E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hamburgu, 15 mln euro për Canën

Autori i Lajmit: red.
Hamburgu interesohet seriozisht për shërbimet e Lorik Canës, kapitenit të Olimpikut të Marsejës dhe një prej titullarëve të padiskutueshëm të trajnerit të skuadrës franceze, Erik Gerets. Faqja franceze foot1.com, që nga ana e saj u referohet mediave gjermane, flet për një ofertë prej 15 milionë eurosh për të blerë kartonin e mesfushorit shqiptar. Të njëjtën shumë për kapitenin emblematik shqiptar referojnë edhe faqe të afërta me Marsejën, si omplanete.com. Klubi gjerman, fitues i Ligës së Kampioneve në vitin 1983, e ka të domosdoshme një futbollist me cilësitë e Lorik Canës, pasi është duke humbur mesfushorin shkatërrues Nigel de Jong. Holandezi është në ikje e sipër te Mançester Siti, dhe menaxherët e ish-klubit të Besart Berishës kanë hedhur sytë nga Loriku për të kompensuar largimin e De Jong. Lojtari holandez është i njohur për ndërhyrjen e rëndë ndaj Altin Lalës në ndeshjen ndërkombëtare Holandë-Shqipëri (2-1) në tetor të vitit 2006. Gjithsesi, sipas foot1.com, vështirë që Olimpiku i Marsejës të pranojë ofertën dhe të largojë nga skuadra një nga lojtarët e tij më të adhuruar nga tifozeria marsejeze. Lorik Cana është në rikuperim e sipër dhe besohet se këtë fundjavë do të jetë në formacionin e hedhur nga Erik Gerets për ndeshjen kundër Soshosë në transfertë (1 shkurt 2009). Marseja fitoi me Lë Havrë (2-0) dhe pas javës së 21-të ndodhet në vendin e tretë me 38 pikë, katër më pak se Lioni kryesues (42 pikë) dhe tri më pak se Bordoja e vendit të dytë me 31 pikë.
Ky lajm është publikuar: 21/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›