E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhdukja e Remzi Hoxhës, dëshmia e Bashës kundër Kumbaros

Autori i Lajmit: red.
Ish-funksionarë të SHIK-ut dëshmojnë në Gjykatën e Krimeve të Rënda për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës. Dëshmitari i pare, Alfred Duka, ka treguar se e kishte njohur rastësisht Ziso Kristopulin në një dyqan që ishte i tiji. Dëshmitari i akuzës ka pohuar në sallën e gjyqit se e njihte edhe Arben Sefgjnin, por nuk mbante mend që t i kishte ardhur në bazën e SHIK-ut në Sarandë.
Dëshmitari ka shpjeguar se mbante mend që në qytet kishte ardhur një gazetar austriak, i cili quhej Armand Ditermense. Sipas dëshmitarit, gazetari filloi që të lëvizte dhe të qarkullonte me makinat e policisë, si dhe të hynte pa problem në komisariatin e policisë Sarandë.
Dëshmia
“Kam dërguar një oficerin tim që ta sillte në bazë. Fillimisht refuzoi, pastaj është paraqitur. Meqenëse nuk dinte shqip, kam marrë edhe një përkthyese. Më ka thënë që ka qenë gazetar 2-3 vjet në Bosnjë. Më tregoi disa plagë që kishte në trup, dokumentet. Në fund më tha se ishte me pushime, të cilat ia kishte bërë dhuratë redaksia ku ai punonte. Për hyrjet e tij në komisariat më ka sqaruar se kishte lidhje me profesionin e tij”, - ka pohuar dje dëshmitari Aflred Duka, ish-funksionar i SHIK-ut. Sipas dëshmisë së tij mësohet se kishte dëgjuar nga dy persona se gazetari i kishte mashtruar, pasi u kishte marrë 20 marka për t u sjellë një laborator fotografik. Në gjykatë ka dëshmuar dhe Alibal Basha. Sipas dëshmisë së tij, mësohet se shefi i tij, Ilir Kumbaro, i kishte kthyer mbrapsht duke i vënë në dijeni për një shoqërim, ku ai së bashku me kolegun Skënder Shahu duhet të asistonin. Dëshmitari tregoi se letrat ia ka dorëzuar shefit të tij, ndërsa ato i kishte lexuar. Burime nga gjykata bëjnë të ditur se dhe në seancën e ardhshme procesi pritet të vijojë me dëshmitarë të tjerë të akuzës. Për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, afro 14 vjet më parë në Tiranë, Prokuroria e Krimeve të Rënda akuzon katër ish-punonjës të SHIK-ut, konkretisht: Arben Sefgjinin, Ilir Kumbaron, Budjon Meçen dhe Avni Koldashin.
Zhdukja e Hoxhës
Dosja e vjetër e zhdukjes së biznesmenit maqedonas Remzi Hoxha, që daton në vitin 1995 është rihapur nga Prokuroria. Ndërsa tashmë janë sërish nën hetim dhe krerë të SHISH-it, si të dyshuar në zhdukjen e mistershme të këtij biznesmeni. Deri tani janë katër ish-punonjës të SHIK-ut, të cilët dyshohen si të implikuar në zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha në vitin 95. Të pandehur për këtë çështje janë Arben Sefgjini, Avni Koldashi, Budjon Meçe dhe Ilir Kumbaro. Budjon Meçe ndodhet në spital, për shkak të një sëmundjeje, ndërsa Ilir Kumbaro është në kërkim ndërkombëtar. Në 4 maj Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi në mungesë masën e sigurisë “arrest shtëpie” për të pandehurit Arben Sefgjini, Budjon Meçe dhe Avni Koldashi, të cilët dyshohet se janë implikuar në zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha. Katër ditë pas kësaj Gjykata e Krimeve të Rënda i komunikoi Arben Sefgjinit dhe Avni Koldashit këtë masë sigurie, ndërsa mungonte sërish Budjon Meçe. Arben Sefgjini, aktualisht drejtor i Tatimeve, e cilësoi të padrejtë vendimin e prokurorit, pasi, sipas tij, “pretendimet e tij (prokurorit) janë të pavërteta”.

Të akuzuarit
Arben Sefgjini, aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe janë të pandehurit e këtij procesi. Sipas kërkesës për gjykim, katër të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në muajin shtator-tetor 1995 kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK-ut, në vendin e quajtur Vain të rrethit Lezhë. Aty "pengjet" janë torturuar për disa ditë.
Për shkak të torturave ka gjetur vdekjen biznesmeni kosovar Remzi Hoxha, trupi i të cilit ende nuk është gjetur. Sipas akuzës, Remzi Hoxha është rrëmbyer mesditën e datës 21 tetor të vitit 1995, në afërsi të firmës së tij të quajtur "Albatros", e cila prodhonte konstruksione duralumini. Zhdukja e tij është denoncuar publikisht edhe nga familja e Hoxhës. Ata kanë akuzuar si autor të rrëmbimit të të dashurit të tyre edhe ish-kreun e SHISH, Bashkim Gazidede.

Ky lajm është publikuar: 21/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›