E Shtunë, 31 Tetor 2026

Librat, nis shpërndarja e subvencionimit të teksteve shkollore

Jonida Tashi

Nis shpërndarja e subvencionimit për tekstet shkollore. Burime nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se është bërë kalimi i fondeve të subvencionimit për çdo rreth të vendit. Sakaq, për të tërhequr shumën përkatëse të subvencionimit për librat, prindërit duhet që të paraqiten në zyrat e Postës Shqiptare, ku do të disponohem listat e nxënësve sipas shkollave e klasave. Më konkretisht, prindërit duhet të paraqiten në zyrën postare që ndodhet në territorin e shkollës së fëmijës.
Skema
Skema e subvencionimit të teksteve shkollore për arsimin e mesëm këtë vit nuk do të jetë njëlloj si ajo e vitit të shkuar. Ndryshe nga një vit më parë, këtë vit, Ministria e Arsimit ka vendosur që në arsimin e mesëm të kompensojë për librat vetëm nxënësit që marrin asistencë nga shteti. Ndërkohë që krejt e kundërta është përcaktuar për nxënësit e shkollave 9-vjeçare, të cilët do të përfitojnë të gjithë nga skema e subvencionimi të teksteve shkollore. Duke pasur parasysh numrin e madh të titujve të librave në treg, rreth 600 të tillë për vitin e ri shkollor, drejtuesit e Ministrisë së Arsimit e kanë parë si të pamundur kompensimin e të gjithë gjimnazistëve.
Përfituesit
Nëse për arsimin e mesëm është vendosur të bëhet ndryshim i skemës së subvencionimit, në arsimin e detyruar, që përfshin ciklin 9-vjeçar, masa e kompensimit të teksteve shkollore do të mbetet e pandryshuar. Burime pranë MASH-it informojnë se tekstet shkollore për nxënësit në arsimin bazë, do të subvencionohen në masën 50 për qind. Kjo masë do të jetë e njëjtë për të gjithë nxënësit, pa i ndarë në kategori, ashtu sikurse do të veprohet në arsimin e mesëm. Në arsimin e detyruar, nga masa e subvencionimit të teksteve do të përfitojnë 650 mijë nxënës në të gjithë vendin. Ndërsa nxënësit e shkollave të mesme nuk do të subvencionohen këtë vit, me përjashtim të atyre që përfitojnë asistencë sociale nga shteti. Burime nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se këtë vit do të përfitojnë nga skema subvencionuese e teksteve shkollore vetëm gjimnazistët që përfitojnë asistencë sociale nga shteti, kurse për pjesën tjetër të popullsisë subvencionimi për tekstet shkollore do të shkojë vetëm për arsimin 9-vjeçar të detyruar. Sipas këtyre burimeve, nxënësit që përfitojnë asistencë sociale nga shteti, në momentin që kanë blerë librat duhet të kenë tërhequr faturën tatimore, në mënyrë që të përfitojnë subvencionimi.

Gjimnazet, përfituesit dhe masa e subvencionimit sipas kategorive
Ministria e Arsimit ka vendosur të rikthejë edhe njëherë vendimin, duke pranuar subvencionimin e teksteve shkollore për një pjesë të nxënësve që ndjekin arsimin e mesëm. Nëse vitin e kaluar të drejtën për të përfituar nga fondi i subvencionimit, falë ndërhyrjes së sindikatave të arsimit, e kishin vetëm nxënësit e arsimit të detyruar, këtë vit, nga ky fond do të përfitojnë edhe disa kategori nxënësish që ndjekin arsimin e mesëm 3-vjeçar. Në kategoritë e nxënësve që do të përfitojnë nga masa e subvencionit në arsimin e mesëm, do të jenë nxënësit e verbër, ata paraplegjikë, fëmijët e policëve të vrarë në detyrë, si edhe ata nxënës, të cilët hasen me probleme të rënda sociale në familje. Kategoria e mësipërme e nxënësve, numri i të cilëve ende nuk është bërë i qartë, do të përfitojë subvencionin e teksteve shkollore në masën 50 për qind. Që të mundësojnë thithjen e subvencionit të vendosur nga MASH-i, nxënësit që përfshihen në kategoritë e sipërpërmendura, duhet të dorëzojnë në sekretaritë e shkollave faturën e teksteve të blera në librari. Po kështu, ata duhet të dorëzojnë edhe raport mjekësor, apo vërtetim nga institucionet përkatëse, që vërteton qenien e tyre invalid ose që prindërit u kanë rënë në krye të detyrës. Në arsimin e mesëm, kjo do të jetë kategoria e vetme e nxënësve që do të përfitojë nga kompensimi i teksteve shkollore. Nxënësit e tjerë do të jenë të detyruar të paguajnë të plotë paketën e teksteve me të cilën do të pajisen në librari. Ministria e Arsimit dhe e Shkencave, informon se vendimi është marrë për t’u ardhur në ndihmë nxënësve në nevojë, megjithëse ata nuk ndjekin arsimin e detyruar. Ata e shpjegojnë kthimin e subvencionit për arsimin e mesëm edhe me faktin që arsimi parauniversitar është e vetmja hallkë, ku nxënësit nuk ishin të përfshirë në skemën e ndihmës sociale.

Viti akademik 2010-2011
India ofron një bursë për programe studimi Bachelor, Master ose Doktoratë

Këshilli Indian për Marrëdhënie Kulturore (IÇR) njofton se qeveria indiane ofron një bursë për programe studimi të nivelit Bachelor, Master ose Doktoratë në universitetet indiane, për vitin akademik 2010-2011. Kjo ofertë përfshin programe studimi për Muzikë, Arte figurative dhe Dance. Përjashtohen nga kjo ofertë programet e studimit për Mjekësi, Farmaci dhe Stomatologji. Qeveria indiane do të mbulojë shpenzimet e shkollimit, të akomodimit dhe të ushqimit, por jo ato të udhëtimit. Programet e studimit zhvillohen në gjuhën angleze. Aplikantët duhet të kenë njohuri shumë të mira të kësaj gjuhe. Pala indiane do të organizojë një test për të verifikuar shkallën e njohurive të gjuhës angleze. Kandidatët që do të aplikojnë për Arkitekturë ose PhD duhet të paraqesin një abstrakt për fushën e propozuar të kërkimit, ndërsa ata që dëshirojnë të studiojnë në fusha arti, duhet të përfshijnë në dokumentacion video ose kaseta me demonstrimet e tyre. Pas përfundimit të studimeve, kandidati duhet të kthehet në Shqipëri për të punuar për një periudhë të caktuar kohe. Për një informacion më të hollësishëm lidhur me mënyrën e plotësimit të formularit të aplikimit, si dhe të përgatitjes së dokumentacionit, referojuni adresës së internetit: http://www.içrindia.org/scholarships.htm; E-mail: içr@vsnl.com. Afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit pranë Sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë në MASH është data 15 shkurt 2010.

Viti akademik 2010
India akordon dy bursa për pjesëmarrje në kurse 1-vjeçare trajnimi

Agjencia e Programit të Bashkëpunimit Ekonomik dhe Teknik të Indisë (ITEC) ofron dy bursa për pjesëmarrje në kurse 1-vjeçare trajnimi, gjatë vitit 2010. Aplikantët e interesuar për këto kurse duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme: të jenë punonjës të Shërbimit civil; të kenë përvojë pune më shumë se 5 vjet; të kenë njohuri shumë të mira të gjuhës angleze; të jenë të aftë nga ana shëndetësore për studime; të jenë të moshës 25-45 vjeç. Të gjitha shpenzimet e pjesëmarrjes në kurset e trajnimit, përfshirë këtu shpenzimet për biletën e udhëtimit, shpenzimet e akomodimit dhe të ushqimit, do të mbulohen nga qeveria indiane. Për një informacion më të hollësishëm lidhur me llojin e kurseve që ofrohen, mënyrës së plotësimit të formularit të aplikimit online, si dhe të përgatitjes së dokumentacionit nga aplikanti, referojuni adresës së mëposhtme të internetit: http://itec.nic.in ose http://itec.mea.gov.in. Aplikantët e interesuar mund t’i adresohen edhe znj.Sunita Narang, sekretare e dytë pranë Ambasadës së Indisë në Bukuresht, me numër telefoni 0040 21 2109330, numër faksi 0040 2110614/2118715 dhe adresë e-maili pol@embassyofindia.ro. Dokumentacioni i plotësuar duhet të dorëzohet në Sektorin e Marrëdhënieve me Jashtë në Ministrinë e Arsimit, në funksion të kohës së fillimit të kursit të trajnimit.

26 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›