E Shtunë, 31 Tetor 2026

BBC interviston Gordon Braun: A merrni qetësues? Polemika

 

BBC ka marrë mbi 100 ankesa nga shikuesit për intervistën e gazetarit Andrju Marr me kryeministrin britanik, Gordon Braun. Vendimi i një prej gazetarëve televizivë më të njohur të BBC-së për të pyetur kryeministrin nëse merrte qetësues ka nxitur polemika në Partinë Laburiste. Megjithatë kryeministri britanik nuk refuzoi të përgjigjej. Braun mohoi se merrte qetësues që mund ta ndihmonin atë të ulte sasinë e lartë të stresit që bart si kryeministër i Britanisë. Marr vendosi ta pyesë kryeministrin për ilaçe qetësuese pas zërave që qarkullojnë në internet gjatë shtatorit, që thonë se Braun po merr anti-depresantë të fortë që e ndihmojnë të përballojë stresin e punës së tij. “Shumë njerëz në këtë vend përdorin qetësues të këshilluar dhe pilula që i ndihmojnë ata të kalojnë stresin. A jeni ju një nga këta njerëz?”, ka pyetur gazetari. Përgjigjja e Braun ishte: “Jo”. Dhe kur Marr e pyeti mbi këtë çështje sërish në intervistë, ai i tha se ia kishte bërë një herë këtë pyetje. “Kjo lloj pyetje është e atij lloji që ka hyrë shumë shpesh në leksikonin e politikës britanike”, tha Braun. Në intervistën që nga disa është cilësuar e guximshme dhe nga disa të tjerë fyese, kryeministri Braun u pyet edhe nëse i kontrollonte sytë dhe nëse shikimi i tij ishte përkeqësuar. Gazetari iu kujtoi shikuesve se ai kishte humbur shikimin në njërin sy kur ishte i vogël dhe se ishte pranë humbjes së shikimit në syrin tjetër. Braun iu përgjigj edhe kësaj pyetjeje, duke detajuar se sytë i kishte kontrolluar vetëm pak ditë më parë dhe se shikimi i tij nuk ishte keqësuar. “Edhe pse unë kam probleme me sytë dhe e kam pasur të vështirë për gjithë këto vite, mendoj se njerëzit arrijnë ta kuptojnë kur dikush e bën punën e tij dhe punon me të vërtetë shumë. Do të ishte një tregues i tmerrshëm në sistemin tonë politik nëse dikush e ka këtë problem mjekësor dhe nuk arrin të bëjë punën e tij”, replikoi Braun. Pas intervistës, në BBC kanë mbërritur më shumë se 100 ankesa.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›