E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkrumbohet shtëpia e rreperit amerikan “50 Cent”



Nga Nju Jorku, Beqir SINA
Shtëpia në njërën prej lagjeve më luksoze në pjesën e lartme të Nju Jorkut, e njohur me emrin Dix Hill, e reperit të famshëm amerikan “50 Cent” është shkrumbuar nga flakët. Shkaku i rënies së zjarrit është ende i pazbardhur nga policia njujorkeze. Në momentin kur flakët përpinë shtëpinë vet reperi “50 Cent” nuk ndodhej brenda, por në banesë ishin gjashtë persona të tjerë.
Ish e dashura e tij, Shaniqua Tompkins, e cila ende nuk dihet pse u ndodh aty me djalin e saj 11-vjeçar, gjatë kohës kur shpërrtheu zjarri, për pak sa nuk u dogjën të gjallë brenda shtëpisë. Ata u shoqëruan në spital për djegie të shkallës së dytë dhe të tretë. Shtëpia ishte blerë prej reperit të njohur para një viti për shumën e 2,4 milionë dollarëve. “50 Cent” tha se ai i kishte blerë ish të dashurës së tij një shtëpi shumë larg shtëpisë që u dogj. “50 Cent” ka mbajtur jo më larg se dhjetori i kaluar (17.12.2007) një koncert madhështor në Prishtinë. Ai ka performuar sëbashku me grupin e tij para 20 mijë fansave, për mëse një orë e gjysmë, në temperaturën 10 gradë celsius nën zero.
Para se “50 Cent” të jepte koncertin në Prishtinë, pati spekullime sikur koncerti do të anulohej për arsye se Kosova nuk ishte e përgatitur që të përballej me një ngjarje të tillë. I pyetur nga gazetarët për thashethemet e vitit të kaluar, “50 Cent” u shpreh: “Kam qenë në Irak ku kam kënduar për ushtarët. Kam qenë në Izrael dhe në Bejrut. Nuk mund ta shoh krejt botën, nëse nuk arrij të shkoj atje. E shikoj muzikën time si mënyrë për të thyerr barrierat gjuhësore.”

2 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›