Do të pastronte shtyllën nga shkurret, vdes elektricisti
ELBASAN - Një elektricist ka humbur jetën dje tragjikisht në fshatin Mirakë të komunës Polis në Elbasan. Petrit Kanani, 58 vjeç ka qenë duke punuar në një nga shtyllat e tensionit që kalojnë pranë kësaj zone për t'i pastruar ato nga shkurret, të cilat rrezikonin linjat e tensionit dhe ishin rrezik i madh për disa shtëpi pranë. Por sa ka nisur punën 58-vjeçari Kanani ka rënë në kontakt me rrymën elektrike dhe menjëherë ka gjetur vdekjen. Në vendngjarje ka shkuar policia e Librazhdit si dhe specialistë të KESH-it në Elbasan, të cilët kanë konfirmuar humbjen e jetës së elektricistit me eksperiencë në këtë profesion. Më pas, trupi pajetë është dërguar në spitalin e Librazhdit, ku është verifikuar dhe nga mjekët vdekja nga rryma elektrike. Ndërkohë, mësohet se policia e Librazhdit është duke hetuar në lidhje me këtë ngjarje, pasi elektricisti ishte duke punuar në një ditë pushimi për një problem, që fare thjesht mund të kryhej edhe në ditët e tjera. Gjithsesi, momentalisht nuk bëhet e ditur se i cilit ka qenë urdhri që ka detyruar 58-vjeçarin me detyrë elektricist të dalë në punë për të prerë shkurret, që ishin në afërsi të telave të tensionit të lartë. Hetimet do të nxjerrin dhe përfundimin e kësaj ngjarjeje të rëndë që i mori jetën elektricistit Kanani. Kjo ngjarje pason një tjetër të ndodhur në Bajzë të Shkodrës, ku një elektricist humbi jetën ndërsa po tentonte të rregullonte një defekt në linjën e tensionit të lartë. a.k