E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Duhet të përpunojmë me shpejtësi mekanizmat e hapjes dhe partneritetit me sektorin privat, në fushën e arsimit

Do të bëjmë çdo gjë që katër vitet që vijnë arsimi në Shqipëri të njohë ndryshimet më  të  mëdha në tërë historinë e vendit

Kryeministri Berisha mori pjesë  dje në  ceremoninë  e diplomimit të  160 studentëve të  parë  të  Universitetit “Aleksandër Moisiu”, nё  Durrës.

Ai tha se ndjente kënaqësi të veçantë që ishte i pranishëm në një ndër ditët më të bukura të jetës së tyre, siç është dita e diplomimit. Kryeministri Berisha, duke përgëzuar gjithashtu stafin akademik, shprehu kënaqësinë që universiteti ``Aleksandër Moisiu``, ndonëse një institucion i ri, ka krijuar një profil të qartë dhe të mirë-orientuar drejt tregut. Kryeministri Berisha garantoi se qeveria do tё mbështesë Universitetin e Durrësit dhe të gjitha universitetet e vendit, për të zgjeruar me shpejtësi kapacitetet e tyre, për degë të reja, laboratore e mjedise e kampuse tё reja. Për zhvillimin dhe fuqizim e mëtejshëm të sistemit arsimor, Kryeministri Berisha kërkoi një angazhim më të madh të sektorit privat. Kryeministri ftoi qarqet akademike të angazhohen në gjetjen e mekanizmave për rritjen e partneritetit me sektorin privat.

``Ata, të cilët diplomohen sot për ekonomi, e kanë të qartë se sa më shumë të  zhvillohet vendit, aq më i fuqishëm dhe më gjigand të bëhet sektori privat, aq më i vogël dhe liliput bëhet sektori publik në raport me të. Ky sektor qarkullon në një orë të  gjitha fondet që qarkullojnë të gjitha qeveritë të marra së bashku, në një vit. Ndaj dhe ne duhet me shpejtësi të përpunojmë mekanizmat e hapjes dhe partneritetit me sektorin privat,`` u shpreh Kryeministri.

Universiteti “Aleksandër Moisiu” u themelua në  vitin 2005 dhe ka 4 fakultete me 22 degë  studimore, 3600 studentë  dhe një  staf akademik prej 180 pedagogësh.

Fjala e plotë

Është një nder i veçantë për mua, por edhe një kënaqësi shumë e madhe të  përshëndes sot diplomantët e universitetit më të ri të  vendit, por njëherazi edhe të qytetit më  të  lashtë  të  vendit, t`i uroj nga zemra për suksesin e arritur. Jam shumë i nderuar që  ndaj me ju gëzimin e kësaj dite. Dita e diplomës është  ndër ditët më  të mëdha dhe të  shënuara në  historinë  e njeriut. Me këtë  rast, uroj që  dijet që  morët në  këtë  universitet t`i zgjeroni gjithnjë  e më  shumë dhe të shërbejnë si një bazë e fuqishme drejt horizonteve të  reja, doktoratura dhe kualifikimeve të  tjera.

Dua të  përgëzoj përzemërsisht familjet tuaja, të cilat janë sot, këtu, në  një ditë krenarie të  madhe. Zhan Zhak Ruso thotë se dhurata më  e çmuar që  një  familje mund t`i bëjë  fëmijës së  tij është  arsimi. Prindërit dhe familjarët tuaj ju kanë bërë juve sot dhuratën më  të  madhe e të  çmuar për gjithë  jetën tuaj.

Një  falënderim, respekt e nderim të  veçantë  dua të  shpreh për rektorin dhe pedagogët e këtij universiteti, të cilët  tre vjet më parë, themeluan këtu, në Durrës, universitetin më  të  ri të  vendit, por që  me përkushtim të  madh, pasion të veçantë, njohuri të  mëdha, ia dolën të  ndërtojnë në Durrës universitetin më  fleksibël të  vendit, universitetin ndoshta dhe më mirë të orientuar. Në një hark kohor të shkurtër universiteti juaj ka një diversitetet të  një moshe shumë  më  të gjatë  se trevjeçare. Ai numëron mbi 22 degë dhe profile, 4 fakultete, akademi profesionale, ka një përpjekje të  madhe dhe serioze për t`u përshtatur me shpejtësi me kushtet e një  vendi që  ndryshon për t`i prirë  dhe këtij ndryshimi.

Sot, universiteti juaj ka rreth 3600 studentë . Zoti rektor, objektivi ynë  në  katër vite do të  jetë  që  universiteti të  ketë  10 mijë  studentë. Ne nuk duhet të  ndalim përpjekjen tonë  që çdo i ri që mbaron shkollën e mesme të  ketë  të drejtë  e ta ndihmojmë  të  ulet në  bankat e universiteteve tona. Katër vite më parë, ne e nisëm me 12 studentë për 1000 banorë, sot jemi 30 studentë për 1000 banorë. Dëshira dhe vullneti im është  të arrijmë  në 40 studentë që është mesatarja europiane, por edhe ta tejkalojmë  atë në  50 studentë për 1000 banorë, pasi ne jemi kombi më  i ri i Europës.

Unë  ju siguroj se në  këtë vend, me probleme jo të pakta, me nevoja të jashtëzakonshme për investime, investimi i të  gjitha investimeve mbetet investimi tek ju, të  rinjtë shqiptarë. Ndaj unë  zotohem këtu se qeveria ime do të mbështesë universitetin e Durrësit dhe të gjitha universitetet e vendit, për të zgjeruar me shpejtësi kapacitetet e tyre, për laboratore, mjedise dhe kampuse të  reja, për degë të reja. Rektori më informoi se është i gatshëm të  shqyrtojë hapjen e fakulteteve të  reja. Për këtë nuk ekziston asnjë pengesë serioze, përkundrazi, e tërë baza është reale për një  fakultet mjekësie në Durrёs dhe nevojat për mjekë janë të mëdha. Asgjë nuk pengon universitetin ``Aleksandër Moisiu`` të ketë  fakultetin e IT-së. Mosha dixhitale është një nga përparësitë më madhore. Tërë  frymëzimin tim për të sjellë Shqipërinë në moshën dixhitale, unë  e gjej tek mosha juaj. Ju jeni mosha biologjike dixhitale. Shqipëria duhet të ketë moshën teknologjike dixhitake dhe unë  jam i bindur se do ta realizojmë atë. Drejtuesit e universitetit tuaj kanë  marrë  angazhim për të  hapur një  filial në Peshkopi dhe për këtë i përgëzoj e i siguroj se qeveria do t`i ndihmojë  ata për të hapur fakultete edhe në  këtë  qytet. Nuk mund të bëjmë gjë më të madhe, sesa të krijojmë kushte për shkollimin e fëmijëve tanë.

Është jashtëzakonisht e rëndësishme që arsimi ynë të përshtatë ofertën e tij me kërkesën e tregut. Këtu qëndron edhe një nga sfidat tona të mëdha. Universiteti i Durrësit është në pararojë dhe në këto tre vjet, ka dëshmuar se është pikërisht ky kufi që synon ta arrijë më shpjet. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që universitetet të përshtaten me kërkesat e tregut. Unë ju garantoj se qeveria do të bëjë çdo gjë për krijimin jo të  dhjetëra mijërave, por të mbi 160 mijë vendeve pune në vend dhe Durrësi do të  jetë  një nga gjeneratorët kryesorë të punësimit në vend. Nevojat janë të mëdha e të jashtëzakonshme, ndaj të ecim duke u përshtatur me këto nevoja.

Arsimi, edukimi është  problemi më  serioz i çdo vendi dhe kombi. Të  tillë  e ka marrë  dhe e merr qeveria ime këtë fushë. Ne jemi zotuar se do të rrisim me 6 për qind të  Prodhimit të Brendshëm buxhetin për arsimin, së bashku me sektorin privat. Ju garantoj se do ta tejkalojmë  këtë  përqindje. Por këtu duhet një  bashkëpunim i ngushtë  midis qeverisë dhe qarqeve akademike të vendit, është detyra juaj dhe e të gjitha qarqeve akademike të  gjejnë e të përpunojnë të gjitha mekanizmat për t`u hapur drejt sektorit privat. Ata të  cilët diplomohen sot për ekonomi, e kanë të qartë se sa më shumë tё  zhvillohet vendit, aq më i fuqishëm dhe më  gjigand të bëhet sektori privat, aq më i vogël dhe liliput bëhet sektori publik në raport me të. Ky sektor qarkullon në një orë të  gjitha fondet që qarkullojnë të gjitha qeveritë të marrë sё bashku, në një vit. Ndaj dhe ne duhet me shpejtësi të përpunojmë mekanizmat e hapjes dhe partneritetit me sektorin privat. Rektori juaj ka studiuar në një vend që udhëheq botën, para së  gjithash dhe mbi të gjitha, me suksesin që ka në  arsimin e lartë  dhe një  nga arritjet më  të  rëndësishme të arsimit të lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është se edhe arsimi publik ka një  prurje të madhe nga sektori privat. Në tërësi, në  këtë vend mbi 60 për qind e buxhetit vjen nga sektori privat. Ne jemi të angazhuar të favorizojmë universitetet private, të  cilat nuk duhet në asnjë mënyrë të shihen me sy skeptik dhe mosbesim, përkundrazi në një garë të fuqishme së bashku me universitetet publike, ata të ndihmojnë  njëri-tjetrin në  një  performancë  gjithnjë  e në  rritje.

Të  dashur studente dhe studentë,

Edhe një herë ju uroj në këtë ditë të shënuar të jetës suaj. Ju uroj suksese dhe zotohem se do të bëjmë çdo gjë që katër vitet që vijnë arsimi në Shqipëri të njohё ndryshimet më  të  mëdha në tërë historinë e vendit. Urime dhe suksese.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›