E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uzurpimi edvinist i Partisë Socialiste

Në fjalorin e Gjuhës Shqipe, fjala “Uzurpim” shpjegohet kështu: “Rrëmbej në mënyrë të paligjshme pushtetin, udhëheqjen e diçkaje, a një të drejtë të dikujt...”. Uzurpimi i Partisë Socialiste nga Edvin Rama është realiteti politik i sotëm. Kryetarllëku i Edi Ramës nuk është udhëheqja politike e Partisë Socialiste. Anormaliteti i kryetarllëkut të Edi Ramës në PS filloi qysh ditën e parë. Ai, fillimisht duhet të jepte dorëheqjen nga kryetari i bashkisë të Tiranës. Kurrsesi, një udhëheqës i partisë më të madhe opozitare nuk mund të jetë –njëkohësisht - kryetar i bashkisë, qoftë edhe i kryeqytetit. Shpjegimi është politik. Qysh tek (mos)serioziteti politik që i jepet rolit udhëheqës të kryetarit të PS-së. A mund të luajë oponencën politike me kryeministrin – në bazë të kushtetutës – një kryetar bashkie, i veshur njëkohësisht edhe me kostumin e kryetarit të partisë opozitare? 

Këto çudi politike vetëm me Edi Ramën u panë. A është kjo një dukuri e novatorizmit politik, brenda kuadrit demokratik? Kujtoni, novatorizmin politik të Enver Hoxhës, me kooperativat e tipit të lartë, të cilat u paraqitën si pasurim i teorisë M-L.

Kështu edhe Edi Rama. Paralelizmi i kryetarllëkut të PS me kryetarllëkun e bashkisë në demokracinë tonë sot është thjesht një novatorizëm politik i tipit enverist. Edi Rama u dëftua uzurpator i pushtetit politik në Partinë Socialiste, derisa nuk pranoi që të dorëhiqej nga posti i kryetarit të bashkisë të Tiranës.  A nuk ishte politikisht qesharake që Edi Rama, kryetar i PS rivalizoi për kryetar bashkie në Tiranë jo me kryetarin e partisë kundërshtare, por me një nga politikanët e PD-së? A nuk është ky rivalizim nënvlerësim politik i udhëheqjes së PS? Pastaj, edhe shifra e fituar, më e ulët nga mandati i parë - edhe pse tani kandidati Edi Rama është njëkohesisht edhe kryetari i PS - a nuk dëftoi që populli as për kryetar bashkie nuk ka më mirëbesimin e parë? Kjo analizë, a nuk shqetësoi në radhë të parë PS? Novatorizmi politik edvinist i tipit enverist u duk ashiqare në zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Në asnjë tip demokracie, në asnjë vend të botës nuk ka ndodhur kurrë që kryetari i partisë më të madhe opozitare të mos jetë - të paktën - kandidat për deputet. Nuk është punë dëshire personale. E ca më pak modesti politike.... Është normë kushtetuese e detyrueshme e demokracisë që kryetari i partisë më të madhe opozitare të kandidojë që të fitojë votëbesimin e popullit, që Kryeministri të japë llogari për politikën qeverisëse të vendit në parlamentin, në kuvendin e mirëbesimit të popullit, që kryetari i partisë më të madhe opozitare e përballon Kreyministrin në parlament.

Kështu janë hedhur thelemet e çdo kushtetute demokratike, në të gjitha vendet e botës. Nuk ka ndodhur në asnjë demokraci që Kryeministri apo kryetari i opozitës politike të mos jenë deputetë. Edi Rama, në 28 qershor 2009 kërkoi të uzurponte edhe demokracinë në Shqipëri, sikurse ka uzurpuar Partinë Socialiste. Moskandidimi i kryetarit të partisë më të madhe opozitare për kandidat në parlament - qëndrimi më i skajshëm i pranueshëm - ndodh vetëm në ato raste kur kryetari i partisë ka detyrë partiake formale dhe kurrssesi nuk është kandidati për kryeministër i partisë.

Shikojeni edhe realitetin politik të paszgjedhjeve të 28 qershorit. Kryetari i partisë Socialiste Edi Rama nuk është në parlament. Pyesim: Si do ta opozitojë Edi Rama kryeministrin? Edi Rama nuk është në parlament që të kundërshtojë qeverinë, Kryeministrin. Do ta opozitojë nga zyra e bashkisë të Tiranës? Apo nga mikrofoni mediatik i PS? Këtu, a nuk ka vakuum udhëheqjeje politike të PS?

Ah, po. Gati harrova. Kryeministrin shqiptar - sipas novatorizmit enverist të Edi Ramës - do ta përballojë Braçja, Erioni.

Sepse Erioni i “Mjaftëve” shkoi të mjaftët e të humburve.....

Ky është mjerimi politik i uzurpimit edvinist të PS.....

Sipas fjalorit të Gjuhës Shqipe, a nuk po ndodh realisht rrëmbimi i paligjshëm i pushtetit dhe i udhëheqjes së PS nga Edi Rama? Ai, me mosdashjen që të jetë deputet, a nuk ka uzurpuar politikisht Të Drejtën e Dikujt - sipas fjalorit të Gjuhës Shqipe - a nuk ka uzurpuar të drejtën e kryetarit të partisë më të madhe opozitare, që të kundërshtojë drejtpërdrejt politikën qeverisëse të Kryeministrit në parlament?

Qëndrimi enverist i Edi Ramës, me mospranimin e mandatit të deputetit është një përsëritje në ditët tona e novatorizmit të dështuar enverist të politikave të pasurimit të teorisë M-L me eksperimentet e kooperativave të tipit të lartë. Shikojeni opozitën e mjerë edviniste të paszgjedhjeve të 28 qershorit. Edi Rama, tashmë përditë, nuk lë më qytet të Shqipërisë (pasi fshatrat i brodhi që nga Dialogu me Shqipërinë...) pa bredhur e pa folur për të llapur kundër Kryeministrit të votuar nga shumica e votuesve.

Opozitë pas shpine bën Edi Rama. Opozitë për opozitë, derisa nuk ka përballë Kryeministrin, por një turmë fanatikësh partiakë. Opozita e passhpines nuk është politikë, është pazari i thashethemeve edviniste.

Uzurpimi politik i PS nga Edi Rama - po sipas shpjegimit të Fjalorit të Gjuhës Shqipe - është edhe rrëmbimi i udhëheqjes dhe i të drejtave të të tjerëve. Mospranimi i frymës demokratike brenda Partisë Socialiste është uzurpim politik. Vetëm udhëheqësit diktatorialë të tipit enverist nuk mund të pranojnë analiza politike brenda partisë. Edi Rama e uzurpoi PS edhe duke spastruar gjithë ata që nuk pajtohen me politikën e ngritjes së gishtit për Udhëheqësin. Janë ata, që sot, gati të gjithë janë në kryesinë e PS dhe nguten të thonë “... Edi Rama nuk fajësohet për humbjen e zgjedhjeve...”, është një shprehje e zellit dhe e devotshmërisë politike të Lej Fenëve edvinistë. Krejt këta tipa politikanë të ngritjes së gishtit janë ushtarët e gardës së uzurpimit partiak. Uzurpimi politik i PS nga Edi Rama është trysnimi politik i çdo mendimi demokratik brenda kesaj partie. Veçse, si çdo trysni, sa më e madhe të jetë shtypja, edhe trysnimi politik i PS nga uzurpimi edvinist mund të shkaktojë - natyrshëm dhe detyrimisht - edhe shpërbërjen e vetë Partisë Socialiste. 

Historikisht - çdo uzurpim është i përkohshëm. Edhe Edi Rama, uzurpimi i tij politik i PS është në ditët e mbarimit. Kuptojeni, nga egërsimi i çdo logjike politike që Edi Rama oratoron në këto ditë të paszgjedhjeve të 28 qershorit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›