E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjaket derbi, Tafaj: “Është një turp”

Katër kartonë të kuq, tre gola, penallti, sherre e grushte midis lojtarëve, konfrontim midis tifozëve në fushë, ndërhyrje fortë e policisë për të vënë rregull, e më në fund fitore 2-1 e Dinamos, në një pjesë të dytë që zgjati gati 60 minuta, e me blutë (45 pikë) që kryesojnë me 15 më shumë se Besa e vendit të dytë (30, një ndeshje më pak) dhe 16 pikë më shumë se Tirana e vendit të tretë (29). Kjo ishte panorama e ndeshjes kyçe të Kampionatit të 71-të Kombëtar shqiptar të futbollit, Tirana-Dinamo, e ndjekur “live” në tribunën “VIP të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, thuajse i gjithë stafi i Federatës Shqiptare të Futbollit, përfshirë dhe trajnerin e Kombëtares, Josip Kuzhe. Alban Tafaj, trajneri i dytë sezonal i Tiranës, i cili pësoi humbjen e dytë personale në përballjen me Dinamon, foli i revoltuar pas ndeshjes: “Ky ishte një përdhunim i futbollit. Ky është një turp shumë i madh, pasi Dinamo po favorizohet shumë hapur. Ata nuk meritojnë të shpallen kampionë”.
Të njëjtat tone mbajti edhe presidenti i Tiranës, Refik Halili, i cili bëri të mundur zhvillimin në dritën e projektorëve, pasi bosi bardheblu i dhuroi stadiumit transformatorin, pas atij që u dogj në Gramozi-Real Madrid. “Sot mori fund futbolli. Federatë është e korruptuar. Do t’i çoj në prokurori që të nisin hetimet për këtë ndeshje”, - tha Halili, donatori që financon prej gjashtë vitesh klubin financiar më të pasur në Shqipëri.

NDESHJA
Derbi Tirana-Dinamo, një ndeshje e luajtur në ndriçimin e projektorëve (kësaj herë nuk iku energjia si në ndeshjen Gramozi-Real Madrid), e nisur në mënyrë festive (tifozeri shumë entuziaste), por e përfunduar në mënyrën më të shëmtuar, nga lojtarët dhe stafet e dyja skuadrave, që së bashku kanë fituar jo pak, por 39 nga 70 kampionatet e përfunduara, për më tepër që luante kampionia në fuqi, Tirana, me skuadrën që e ka prekur me një dorë titullin, Dinamo. Ndeshja e dha sinjalin e parë të tensionit në minutën e 7-të kur mbrojtësi i Tiranës dhe i Kombëtares U-21, lezhjani 20-vjeçar Ditmar Bici, u ndëshkua me karton të kuq e duke lënë bardhlutë me 10 lojtarë për pjesën tjetër të ndeshjes. Dukej se u përsërit e njëjta skenë si e takimit të fazës së parë, kur dhe në atë takim të humbur nga Tirana, po 2-1 (java 7), pikërisht në debutimin në bankinë të trajnerit Alban Tafaj, u ndëshkua me karton të kuq, sulmuesi bardheblu Migen Memelli, i rikthuer pas një dëmtimi disamujor.

Tirana ia del të rivendosë ekuilibrat në fushën e lojës edhe pse me një lojtar më pak, dhe në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, anësori Gjergji Muzaka fitoi një penallti, duke e shndërruar po vetë në gol, e duke mbyllur çuar bashkëlojtarët e tij në dhomat e zhveshjes në avantazh. Fraksioni i dytë është një thriller i vërtetë, për nga interpretimi i lojës dhe incidenteve të ndodhura. Julian Ahmataj i Tirnanës në minutën e 60-të i kishte të gjitha mundësitë të shënonte golin e dytë për skuadrën e tij, përpara se portieri i 24-herë kampionëve të Shqipërisë, 38-vjeçari Blendi Nallbani, të frenonte në mënyrë të parregullt jashtë zone një lojtar të Dinamo. Gjyqtari Bardhyl Pashaj ndëshkoi më karton të kuq lojtarin më të moshuar të Tiranës, duke i lënë bardheblutë edhe me një lojtar më pak: 9 lojtarë të kampionëve në fuqi, kundrejt 11 të Dinamos. Një ndeshje tërësisht e barabartë përsa i përket numrave të lojtarëve, por historia nis e bëhet më tragjike. Trajneri Alban Tafaj bëri një ndërrim të detyruar, teksa në vend të autorit të golit, Gjergji Muzakës, fut në fushë portierin e dytë Pece Korunovskin. Elis Bakaj ekzekutoi mjeshtërisht goditjen e lirë dhe argjentinasi Lukas Malarkane me një gjuajtje të zgjuar mposhti portierin maqedonas të Tiranës, në minutën e 67-të. Dinamo rifitoi qetësinë dhe tri minuta përpara përfundimit të takimit Elis Bakaj shënoi golin e dytë të bluve që vulosi edhe fitoren, që provokoi direkt edhe sherrin më të madh që ka njohur ndonjëherë “Qemal Stafa”, ndoshta në orët e fundit të këtij stadiumi me emrin e heroit komunist të vrarë, 67 vjet më parë, më 5 maj 1942. Gjithçka më pas nuk është futbolli, por një turp për dy skaudrat e elitës shqiptare të futbollit dhe në mes të kryeqytetit shqiptar, jo në ndonjë fushë të kategorisë së dytë. Gjithsesi, pas dhjetë minutash shtesë në fraksionin e dytë (në Vlorë shtesa e pjesës së parë në Flamurtari-Besa zgjati plot 15 minuta), Dinamo doli fituese me meritë e takimit, duke zgjatur diferencën me ndjekëset e saj më të afërt, Besën e Tiranën, respektivisht me 15 dhe 16 pikë, por kavajasit kanë një ndeshje më pak, pasi të mërkurën do të luajnë kundër Skënderbeut në Korçë, ndeshjen e prapambetur të javës së 16-të. “Ishte një derbi me emocion, nga ana teknike fitore e rëndësishme. Dinamo është ekipi më i mirë i kampionatit, ka më shumë pikë dhe ka zhvilluar ndeshje më të mira”, - tha pas ndeshjes, trajneri i Dinamos, Shkëlqim Muça, i cili me sa duket është në fitimin e titullit të katërt si trajner, teksa tre të parët i ka fituar si trajner i Tiranës, kundërshtarit ndaj të cilit triumfoi për herë të dytë këtë sezon.

Sherri
Kapiteni i Tiranës, Devi Muka, goditi me shkelm e më pas me grusht sulmuesi e Dinamos, Elis Bakajn, menjëherë sapo lojtari më i mirë shqiptar i vitit 2009 shënoi golin e fitores për kryesuesit e kampionatit dhe të 11-in sezonal. Bakaj doli nga fusha i gjakosur dhe i fashuar. Tifozët e të dyja skuadrave hynë në fushë, ndërkohë që në tapetin e “Qemal Stafës”, policia ndërhyri për të rivendosur rregullin. Ndeshja rinisi pas disa minutash ndërprerje dhe Tirana pati një mundësi të artë në minutën e 6-të shtesë, por portieri Kotori reagoi në mënyrë të shkëlqyer duke shmangur pësimin e golit të dytë.

8 kartonë
të kuq u dhanë gjatë javës së 18-të Kategorisë Superiore. Rekord sezonal. Tirana u ndëshkua me tre të tillë, Dinamo 1, Besa 1, Flamurtari 1, Shkumbini 1 dhe Vllaznia po 1.

Kuzhe
Trajneri i Kombëtarës shqiptare, Josip Kuzhe, ishte i pranishëm në “Qemal Stafa” për të ndjekur derbin, por në përfundim të tij shprehja e fytyrës së kroatit linte për të dëshiruar.

Topi
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ishte sërish i pranishëm në impiantin ndëkombëtar, por njëshi i shtetit shqiptar ndoqi vetëm pjesën e parë dhe nuk ka skenat e shëmtuara.

Kategoria Superiore
Java 18

24.01.2010

Flamurtari-Besa 1-0
Shënues: Ardit Shehaj 13’

Laçi-Teuta 0-0

Gramozi-Apolonia 1-0
Shënues: Klodian Semina 41’

Skënderbeu-Kastrioti 0-1
Shënues: Oriand Abazaj 38’

23.01.2010

Shkumbini-Vllaznia 2-1
Shënues: Fejzo Shënaj 34’ , Altin Grbovic 66’ / Ndriçim Shtubina 56’

25.01.2010
Tirana-Dinamo 1-2

Shënues Gjergji Muzaka 45’+1 (p)/ Lucas Malarcane (67’), Elis Bakaj (87’).

RENDITJA
1 Dinamo 18 45
2 Besa 17 30
3 Tirana 18 29
4 Teuta 18 26
5 Apolonia 18 25
6 Shkumbini 18 24
7 Laçi 18 22
8 Kastrioti 18 22
9 Vllaznia 18 19
10 Flamurtari 18 18
11 Gramozi 18 18
12 Skënderbeu 17 15

Bizhdili: “Dua pikët në tavolinë,
ndryshe nuk shkojmë në Korçë”

Presidenti i Besës pohoi se takimi me Flamurtarii i ngjau një ndeshje regbie

Presidenti i skuadrës së Besës, Nexhat Bizhdili, ka paralajmëruar zyrtarët e FSHF-së se nëse Komisioni i Disiplinës nuk mblidhet sot për të vendosur për incidentin në takimin Flamurtari-Besa ( 1-0), ai nuk do të pranojë që ekipi i tij të luajë kundër Skënderbeut nesër në ndeshjen e prapambetur. Drejtuesi i lartë i klubit kavajas, i cili ndodhej dje paradite në FSHF, ka theksuar edhe njëherë se Besa me meriton pikët në tavolinë, pasi sipas tij u shkelën të gjitha rregullat dhe se veprimi i kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika, që është njëherazi edhe presidenti i klubit të Flamurtarit kaloi çdo limit. Në një prononcim për mediat dje në zyrat e FSHF-së, Bizhdili akuzoi drejtuesit vlonjat se ajo që ata bënë ishte edhe një “shoë” për qëllime elektorale
Trajneri i Flamurtarit nuk ka dashur të komentojë deklaratat e përfaqësuesve të Besës por është përqendruar më së shumti te punët e ekipit të tij. “Mua si trajner më intereson më shumë në këto momente gjendja e lojtarëve të mi dhe padyshim fitorja na shërbeu më tepër për të qenë më optimist për të ardhmen. Ndërsa sa për rregullsinë e lojës ka të tjera struktura që përgjigjen. Por nuk duhet të lë pa përmendur dhe ekipin e Besës, i cili qëndron në majat e futbollit. Unë e kisha parashikuar që ndeshja do të ishte e vështirë me kavajasit dhe padyshim kur dy ekipe të forta përballen me njëra-tjetrën normale që do të ketë një lojë e fortë dhe me kontestime. Nuk dua të komentoj deklarata. Për mua Besa është një pretendent i fuqishëm në Kategorinë Superiore”, ka pohuar Magani. “E përsëris edhe një herë lojtarët kanë ditur të luajnë përballë një Bese e cila radhitet ndër ekipet më të mira të kampionatit shqiptar, kështu që them se të dyja ekipet kanë luajtur mirë por skuadra ime shfrytëzoi më mirë raste dhe fitoi. Ndryshe nga ndeshjet e fazës së parë mendoj se Flamurtari e ka nisur mbarë vitin 2010 si me rezultat po ashtu edhe me lojë. Mendoj se ky tre pikësh është shumë i favorshëm për të vetmen arsyeje sepse na bën që të qëndrojmë me këmbë në tokë. Të gjitha ndeshjet për ne duhet të konsiderohen si finale pasi nuk ka më kohë të bëjmë të tjera llogari”, ka thënë trajneri i skuadrës vlonjate.

Superliga “luhet” me kryebashkiakë

Kryetarët e bashkive të qyteteve, të cilët janë njëherësh edhe presidentë të klubeve të qyteteve të tyre, për shkas se financojnë skuadrat janë shndërruar në protagonistë në javën e 18-të të Superligës në forma dhe mënyra të ndryshme. Trajneri i Besës, Shpëtim Duro, deklaroi se vendimin e gjyqtarit kryesor, Remzi Sadiku, për mosdhënien e penalltisë në favor të Besës në ndeshjen kundër Flamurtarit (vlonjatët fituan 1-0, java 18) ndikoi drejtpërdrejt edhe presioni që i është bërë nga ana e shefit të klubit vlonjat, Geri Çipi, dhe nga ana e Kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika: “Na është akorduar një 11-metërsh më se i rregull dhe është anuluar nga ana e gjyqtarit. Kemi pasur një ide për të mos vazhduar më pjesën e dytë të ndeshjes, por ne nuk jemi rrugeçër në sjelljet tona dhe pas bisedës me presidentin Bizhdili vendimin që të rikthehemi në fushën e lojës vetëm për tifozët e pranishëm në stadium”. Presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, pohoi se ndeshja i ngjau më shumë një ndeshje regbie, dhe se do të kërkojë nga Komisioni i Disiplinës fitoren në tavolinë. Kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, njëherësh edhe presidenti i Skënderbeut, deklaroi se Federata Shqiptare e Futbollit nuk e do klubin korçar në Kategorinë Superiore. Sipas Peleshit, federata është e interesuar që të largohen lojtarë si Shkembi, Gjondeda, Gurrib, Djarmati. “Me të gjitha format kërkohet largimi ynë nga kategoria. Nuk duhet të harrojmë se në sezonin 2005-2006 shpenzuam më shumë se 600 milionë lekë të vjetra dhe nuk arritëm dot të mbetemi në kategori”.

26 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›