Zoti Rama, ju presin poshtë...!
Edvinit i është kthyer në makth ngjitja dhe zbritja e shkallëve të selisë. Tek dera nuk e presin vetëm rivalët, që mëtojnë t’i zënë vendin, të cilët po shtohen përditë, por edhe humbësit e listave, të cilët janë në pritje, për të marrë borxhet e pashlyera. PS është një parti që ka traditë me dëshmorët që bien tek dera e selisë, por Edvini po e zgjat shumë pritjen, pasi ka dijeni për historinë e kryetarëve social-komunistë që bien nga fiku
Në kushtet e formalizimit të përplasjeve dhe presioneve të vazhdueshme, për përgjegjësitë e humbjes së zgjedhjeve, në Partinë Socialiste, e konvertuar në një ngrehinë fiktive, pritet një rrokadë e vërtetë ndryshimesh, duke filluar nga dorëheqja e Edi Ramës. Atë që Rama po mundohet të shtyjë edhe për ca ditë, është përplasja e tij me kandidatët që aspirojnë për postin e tij në krye të PS-së. Dhe Rama e ka të qartë se rivalët janë te porta e selisë dhe presin, asgjë më shumë, sesa që Edi Rama të dalë nga zyra, të zbresë shkallët dhe të largohet, duke e lënë ngrehinën...
Ndërsa zëra brenda PS-së kanë nisur ta artikulojnë publikisht humbjen në zgjedhjet e 28 qershorit, madje kanë kërkuar edhe dorëheqjen e kryetarit të saj, për përdorim të kauzave të gabuara në fushatë dhe mungesa thelbësore e një programi elektoral dhe qeverisës, emrat konkretë të kandidatëve të mundshëm për kreun e kësaj partie nuk e kanë fshehur ambicien e tyre. E pas kësaj, Ben Blushi, Arben Malaj, që nuk do të vazhdojnë të rrinë te hyrja e godinës së PS-së, do të kenë një motiv më shumë që zhurmnajën e tyre për kreun e PS-ës, të fillojnë ta fusin në shinat e një procesi normal, sikurse ndodhi pas precedentit të dorëheqjes së Fatos Nanos, pararendësit të Edi Ramës. Biles këtë precedent, vetë Edi Rama e zyrtarizoi në statutin e partisë së tij dhe tashmë është më se e mirëpërcaktuar parashikimi i zhvillimeve brenda kampit rozë sa i takon kryesimit të saj në rast humbje të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.
Pas afro tre javësh vuajtjeje, mundimi, pagjumësie, sulmesh të ashpra Edi Rama po kupton qartë se nuk ka rrugë tjetër për të, veçse dorëheqja, duke u larguar përgjithmonë nga analet ditore të politikës. I mbetur vetëm përballë kësaj alternative, Edi Rama, thjesht dhe vetëm po mundohet të shtyjë edhe për ca ditë agoninë që e ka mbërthyer atë.
Por veç kandidatëve për kryetar të PS-së, Edi Ramën e presin poshtë zyrës, pikërisht te porta prej xhami e PS-së, edhe kandidatët humbës dhe fitues për deputetë. Kjo kategori kandidatësh e presin Edi Ramën që të marrin prej tij faturën e humbjeve financiare (pa TVSH), përkundër “investimit”, pa kriter që ata bënë përgjatë fushatës elektorale, përkundër premtimit për ardhjen në pushtet dhe rikuperim të këtyre dëmeve. Llogaritë që kanë filluar të bëhen pas përfundimit të zgjedhjeve, flasin për shifra në miliona euro që kandidatët e PS-ës, kanë hedhur për të blerë vota në Tiranë, Elbasan, Korçë, Shkodër, Fier, etj. Llogaritë “pa hanxhinë”, nxitën këta kandidatë që me shpresën në fitoren e PS-ës, pas garancive të Edi Ramës, të mos kursehen për derdhjen lumë të të hollave në valutë apo edhe në lekë.
Tashmë kur zgjedhjet kanë përfunduar, këta kandidatë humbës e fitues për deputetë të PS-ës, kuptojnë se buxheti i tyre ka shënuar humbje të mëdha, ndërsa po shohin se nuk kanë ardhur në pushtet, ndryshe nga ç’kishin shpresuar se këto “investime” do t’ju shihnin frytet pas fitores së hamendësuar, që nuk ju buzëqeshi në 28 qershor.
Të ndjerë të mashtruar dhe humbës të mëdhenj, këta kandidatë “investitorë” të humbjes së PS-ës, tashëm i kanë zënë pritën Edi ramë, te dera e selisë së partisë, jo për të marrë “rimbursimet” prej atij, por për ti kërkuar llogari për mashtrimin me fitore zgjedhjesh.
Kryetarët e partive aleate të PS-ës, që tashmë nuk do të mund të jenë deputetët, kanë zënë pritën te dera kryesore e godinës së PS-ës, me shpresën që Edi Rama, t’ju thotë ndonjë fjalë ngushëlluese të paktën. Në fakt, në fakt, ata nuk kanë nevojë për këtë. “Profesorët” Skënder Gjinushi apo Paskal Milo, që më në fund e kuptuan se si “ua futi” një “piktor”, kanë nevojë për më shumë. Ata duan të dinë çdo të bëhet, pasi t’u ndërpritet rroga e deputetit, apo edhe financimet për partitë e tyre, që tashmë janë ca parti joparlamentare. Në këtë kontekst, të paqartë edhe vetë “profesorët” por rreken të kontaktojnë me “piktorin”, për një garanci më shumë, që me sa duket, nuk ka për t’ju buzëqeshur.
Poshtë selisë së PS-së, prej ditësh janë në pritje të llogari kërkimit ndaj Edi Ramës edhe ata “biznesmenë” e “manjatë” mediash, që kishin shpresuar në një fitore të PS-ës dhe opozitës. Normalisht, ata nuk duhet të kenë ndonjë ndikim normal nga humbja apo fitorja e “x” apo “y” partie a koalicioni, por për “modelin” shqiptar këta “biznesmenë” që suksesin e tyre e kanë të lidhur vetëm me tenderat publikë të fituar nga Edi Rama, kishin shpresuar shumë në zgjerimin e “gjeografisë” së këtyre tenderave. Sikur të ishte vetëm çështje “shprese”, mund të gjejë diçka për ngushëllim, por për aq kohë sa kjo “shpresë” lidhet me “shpenzime” që këta biznesmenë kanë bërë për llogari të Ramës, çështja komplikohet dhe ata tashmë janë në pritje që Edi Rama, në mos ti kthejë këstet e “shpenzimeve” të tyre, të paktën t’ju kthejë shumën e shpenzuar. Asnjë nga këto nuk ka gjasa të ndodhë, ndaj këta “biznesmenë” të shndërruar në hiena, janë në pritje të Edi Ramës te porta e selisë së PS-ës, thjesht dhe vetëm për të shfryrë dufin ndaj mashtrimeve të tij.
Në pritje të Edi Ramës janë edhe ndoca “manjtë” mediash, të cilët i shndërruan gazetat e televizionet e tyre në tellallë që s;kishin lidhje me lajmin dhe gazetarinë, sepse kështu mendonin se i shërbenin Edi Ramës. Përpos asaj që këta lloj “manjatësh” kontribuuan në shkatërrimin e gazetarisë dhe të lajmit, sot ata kanë kuptuar se edhe mediat e tyre, gazojnë një “status financiar” që i ka zhytur në një gropë të zezë, pa fund dhe pa shpresë për të parë ndonjë rreze drite.
Të ndodhur në kufijtë e falimentimit, kjo “kategori” emrash të përveçëm “manjatësh” mediash, janë në pritje te porta e selisë së PS-ës, me shpresën se Edi Ramës mund t’i kenë ngelur nëpër xhepa ndoca thërrime të hollash që këta më pas të rikuperojnë dëmet e tyre financiare. Në të kundërt ata, me gjithë pritjen edhe për ca ditë te porta e selisë së PS-ës, rrezikojnë të ngelen si “qen pa zot”...
...