Hamasi pranon armëpushimin

Hapet një shpresë për paqe në Rripin e Gazës. Hamasi iu ka dorëzuar ndërmjetësuesve egjiptianë përgjigjjen për planin e paqes. Lëvizja integraliste ka pranuar propozimin egjiptian për armëpushim, pas tre ditësh konsultimësh në Kajro, mes Hamasit dhe shefit të shërbimeve sekrete egjiptiane, Omar Suleiman. Zyrtarët egjiptianë do të njoftojnë të enjten palën izraelite mbi vendimin e Hamasit. Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Mun ka bërë thirrje sërish për një armëpushim të menjëhershëm mes Izraelit dhe militantëve të Hamasit në Rripin e Gazës, pas ofensivës 19 ditore të izraelitëve. E vetmja shpresë për një marrëveshje paqeje varet nga ndërmjetësimi egjiptian dhe turk, mes shtetit hebre dhe drejtuesve të Rripit të Gazës. "Unë i kam nxitur fuqishëm të dyja palët për ndalimin e luftimeve. Tashmë nuk ka më kohë për të humbur. Ne duhet të diskutojmë dhe të përgatisim termat mbi iniciativat e qeverisë egjiptiane për të arritur paqen mes palëve", deklaroi Ban Ki Mun në një konferencë për shtyp me ministrin egjiptian të Punëve të Jashtme Ahmed Abul Geit. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, i cili është në filllim të turit në Lindjen e Mesme për mbarimin e ofensivës izraelite, është shprehur se shpreson që përpjekjet egjiptiane për paqe, të jepnin frytet e saj së shpejti. Forcat izraelite kanë vrarë rreth 1000 palestinezë dhe plagosur mbi 4 mijë e 500 të tjerë në ofensivën e tyre në Gaza. Izraeli ka njoftuar se nga ana e tyre janë vrarë 10 ushtarë dhe tre civilë, që janë goditur nga raketat e Hamasit. Ministri i Jashtëm egjiptian Geit, tha se sulmet në Gaza ishin një skandal. "Zoti Sekretar i Përgjithshëm, izraelitët po përdorin shumë lloje armësh, saqë palestinezët nuk kanë me çfarë t'iu përgjigjen. Kështu që ata duhet të ndalen", tha Geit, duke iu drejtuar Ban Ki Munit. Shefi i OKB-së, që në vijim të turit të tij do të vizitojë edhe Izraelin, Jordaninë dhe Sirinë, theksoi se e kishte të vështirë të vizitonte Rripin e Gazës, për shkak të situatës së rrezikshme atje.