E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, planet e Obamës për bankat shkaktojnë debate të ashpra

Blerina Olldashi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka vendosur që bankat të jenë në një kontroll të rreptë në të ardhmen dhe kjo për të kontrolluar më mirë veprimtarinë e tyre. Me propozimet e tij për rregullimin e veprimtarisë së bankave presidenti amerikan Obama ka shkaktuar reagime të ndryshme. Të shqetësuar për shkak të pagesës së shpërblimeve për punonjësit e bankave shumë amerikanë janë pro idesë së presidentit, ndërsa të tjerë shprehen kundër këtyre planeve duke i konsideruar ato si të padrejta. Megjithatë ndihet edhe skepticizimi i zakonshëm ndaj pushtetit të shumtë të qeverisë në Uashington. “Unë nuk dua që qeveria të përzihet me çështjet e ekonomisë”, thotë një qytetar, që është kundër propozimit të Obamës për të kufizuar madhësinë e bankave. Ai mendon se edhe ndalimi i spekulimeve, që mund të bëjnë bankat me paratë e tyre, apo duke marrë pjesë në fondet e letrave me vlerë, është i ekzagjeruar. Sa u përket vetë bankave, ato për momentin po reagojnë fare pak. Diane Suonk, punonjëse e firmës së konsulencës “Mesiroë//// Financial”, e cila merret me këshillimin e klientëve për depozita bankare, i kritikon hapur propozimet dhe rregullat, që do të vendosë Obama, duke i quajtur si populizëm të pastër: “Në fund është e thjeshtë që t’i bësh bankat “kokë turku”, sepse shumë njerëz janë të inatosur me bankat. Por kjo nuk ka kuptim, sepse pa bankat nuk bën dot gjë”. Suonk shpreson se Kongresi do të jetë më i arsyeshëm dhe kompetent në këtë fushë. Obama nga ana e tij e quan këtë si presion të lobistëve, të cilët po përpiqen që t’i ndalin nismat e tij. Duke prezantuar planet e tij të reja presidenti u ankua se: “Javët e kaluara kemi parë vetëm një ushtri lobistësh, të dërguar nga Ë////allstreet në Capitol, që po përpiqen për të bllokuar disa rregulla të arsyeshme, të cilat mbrojnë ekonominë tonë dhe qytetarët e vendit”. Republikanët nuk iu bashkangjitën në Dhomën e Përfaqësuesve hapave të parë të Obamës për rregullimin e tregjeve financiare. Demokratët i kaluan ato të vetëm falë shumicës në këtë instancë. Këto plane parashikojnë krijimin e një organizate për mbrojtjen e konsumatorëve, më tepër transparencë dhe marrje përsipër detyrimesh nga ana e bankave për të pasur më tepër kapital të vetin. Por këto propozime kanë disa muaj, që kanë ngecur në Senat. Dhe republikanët kanë tani aty aq përfaqësues, sa mund t’i bllokojnë planet e miratuara nga Dhoma e Përfaqësuesve. Gjithsesi në Senat nuk është thënë ende fjala e fundit për kufizimin e fushës së veprimit të bankave. Në këtë vit zgjedhjesh shumëçka do të varet prej strategjisë, që do të përdorin republikanët në Senat.

Kosovë, nis fushata për rivotim në Prizren dhe në Lipjan

Kandidatët e partive politike që garojnë për kryetar të komunës së Prizrenit dhe Lipjanit, kanë nisur dje një fushatë tjetër elektorale, e cila do të zgjasë pesë ditë. Përfaqësuesit e Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i kanë rekomanduar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që gjatë këtij procesi zgjedhor të rrisë masat e sigurisë dhe numrin e pjesëtarëve të policisë nëpër vendvotime. Kryesuesi i Sekretariatit të KZAP-it, Mulë Desku, thotë se KQZ-ja do të ishte mirë që të merrte parasysh rekomandimet e KZAP-it. Nga ana tjetër, zyrtarët e KQZ-së thonë se institucioni që i organizon zgjedhjet, është duke i koordinuar veprimet me Policinë e Kosovës. Baki Kelani, zëdhënës i policisë, thotë se nuk ka ndonjë kërkesë për shtim të pjesëtarëve të policisë në qendrat e votimeve. Megjithatë, ai thotë se policia është e gatshme të ofrojë numër më të madh të pjesëtarëve të policisë, nëse një gjë e tillë kërkohet nga institucionet që organizojnë zgjedhjet.

Irak
Ekzekutohet “Ali Kimiku”

Ali Hassan al Majid, i njohur ndryshe si “Ali Kimiku”, krahu i djathtë i ish-presidentit Sadam Husein është ekzekutuar. Lajmi është bërë i ditur nga qeveria irakiane. “Ali Kimiku” është dënuar katër herë me vdekje, në veçanti për masakrën e 5 mijë kurdëve në 1988-ën. Dënimi është kryer nëpërmjet varjes. Së bashku me “Ali Kimikun” u ekzekutua edhe ministri i Drejtësisë të Sadam Hyseinit, Sultan Hashim Ahmed. “Ali Kimiku” ishte kushëriri dhe i ish-presidentit irakian Husein dhe ishte konsideruar një prej eksponentëve kryesorë të atij regjimi të ashpër.

Haiti
235 mijë njerëz braktisin kryeqytetin

Më shumë se 235 mijë njerëz kanë braktisur kryeqytetin e Haitit, Port au Price dhe kanë kërkuar strehim në rajonet rurale, të cilat janë më pak të goditura nga tërmeti, njoftuan Kombet e Bashkuara. Zyra e KB-së për koordinimin e ndihmave humanitare tha se në kampet e kryeqytetit aktualisht ndodhen rreth 800 mijë njerëz. Nga tërmeti i 12 janarit që goditi Haitin, kanë vdekur të paktën 150 mijë njerëz, ndërsa rreth gjysmë milion të prekur kanë marrë ndihma humanitare, njoftoi OKB-ja. Qeveritë ndërkombëtare kanë premtuar afro 1 miliardë dollarë, përfshirë 575 milionë dollarë nga 27 vendet e BE-së.

26 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›