Pëllumb Xhufi: U denoncuan trafikantët e kufijve në pushtet
TIRANE-Lajmi padyshim më gëzon shumë dhe ajo ç’ka më vjen më së pari në mend në këtë moment, është një mirënjohje për të gjithë ata që u angazhuan për të denoncuar këtë marrëveshje, duke u vënë shpesh edhe në zjarrin e presioneve e të sharjeve rrugaçërore nga trafikantët e kufijve në pushtet. Kam parasysh në radhë të parë gazetarët e rinj e kurajozë Tedi Blushi, Artan Hoxha e Denis Minga të “Gazetës Shqiptare” e ‘News 24’. Kam parasysh specialistë kompetentë e atdhetarë, të hedhur në udhë të madhe nga qeveria e antishqiptarëve, kam parasysh kolonel Besnik Bakiun, komandant Vladimir Bejën, kolonel Myslim Pashaj, Prof. Arben Puton, Prof. Sabit Brokaj, kolegun Preç Zogaj e ndonjë tjetër. I duhet njohur merita e madhe PS, kryetarit Edi Rama dhe gjithë atyre djemve e vajzave të reja të kësaj partie, që i dhanë luftës për denoncimin e kësaj marrëveshje tradhtare një dimension e një perspektivë të re, duke e çuar atë në Gjykatën Kushtetuese. Vetë Gjykata Kushtetuese, me trajtimin e ftohtë e të përgjegjshëm të kësaj çështje aq të koklavitur e plot implikime sa juridike aq edhe politike, na tregoi se në këtë vend ku drejtësia është i akuzuari i ditës, ekziston megjithatë një qelizë bazike e gjithë sistemit juridik e shtetëror, që funksionon me profesionalizëm e integritet, dhe kjo është pikërisht Gjykata Kushtetuese dhe anëtarët e saj të nderuar. Por, nga ana tjetër, kjo histori na ndihmoi të gjithëve të shohim në gjithë errësirën e mjerimin e vet gjithë shpurën e atyre që tentuan të dëmtojnë edhe njëherë interesat e vendit, duke i nxjerrë ato në pazarin e sendeve të pista. Në gjykimin tim, ditën kur Gjykata Kushtetuese do të shpallë vendimin e saj, Prokuroria e Përgjithshme duhet të hapë padi penale ndaj të gjithë atyre që tentuan të cenojnë rëndë integritetin territorial të vendit, duke kaluar kontrabandë këtë marrëveshje antishqiptare, duke filluar nga Kryeministri e duke përfunduar tek Kryenegociatori enigmatik, gjeneral Gërveni. (d.b/GSH/BalkanWeb)