E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkel: Koalicioni i ri gati përpara 9 nëntorit

 

Pas votimit të së dielës në Gjermani, rezultatet zyrtare nxorën fituese Anxhela Merkelin, e cila tashmë ka nisur bisedimet për të formuar koalicionin e qendrës së djathtë me partinë liberale. Merkel tha dje se kërkon ta formojnë koalicionin e ri në kohë për të shënuar me të 20 vjetorin e rënies së murit të Berlinit, më 9 nëntor. Ajo shtoi se ulja e taksave që ka premtuar do të mundësohej në vitin 2011. Sipas rezultateve zyrtare, partia e Merkelit ka marrë 33.8 për qind të votave. Ky është rezultati më i ulët për këtë parti që nga viti 1949. Socialdemokratët të drejtuar nga ministri i Jashtëm, Frank Valter Shtajnmajer, u mundën keq në këto zgjedhje, duke marrë vetëm 23 për qind të votave, ndërsa liberalët e Fdp-së arritën rezultatin më të mirë për ta në histori, me 14.6 për qind. Kancelarja gjermane tha se prioriteti i mandatit të saj të dytë do të jetë rigjallërimi në ekonominë më të madhe të Evropës pas recesionit më të rëndë që prej Luftës së Dytë Botërore. Koalicioni i saj me Demokratët e Lirë formon një bllok pro biznesit, gjë që sipas Merkelit, ofron një shans më të mirë për rimëkëmbjen e ekonomisë. Tani lideri i Demokrateve të Lirë, Guido Uestervelle ka shumë gjasa të zëvendësojë socialdemokratin Shtajnmajer në postin e ministrit të Jashtëm, duke u bërë personi i parë që merr një post ministri, edhe pse ka deklaruar hapur që është homoseksual. Për Merkel, sfida më e madhe mbetet ekonomia. Sipas BBC, të dyja partitë që pritet të formojnë koalicionin e ardhshëm qeveritar në Gjermani, kanë premtuar ulje të taksave, por me një deficit të lartë buxhetor, premtimi duket i vështirë për t’u mbajtur. Misioni jopopullor në Afganistan, ku Gjermania ka mbi katërmijë ushtarë, do të jetë në krye të axhendës, megjithëse asnjë nuk ka premtuar ndonjë datë për tërheqjen. Rizgjedhja e Anxhela Merkelit është përshëndetur nga liderët e të gjithë botës, por mund të përbëjë një tjetër zhgënjim për shpresat e Turqisë për t’u bashkuar në BE.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›