E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irani teston me sukses dy raketat

 

Media iraniane ka raportuar sukses në testin e dy nga raketave me rrezen më të gjatë të veprimit, vetëm një javë pasi njoftoi ndërtimin e një impianti të dytë të pasurimit të uraniumit në jug të Teheranit. Raketat Shahab-3 dhe Sajjil janë të afta të arrijnë në Izrael dhe vende të tjera të Gjirit. Testi ka keqësuar qëndrimin e tendosur të ndërkombëtarëve ndaj Iranit, dhe do të ketë bisedime të mëtejshme për sanksione kundër tij. Televizioni shtetëror transmetoi dje pamje të një rakete tokë-tokë që po lëshohej nga një shkretëtirë me një re pluhuri. Kreu i politikës së Jashtme evropiane, Havier Solana, ka shprehur shqetësim për këto teste, që konsiderohen pjesë e manovrave ushtarake për të treguar aftësitë mbrojtëse të Teheranit. Sipas disa analistëve perëndimorë të fushës së mbrojtjes, të paktën një nga këto raketa është në gjendje të bartë mbushje bërthamore. Sipas VOA, Shtetet e Bashkuara dhe fuqi të tjera të botës duan ta detyrojnë Iranin të bëjë të njohura veprimtaritë e tij bërthamore gjatë një takimi në Gjenevë të enjten. Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, tha se kundër Iranit do të konsiderohen sanksione më të rrepta nëse bisedimet dështojnë. Rusia i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të tregohet i përmbajtur në reagimet ndaj provave me raketa.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›