen në 10 pikat, është evidente që përdoret një moment i tillë politik për të avancuar një axhendë politike partiake.
“Në këtë moment ku ndodhem, ka përsëri vend për një reflektim dhe për t’u dhënë prioritet çështjeve themelore, për të cilat do vlerësohemi nga ana e BE-së”, nënvizon kryediplomati shqiptar.
Ai shton se integrimi i vendit është çështje dhe objektiv madhor dhe nuk mund të përdoret si fuqi negociuese, ose si një motiv për pazarllëk në këtë moment të rëndësishëm për sa i përket vendimmarrjes së BE-së për statusin e vendit kandidat. Ndërsa 12 tetori po afron, zëvendëskryeministri shprehet se ekziston mundësia për të ndryshuar diçka në opinionin e progres raportit.
“Të imponohet një dinamike e re në sjelljen politike të partive parlamentare në Shqipëri. Nuk mund të bëhet politikë partiake me momentet që po kalon vendi. Duhet pare integrimi dhe kërkesa e BE-së”, deklaron Haxhinasto.
Sipas tij, eksperienca kroate është ajo që i duhet Shqipërisë, ku ato ligje e reforma që janë në funksion të integrimit europian, të kalohen pa debate e kondicionime politike, pa kushtëzime, por të miratohen si detyrim madhor i çdo force politike.
 
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›