E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy javë futboll, të dyja të përgjakura, çfarë do të sjellë e treta?

Nga Prishtina, Ejup LLUMNICA
Kanë kaluar vetëm dy javë që nga fillim i stinorit pranveror të Superligës së Kosovës dhe qysh tash kanë ndodhur ato më të tmerrshmet. Në dy javë 4 të therur, ky duhet të jetë sinjali më i keq për të gjithë ata që merren me futboll se është koha e fundit t'u thuhet "ndal" ose këtyre dukurive të shëmtuara ose vetë garave. Një javë më parë, në Prishtinë pësuan tre tifozë vushtrrias dhe u regjistrua një sulm ndaj gjyqtarit të ndeshjes Flamurtari - Vëllaznimi, Sadik Rrahmani, pastaj në mesjavë tollovia pas ndeshjes Besiana - Liria në Mitrovicë dhe tash kjo më e freskëta në Mitrovicë, në përballjen Trepca - Flamurtari, ku banka prishtinase sulmohet nga tifozët mitrovicas e më së keqi më këtë rast pëson Agim Hasani, i cili theret në dorë me thikë, këto janë ngjarjet që e shënuan këtë fillim stinori pranveror. Do të ishte shumë e pakuptim nëse këtë javë flasim për rrjedhën e takimeve të tjera pas asaj që ndodhi në Mitrovicë, e cila e ka prishur imazhin e një jave të qetë. Është më se trishtuese të shohësh se si sulmohen futbollistët dhe trajnerët, e jemi të bindur se këtë nuk e kanë dashur futbollistët e Trepcës e as udhëheqja e këtij klubi, andaj pse kanë pasur nevojë këta dashakëqij të futen në fushë. Gjithsesi, kjo duhet të jetë ngjarja e fundit për Federatën e Futbollit të Kosovës dhe urgjentisht të merren masat e duhura për të parandaluar më të keqen në të ardhmen. Shpresojmë se këto gjëra më nuk do ta përcjellin futbollin tonë. Sa u përket takimeve të tjera, të gjitha skuadrat vendëse kanë shënuar fitore, përvec Prishtinës, e cila në fushën e vet, por në cilësinë e mysafirit, mposhti të fundit në tabelë, Kosovën e Prishtinës, dhe Besa që luajti baras me Hysin në Podujevë, skuadrat e tjera nuk lejuan që në fushën e tyre të befasohen. Fitoren më të thellë e arriti Shqiponja e Pejës, e cila para shikuesve të saj e mundi Ferizajn me rezultat 4:0, ndërkaq pikët më të vlefshme këtë javë i arriti Vëllaznimi i Gjakovës, i cili mundi rivalin, Kosovën e Vushtrrisë. Me këto tri pikë, gjakovarët dëshmuan se nuk i kanë humbur shpresat për mbijetesë në Superligë dhe, megjithëse i pret punë shumë e vështirë, me angazhim maksimal do ta arrijnë objektivin e tyre - mbijetesa në elitën e futbollit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›