E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama “këshillohet” me Ezopin për dorëheqjen

Tashmë që humbja e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 28 qershorit u çertifikua përfundimisht nga KQZ dhe po pranohet ditë pas dite edhe nga disa prej figurave kryesore të saj, Rama po kërkon konsulencë tek Fabulat e Ezopit për të dhënë ose jo dorëheqjen, pasi librat politikë dhe eksperiencat e ndryshme të kohës së sotme, pse jo dhe statuti i PS-së nuk i japin atij asnjë shans për të vazhduar më tej me një dilemë të tillë. Ato përcaktojnë qartë dhe prerë, se Rama duhet të japi menjëherë dorëheqjen. Inkurajimi dhe thirrjet që po i bëjnë disa militantë të vendosur apo ndërtimorë të vrerosur nuk po i shërbejnë si duhet, pasi më shumë sesa për “fjalë të mira” e “trimërira”, ai ka nevojë për ndihmë konkrete. Por ata ç’kishin për të dhënë, secili sipas mundësive, nuk ia kanë kursyer partisë gjatë fushatës elektorale, duke filluar nga “dhia e vetme” e deri tek “vila e Dardhës”. Tani është momenti kur të gjithë votuesit e majtë, të blerë apo të bërë si të tillë, prisnin të kompensoheshin në masën e premtuar për mbështetjen e treguar. Por Rama humbi, dhe kuptohet, ata tashmë  s’mund të presin asgjë prej tij, përveçse dhënies ose jo të dorëheqjes. Në fund të fundit kjo nuk është çështje dëshire, por në PS, jo të gjithë janë përkrah ligjit dhe statutit, madje këta përbëjnë një grupim jo të vogël dhe mjaft kërcënues për reformimin e kësaj force të rëndësishme politike. I impresionuar nga këmbëngulja e kësaj kategorie votuesish apo përfituesish të majtë, Rama doli, këto ditë, në televizor e tha: “Nuk është momenti të jap dorëheqjen, ndaj nxitësit e kësaj alternative brenda PS-së nuk duhet të nxitohen”. Sidoqoftë, ai e kupton se zgjidhja nuk qëndron tek zvarritja në kohë por tek filozofia e shprehjes: “t’i biesh murit me kokë”. Rama thotë se, përkundër mesazhit të kësaj filozofie, mund ta rrëzojë me kokëfortësi “murin” e statutit të PS-së dhe të fitojë të drejtën e mosdhënies së dorëheqjes, duke luftuar si një “Don Kishot” i vërtetë. Megjithatë para se sa t’i futej kësaj aventure ai solli ndërmend të gjitha bëmat e tij para dhe pas elektorale, sidomos ato që kishin të bënin me marrëdhëniet e tij të bashkëpunimit me të tjerët, shumica e të cilave i kujtonin disa prej fabulave të Ezopit. 

Fabula e parë që iu kujtua titullohej: “Miu dhe bretkosa”, në të cilën thuhet: “Kur kafshët e pyllit jetonin në miqësi dhe mirëkuptim midis tyre, miu që ishte miqësuar me bretkosën, një ditë e ftoi për drekë. E çoi në shtëpinë e një të pasuri, ku kishte shumë ushqime dhe i tha: “Ha, o bretkosë”! Pasi hëngrën, bretkosa fton miun për drekë në shtëpinë e saj. “Që të mos lodhesh duke notuar, -i tha, -do të lidh këmbën tënde me këmbën time”. Pasi e lidhi, u zhyt në liqen. Sapo bretkosa arriti në fund të liqenit, miu gjysëm i mbytur i tha: “Ti o bretkosë, je bërë shkaktar për vdekjen time, por dije se hakun do ta marri ndonjë tjetër, më i fortë se unë…” Kur miu ngordhi, trupi i tij i pajetë, notonte mbi liqen. Një shqiponjë që fluturonte, e pa nga lart, u sul me vërtik dhe e rrëmbeu. Së bashku me miun ngriti dhe bretkosën, e cila ishte e lidhur tek këmba e tij. Me një fjalë u zhdukën që të dy…” E njëjta gjë kishte ndodhur edhe midis “kafshëve politike” të së majtës të bashkuara në koalicionin “Bashkimi për Ndryshim”. Duke iu referuar kësaj fabule; Gjinushi, Milo e Dule përfaqësonin “minjtë” e mbytur nga “bretkosa” Rama, kufomat politike të së cilëve, tani pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 28 qershoit kishin dalë mbi ujë “të mbytur” apo të humbur nga ky proces. Por ata e kanë të lidhur prej këmbe “bretkosën” Rama, e cila nga dita në ditë pritet të përfundojë i “zhdukur” nga skena politike, duke u ngitur në ajër nga “shqiponja” e zbatimit korrekt të parimeve demokratike dhe statutit të Partisë Socialiste. Përveçse e kanë të lidhur për këmbe, po e “nëmin” nga bota e përtejme që edhe ai të ketë “fatin” e tyre. Në një farë mënyre është fati që Rama e zgjodhi vetë qysh në fillim, duke mos e përfshirë veten në listën e kandidatëve për deputet të Partisë Socialiste. Kështu që, edhe sikur mos ta jap dorëheqjen, ai përsëri është i detyruar të luaj “domino” me Gjinushin dhe Milon, ndërkohë që deputetët e PS-së do të jenë në Parlament, së bashku me deputetët e forcave të tjera politike të mazhorancës. 

Kjo fabul e Ezopit e mërziti edhe më shumë, ndaj vendosi ta harroj në çast përmbajtjen e saj, duke shpresuar të kujtonte një tjetër, ndoshta për bashkëpunimin me shokët e tij kryesor në krye të PS-së, e cila mund ta qetësonte apo gëzonte disi. Madje, për momentin e vështirë në të cilin ndodhet, ky lloj bashkëpunimi është i rëndësishëm. Ndaj  filloi të kujtojë fabulën “Dhelpra dhe krokodili”, në të cilën thuhet: “Dhelpra dhe  krokodili, një ditë ranë në bisedë për fisnikërinë. Krokodili fliste me krenari dhe mburrej për fisnikërinë e të parëve të tij. Madje arriti të thoshte se ishte një strateg i vërtetë. Atëherë dhelpëra i tha: -S’ka nevojë ta thuash me zë të lartë, o mik, ti dukesh nga lëkura, që e ka të argasur nga stërvitjet e shumta”. Përmbajtja e kësaj fabule ishte edhe më demoralizuese se e para. Kujt do t’i thoshte ai, që s’ishte një “krokodil” i  vërtetë në marrëdhënie me “dhelprat” e kryesisë së PS-së; Blushit, Islamit apo Malajt? Për më tepër kur ata e njihnin me “rrënjë e dhëmballë”, si i thonë, qysh kur kishte ardhur në krye të PS-së, me mënyra jo dhe aq transparente konkurimi. Ai e di shumë mirë se ata nuk mund të mashtrohen më nga “fisnikëritë e të parëve” të Ramës. Ajo është fisnikëri e “idealeve komuniste e partizane”, më të cilin e kanë mëkuar atë babai dhe daja i tij, anëtar i Byrosë Politike të Partisë së Punës së Shqipërisë. Ata si besnikë dhe bashkëluftëtarë të Enver Hoxhës nuk mund të kishin koncept tjetër vlerësimi për bashkëpunëtorët, veç atij të përjashtimit, asgjësimit dhe keqpërdorimit, duke ofruar rreth vetes njerëzit, të cilëve ua kishin zënë gojën me privilegje dhe pafatësi. 

As përmbajtja e kësaj fabule nuk e kënaqi, përkundrazi e acaroi më shumë. “Më kanë mashtruar ata që më thanë të këshillohem me Ezopin për dorëheqjen”, tha më në fund. Por përsëri ndërroi mendje, për të parë edhe një tjetër fabul të këtij fabulisti të famshëm grek, i cili arriti që fatkeqësinë ta shndërrojë në fat, vetëm nëpërmjet fjalës së mençur. Ndërkohë që s’kishte asnjë argument tjetër për të kundërshtuar dorëheqjen nga posti i kreut të PS-së, Rama mendonte të gjente shpëtim tek fjala “prekëse”, “fisnike” apo “lakonike” për të bindur, kryesisht të vetët, lidhur me arsyet pse nuk duhej të jepte dorëheqjen. Përveç të tjerash ai duhej t’i bindëte ata edhe lidhur me “përgjegjësinë” e të djathtëve që nuk e kishin lënë atë të fitonte!? “Madje kjo është arsyeja kryesore pse unë humba”- mendoi ai. Ndaj filloi të kujtojë një fabul tjetër të Ezopit të titulluar “Njeriu dhe deti”. Kjo është “e treta e vërteta”, tha Rama. “Një njeri, që udhëtonte me një anije, nga pakujdesia ra në det. Pasi luftoi shumë me dallgët, arriti në breg, Atje, i këputur, siç ishte, e zuri gjumi. Kur u zgjua, filloi të shajë detin, i cili i gënjen njerëzit me qetësinë e tij, po kur hypi në anije, trazohet dhe rrezikon t’i mbytë me gjithë anijen. Dhe deti iu përgjigj: -Mos më shaj mua, o njeri, por erërat. Unë, nga natyra jam i qetë, si toka. Janë erërat ato, që përplasen mbi mua dhe më bëjnë të egërsohem”. Por përsëri nuk solli ndërmend atë fabul që mund t’ia rikthente disi buzëqeshjen e dikurshme të këngës “Çohu!”, përkundrazi e mërziti edhe më shumë. Tani s’kishte mbetur gjë tjetër veçse t’u hidhte thonjtë në grykë atyre që i rekomanduan Fabulat e Ezopit si mundësi këshillimi për të mos dhënë dorëheqjen. Ndaj u nis drejt e në zyrë, ku do të thërriste edhe përfaqësuesin e këtij grupimi të besuar që po i qëndronte afër këto ditë të vështira. Duke ngjitur shkallët e selisë së PS-së përballet me një nga figurat më të njohura të kësaj partie, i shquar edhe në fushën e letrave, i cili teksa e pa shumë të tronditur, e pyeti: “Ç’hall i madh të ka zënë, përveç humbjes së zgjedhjeve, se për këtë arsye njeriu nuk mund të bëjë si i çmendur?” Rama heshti pak dhe iu përgjigj: “Jo, nuk jam mërzitur për humbjen e zgjedhjeve, po për dhënien e dorëheqjes nga posti i kryetarit të PS-së(!) Disa nga shokët tanë më thanë se mund të gjeja shpëtim tek filozofia e fabulave të Ezopit, por tre prej tyre që solla ndër mend, s’më treguan asnjë rrugëzgjidhje. Përkundrazi më shtynin edhe më shumë drejt marrjes së një vendimi të tillë”. “Mirë do të ishte që të ishe këshilluar në fillim të fushatës me Ezopin, dhe jo tani në fund. Dhe nuk ishte e nevojshme që të kujtoje të gjithë fabulat e tij, se janë të shumëta, por vetëm atë që titullohet: “Oratori Dimadi.” “Oratori Dimad mbante fjalime para publikut Athinas. Kur konstatoi, se nuk e ndiqnin me interes, u kërkoi leje t’u thotë një fabul të Ezopit. Publiku e lejoi dhe në shesh ra qetësi e plotë. “Njëherë, perëndesha Demetra, një dallëndyshe dhe një ngjalë udhëtonin së bashku. Kur arritën pranë një lumi, dallëndyshja fluturoi, ndërsa ngjala u zhyt në ujë…” Dimadi kur arriti në këtë pikë, e ndërpreu rrëfimin. Dhe publiku i thirri me një zë: -Po Demetra? Demetra u mërzit me ju, që nënvleftësoni problemet e qytetit dhe përqëndroheni tek fabulat e Ezopit!”. “Ky më duket se ma nguli më shumë nga të gjithë”, tha Rama me vete dhe mori shkallët përpjetë për tek zyra e tij…

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›