E Diel, 1 Nëntor 2026

‘Na akuzuan për të lajthitur, por tani detin e fituam’

Ishte një lloj shpallje, një gëzim të cilin nuk e prisja, por tani që ky kumt erdhi, ai e ka vendin në hartën shqiptare, në brigjet e detit Jon të cilin pas kaq shumë shekujsh, e kemi rimatur. Mosbesimi që e thamë, e ka një bazë reale, përmes përpjekjeve në përvojën demokratike shqiptare dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës, ne ende nuk e kemi arritur standardin e duhur. Ky është një dëshpërim real. Një marrëveshje për caktimin e kufijve detarë me Greqinë, ishte një ogur i mirë në kohëra të reja, për të harruar dramat e të shkuarës. Ishte një problem i madh dhe i ndijshëm që kishte të bënte me gjeohapësirat shqiptare dhe ja si arriti puna që kjo çështje të shkonte deri në Gjykatën Kushtetuese. Kushtetuesja mori një vendim që do ta quaja të pazakonshme. Ai ishte ngazëllues, jo si një fitore meskine e një grupi njerëzisht të veçantë, por si një fitore e institucioneve të pavarura demokratike, kjo është një kryefjalë që duhet cituar më së pari. Ajo tregon se maturia e funksionimit të shtetit po vjen, edhe pse me shumë vështirësi. Ajo e pranoi këtë objekt shqyrtimi dhe i kushtoi një vëmendje të lartë si askurrë tjetër, sepse ai ishte brenda ndjeshmërisë dinjitare të gjeohistorisë shqiptare, sepse ajo ishte edhe dinjitetin kombëtar, se ajo ishte pa asnjë lloj kompleksi inferioriteti edhe për marrëveshje të mëdha me fqinjët, edhe ndaj firmave të hedhura të duar-shtrëngimeve të shtetarëve të lartë, të delegacioneve rrëzëllitëse. Kushtetuesja ishte shumë e pavarur nga zyrat e larta të shtetarëve dhe çdo trysni e mundshme e të gjitha niveleve që sulmuan mediumet shqiptare duke i quajtur edhe antikombëtar. Kjo ishte një fitore e madhe jo vetëm e medias dhe studiuesve e opinionit shqiptar. Kjo ishte një fitore e madhe për demokracinë shqiptare, për funksionimin e shtetit në pavarësinë e institucioneve. Ky është një gëzim gjeohapësinor dhe shpirtëror për të gjithë shqiptarët. Unë përfaqësoj një pjesë të hartografëve shqiptarë që hartojnë portretin e Shqipërisë. Nuk mund të linim, që të këputej deti i mbijetesës sonë iliro-shqiptare. Prandaj kur më ra një dorë një marrëveshje e atillë, me Tedin e “Shqiptares” mora fjalët dhe koordinatat e saj, të cilat që në çastin e parë ishin të paafrueshme me realitetin. Ishin shformuese për syrin atdhetar, por edhe për një vrojtues të thjeshtë që e njeh detin e historisë së tij të qëndresës. Ajo marrëveshje na tregonte të papërfillur. Aty nuk ishim të barabartë, matjet, argumentet, tregonin e sillnin shkoqur se nuk ishin vënë gardhe të mirë, për një fqinjësi të mirë mes dy bendeve tona. Por ne qëndronim në atë hartë të anshëm e të papërfillur. Më tepër se gjithçka ajo marrëveshje kishte cenuar dinjitetin tonë. Ne nuk gjetëm vetëm koordinata dhe gjeohapësira detare të ndara, por fatkeqësisht hasëm dhe një qeveri, e cila na vuri në majë të bajonetës. Dhe ishim njerëzit e saj, studiues, intelektualë të shumtë brenda dhe jashtë vendit, profesorë të shquar, analistë të sërës më të parë, juristë, ushtarakë të lartë, që ngritën zërin e tyre dhe në këtë përpjekje morën të gjithë edhe të sharat më të mëdha si sharlatanë, të mbrapshtë, mashtrues, të lajthitur, apo edhe kur shtetarët e lartë krijuan edhe një skenar të një ksenofobie të paqenë. Ky ishte një mjerim i madh në këtë shqyrtim tek teknik dhe ligjor. Ky diskutim i gjatë i lodhshëm ishte tamam si një beteje, veçse këtë betejë e kishim me vetveten, deri sa njerëzit tanë, shtetarët, kishin zënë llogore ballë nesh. Kjo ishte absurde. (GazetaShqiptare/BalkanWeb))

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›