Koment: Ku mbeti besa e Xhepçishtit?

Reshat Ibrahimi
Shkup - Delegatët shqiptarë të Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM) në takimin e fundit në Xhepcisht të Tetovës, patën dhënë fjalën se në Kuvendin e ardhshëm të FFM-së do të jenë unik dhe se do të votojnë njësoj. Në Kuvendin e së shtunës të mbajtur në Strugë u pa se besa e dhënë nuk është respektuar nga të gjithë. Në fakt, tetë delegatë shqiptarë, nga gjithsej 21, nuk morën pjesë në zgjedhjen e kryetarit të ri. Ky veprim i delegatëve edhe një herë nxori në pah inatet dhe interesat e ngushta individuale të shqiptarëve, duke anashkaluar interesin e përgjithshëm shqiptar në këtë institucion sportiv. Informacionet flasin se disa delegatëve, tani më palët kundërshtare maqedonase në FFM, u kanë ofruar poste dhe pozicione nëpër disa vende të këtij institucioni dhe kjo si duket ka shkaktuar huti tek ata.
Mirëpo, mos uniteti i delegatëve shqiptarë, do t'u kthehet me efekt
bumerangu vetë shqiptarëve, sepse ata më nuk do të kenë relevancen dhe peshën e deritanishme në FFM. Moszgjidhja e problemeve, gjegjësisht mungesa e unitetit të shqiptarëve në këtë institucion, do të kishte pasoja të paparashikueshme dhe pariparueshme për shqiptarët. Një gjë e tillë do të reflektohej sidomos gjatë avancimit të kuadrove shqiptare në FFM, ku edhe ashtu përfshirja e tyre, është larg asaj që parashohin dispozitat ligjore. Pastaj, sa e sa herë kemi shkruar e folur për mospërfshirjen e futbollistëve shqiptarë në përfaqësuesen e Maqedonisë. Dhe shumë pak ose fare hic nuk kemi lëvizur nga zeroja. As që po dëshiron dikush të dëgjojë për lojtarët shqiptarë, për të cilët vetë disa trajnerë maqedonas kanë deklaruar publikisht se e kanë vendin në reprezentacion. Ka edhe shumë punë të tjera që i tangojnë sportistët dhe klubet shqiptare në Maqedoni, ndërsa shqiptarët zgjodhëm rrugën më të keqe, atë të ndarjes.
Tani më po shihet se ka ndodhur varianti më dëshpërues për shqiptarët, ai i përcarjes së delegatëve "pro" njërit apo tjetrit krah të maqedonasve, atëherë kujt do t'ia qajnë hallet klubet shqiptare? Por delegatët shqiptarë edhe kur ishin bashkë në FFM, me shumë vështirësi kalonin propozimet e tyre, kurse tani, a thua sa do të dëgjohet zëri ynë? Apo mos vallë delegatët "përcarës" apo "të pabesë", interesin e shqiptarëve në FFM, mendojnë se do të zgjidhin me marrjen e vetëm edhe një posti në këtë organizëm sportiv...
Shqiptarët edhe ashtu ishin në numër simbolik të përfaqësuar në FFM, andaj kujtoj se uniteti ishte më se i domosdoshëm. Nuk e di sa e kanë të qartë delegatët shqiptarë se ndarja e tyre në dy kampe ua humb edhe atë peshë që kanë pasur deri më tani.
Mjerë klubet dhe sportistët shqiptarë në duart e kujt do të mbesin. Ata (klubet) deri tani kishin njëfarë shprese se dikush i mbron interesat e tyre në FFM, kurse tani...! Ndoshta shqiptarët që na përfaqësojnë në FFM kanë menduar se mjaft punuan për futbollin shqiptar në Maqedoni, dhe tani ka ardhur koha të punojnë edhe pak për interesat e ngushta dhe për karrierë. Veprimet e fundit janë një sinjal i qartë se unitet midis shqiptarëve më nuk ka, atëherë sportistë dhe klube shqiptare gjenduni si mundeni vetë...