Hamdi Haklaj: Akuzat të m’i gjykojnë suedezët
TIRANE- Hamdi Haklaj, i vetmi djalë i Muharrem Haklajt që ka mundur t'u mbijetojë sulmeve dhe atentateve dhe jeton në statusin e azilantit politik, kërkon nga Drejtësia shqiptare transferimin drejt Suedisë të dosjeve me akuzat e rënda që i "peshojnë" mbi supe. Duke iu referuar konventës së Këshillit të Europës, "Për transferimin e procedimeve në çështjet penale", avokati Asaf Hadëraj, në memon që do të dorëzojë në Gjykatë, argumenton se, "procedimet penale ndaj Hamdi Haklajt, të cilat pritet të gjykohen në Gjykatën e rrethit gjyqësor Tiranë, duhet të tërhiqen nga organi i Prokurorisë që i përfaqëson dhe t'i dërgohen, në konformitet me kërkesat ligjore, Ministrisë së Drejtësisë së Mbretërisë së Suedisë". "Në të kundër-tën, - argumenton Hadëraj, - jemi para shkeljeve ligjore". Në vazhdën e argumenteve, avokati Hadëraj e vë në dijeni Gjykatën se, në vitin 2008, një tjetër dosje ndaj Hamdi Haklajt është transferuar drejt Suedisë. Me vendimin nr.988, datë 07.07.2008, Gjykata e Tiranës vendosi t'ia kalojë Pro-kurorisë së Tropojës, aktet e dosjes penale ndaj Hamdi Haklajt, i cili akuzohej për vrasjen e Ramë Hoxhës dhe mbesës së këtij të fundit, Fatmira. I shumëkërkuari i Drejtësisë shqiptare dyshohet si autor i vrasjes së Halil Hoxhës, në shkurt të vitit 1998, në qendër të Bajram Currit. Sipas Prokurorisë, ngjarja ka si motiv hakmarrjen mes dy fiseve mjaft të përfolura në Tropojë, që prodhuan dhjetëra viktima. Akuza tjetër e rëndë ndaj Haklajt është ajo e vrasjes së dy vëllezërve, Besim e Guxim Demaj, nga fshati Shipshan i Tropojës, në 7 gusht të vitit 1993, në malin e Shkëlzenit. |I shumëkërkuari i Drejtësisë u arrestua më 12 mars 2007, në Goteborg të Suedisë, pas më shumë se dhjetë vitesh në kërkim. Pas disa muajsh qëndrimi në qeli, ai rifitoi lirinë dhe më vonë fitoi statusin e azilantit politik. Si azilantë politikë në Suedi jetojnë edhe pjesa tjetër e familjes Haklaj. (s.g/BalkanWeb)