Hamdi Salihi: “Ried, vitrina ime në Europë”

EKSKLUZIVE- "Dy gola në kampionat? Më vjen mirë që filloi kështu aventura ime në Austri". Kështu është shprehur për Albania-sport.com, Hamdi Salihi i etiketuar nga trajneri kroat i Kombëtares shqiptare, Oto Baric, si "Gerd Myleri i Shqipërisë".
Salihi është i vetëdijshëm për forcën e tij dhe për vështirësitë e ambientimi te skuadra e re e tij, SV Ried, për fanellën jeshile të së cilës ka shënuar gjashtë gola, katër në miqësore dhe dy ndeshjet që jeni aktivizuar deri tani në kampionat.
"Edhe golat e realizuar, por dhe lojërat e mira që kam zhvilluar, më kanë lehtësuar shumë në komunikimin me pjesën tjetër të ekipit dhe, vecanërisht me fansat e SV Ried, që njihen në të gjithë Bundesligën austriake për natyrën e zjarrtë të tyre. Objektivi i klubit SV Ried është gjithmonë pjesëmarrja në aktivitetet që organizon UEFA"
"Ried, vetem një stacion? Në fakt doja të shkoja në një klub që ka më shumë reklamë dhe vemendje në Europë, duke mënjanuar oferta nga skuadra të tilla si nga Ukraina, Turqia apo vende të tjera. Kuptohet që më duhet të punoj shumë fort për të tërhequr edhe vemëndjen e klubeve të mëdha europiane, ku nuk përjashtohen kurrsesi ato italiane", përfundon Salihi për albania-sport.