E Shtunë, 31 Tetor 2026

Halucinacionet e Edvinit, si ato të Hitlerit në prill të ‘45-s

Në mesin e prillit të vitit 1945, Hitleri e kishte lakun në fyt. I rrethuar në të katër anët, e kishte futur kokën në vendstrehimin e tij nëntokësor, të betonuar me materiale të një rezistence speciale. Prej andej drejtonte, gjatë kohës së ditëve të tij të fundit, në tokën e zbrazur poshtë kancelarisë perandorake, në atë superbunker që quhej rajhkancelaria apo rajskancelaria, ditët e mbrame luftarake. Mbi syprinën e këtij strehimi të nëndheshëm binin vazhdimisht bomba të kalibrit të madh, që tronditnin besnikët e Fyhrerit, që ishin bërë shafran në fytyrën e tyre të shfytyruar! Hitlerit vetë i ishte shtuar nevrastenia. Kryetarit të partisë naziste, Borman, nuk i bindej njeri. Në këtë rajskancelari nëntokësore mungonin shumë nga hierarkët, si Jodli, Himleri dhe gjeneralë të tjerë që u dorëzuan te bolshevikët. Gëringu, po ashtu, u shpall tradhtar se iu ofrua aleatëve perëndimore për një traktat vetjak kapitullimi i cli, natyrisht, nuk u pranua nga perëndimorët. 

Megjithatë Hitleri i jepte kurajë vetes dhe kërkonte të bindte popullin gjerman për fitore, në sajë të armës sekrete që do të vihej në funksion, më 20 prill. Një libër biografik për ditët e fundit të Hitleri, shkruante: “Psikoza gjigante e pritjes së mrekullisë përfshiu një pjesë të madhe të popullatës”! Dr. Gëbelsi, kryepropagandisti i Hitlerit, foli në radio nga vendstrehimi:  “Fyhreri ka thënë se fati do të ndryshojë dhe suksesi do të bashkudhëtojë me ne. . . Fati na e ka dërguar këtë njeri që né të mbetemi dëshmitarë të lavdisë për vitet e lavdishme që na presin... “.

Në këtë gjendje të pashpresë, Gëbelsi i lexonte Hitlerit, atje në thellësinë e superbunkerit me bombat që e lëkundnin, faqe nga jetëshkrimi i Frederikut të Madh. Hitleri, edhe në këtë pikë të hallit, ngrefosej dhe mashtronte veten se prejardhjen shpirtërore e trashëgonte nga mbretërit e lavdishëm prusianë!

Tani, ndonëse krahasimet janë të vështira dhe shpesh në përputhje jo të drejtpërdrejtë, do të orvatemi të bëjmë krahasimet me gjendjen e tanishme të Edvinit.

Së pari, të folurit me të tërë ushtimën e zërit, që herë-herë kalon në histerizëm, si  edhe me fjalorin agresiv, e ka si një imitacion të Hitlerit, jo të Stalinit, të cilit i mungonte buçitja për mungesë zëri. Por hilet, dredhitë dhe propagandën mashtruese i ka bash nga Stalini dhe nga Enveri (ky kishte edhe zë kumbues për ta bërë të zezën të bardhë e anasjellas).

Me këtë lloj gojëtarie, u bë karizmatik, si të tre diktatorët që sapo përmendëm.

Një krahasim tjetër diktatorësh, - të djathtë e të majtë, - është se pati ngjitje të shpejtë në karrierë, nga asgjëja në të plotfuqishëm. Hitleri, nga një kapter i luftës I Botërore dhe nga një piktor i rëndomtë, vuri në dorë të gjithë Gjermaninë. Stalini, nga një seminarist i zakonshëm ortodoks në Gjeorgji dhe larg hierarkisë revolucionare për kah cilësitë, i dorës së dytë në krahasim me Trockin, Zinovievin, Kamenievin, Buharinin, Tomskin,  Piatakovin,  Orxhenikixen, i eliminoi të gjithë këta personazhe dhe kulti i tij i individit shkoi në zenit dhe zëvendësoi Zotin. Së fundi, Edi Rama: nga një piktor mediokër; nga një basketbollist, trupi i stërgjatë i të cilit nuk i dha ndonjë vlerë të veçantë; nga një “antienverist” i orëve të para të proceseve demokratike, menjëherë - sa e nxori Fatos Nano nga basifondet e Parisit për ta bërë ministër të Kulturës, -  u bë një enverist fanatik i festave të 16 shtatorit në Pezë, ku e ngriti në apoteozë diktatorin shqiptar. Duke përfituar nga dorëheqja e F. Nanos, me humbjen e zgjedhjeve të korrikut të 2005-s, përfitoi që t’ia rrëmbente skeptrin nga dora e të bëhej vetë kryetar i PS-së. Një bashkësi këpëdarësh injorantë ia dha këtë mundësi, të lakmuar prej kohësh. Kjo ngjitje e menjëhershme pati edhe zbritjen po aq të shpejtë tani, me zgjedhjet e 28 qershorit të 2009-s. Parabola e tij i ngjan asaj të imituesit, Adolf Hitlerit. Krahasimi është i mundshëm, ndonëse në rrethana historike të kohëve të ndryshme.

Ngjashmëria qëndron edhe në ankthet e Hitlerit në atë mbarim të prillit të 1947-s, me atë humbje të zgjedhjeve në mbarimin e qershorit në vendin tonë. Shikuesit e emisioneve televizive e shohin tani të deprimuar, pa ato hedhjet sikur t’i kishte këpucët me susta, pa gjestikulacionet e tij alla-Hitler, me humorin e rënë, teksa është si në gjemba edhe në kryesinë e PS-së, ku hierarkët e partisë së tij e quajnë humbës, ndërsa ai vetë e quan veten fitimtar! 

Me këtë artifis kërkon t’i bishtnojë detyrimit që të lërë ofiqin e kryetarit të PS-së, duke pasë rënë ndesh me statutin e partisë së vet. Është bërë i egër dhe gojështhurur duke mëtuar që të jetë urdhërdhënës që të rishqyrtohen zgjedhjet e të hapen kutitë e votimit edhe në Berat, në Elbasan dhe në Tiranë, gjë që duket krejtësisht e pamundur. Në këto qytete, procesverbalet nuk mund të rrëzohen se kanë firmat e të gjithë komisionerëve, (duke përfshirë edhe ata të PS-së); janë me raportet përfundimtare të firmosura e të vulosura rregullisht, çka nuk i lejon,  sipas kodit zgjedhor, të rrëzohen nga KQZ-ja. Por deliri i Edvinit arrin gjer aty, sa t’i quajë edhe komisionerët e PS-së të paqenë, se ata “qenkan të blerë”. Madje ai i ka paditur komisionerët e PS-së, në gjyq!

Edlira Haxhiymeri, Ben Blushi, Agron Malaj, anëtarë të Kryesisë, i kanë kërkuar dorëheqjen, në bazë të Statutit të PS-së. Ai del në emisionet televizive dhe ngulmon, paçka se edhe gazetarët e majtë nuk ia pranojnë këto teka, se “nuk është në opozitë, që të japë dorëheqjen”! Na kujton Hitlerin që mundohej t’i mbushte mendjen popullit se nuk e kishte humbur luftën, me atë arsyetimin e “armës sekrete”. Paçka se i mbeteshin vetëm dy javë nga vetëvrasja! “Fitorja” e Edvinit është, pra, si “arma sekrete” e Hitlerit! Ky krahasim është nga ata që thuajse nuk çalojnë!

Tani edhe elementë të tjerë të instancave të larta të PS-së po ia përplasin troç Edvinit atë kërkesën e tyre që ai të japë dorëheqjen. 

Ç’është e vërteta, ai i ka zgjedhur vetë ata që do të jenë “zëri i tij” në rast të ngritjes së ballëve të valëve sizmike në këmbët e politikanëve që s’marrin vesh nga politika, si Ditmiri (i biri i Sekratrit I të K.P. të Shkodrës, Kukësit etj.). Por ata nuk kanë fuqi mbi ligjin që ta nxjerrin Edvin Ramën nga humbës, në fitues.. Anatemat kundër LSI-së dhe kërcënimet kundër komisionerëve të tij, - të emëruar nga vetë ai, - janë pa efekte, tani që atij i gumëzhijnë veshët nga të gjitha anët: - Jep dorëheqjen! -  Jep dorëheqjen!

Edvini e ka humbur sensin e të arsyetuarit, si në kohën kur e poshtëroi LSI-në, si në kohën kur ia vodhi votat asaj, si në kohën kur u tregua “xhymert” në Fier, ku 100 eurot binin si gjethet e lisit në vjeshtë, për të paguar ithtarët që bënë atë gurgulenë e Fierit, që të manipulonin votat në dobi të PS-së. Të gjithë e kanë të qartë, tanimë se, me hipotezë, sikur Dritan Prifti i LSI-së, të ishte sëmurë e të mos shkonte vetë në Fier, ai nuk do të ishte, tani, deputet i LSI-së. Askush nuk e mendon të kundërtën e kësaj pandehme.

Tani Edit i ka mbetur vetëm “arma sekrete”: të nxjerrë njerëzit në rrugë. Kryengirtje!

Po sikur të nxjerrë njerëzit në rrugë edhe PD-ja, bashkë me LSI-në, a e di Edi se çdo të ndodhte? Apo e harroi manifestimin e fundit zgjedhor të PD-së dhe të PS-së dhe nuk është në gjendje të bëjë krahasimet! Sa për atë budallallëkun e “njerëzve në rrugë”, tani që kalit i kanë rënë patkonjtë, po ia përplasin në sy Edit edhe në PS-në “e tij” atë idiocinë e nismave të pamundshme! 

Tani një gjë është e sigurt. Që Edvini po i bie më qafë atdheut dhe kombit të tij me atë personalizimin që i bëri PS-së, që e çoi në katastrofë. Krokamat e tij, “zgjedhje jashtë standardit” , sigurisht janë të dëmshme. Por, amà, kemi edhe thëniet e mjaft personaliteteve të shquar të vendeve të BE-së që po flasin në mënyrë inkurajuese për zgjedhjet tona të tanishme. Së fundi nuk mund të presim patriotizëm nga Edi Rama, ithtar i diktatorit E. Hoxha, që s’kishte as grimcën e atdhedashurisë!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›