E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hamdi Salihi shenoi golin e 50-te te tij per Rapidin e Vjenes

Janë 50 gola, tashmë një jubile. Hamdi Salihi ka shënuar edhe një herë për Rapidin e Vjenës, në një fitore shpresëdhënëse 3-0 në fushën e Insbrukut, ndërsa titulli kampion nuk duket i paarritshëm.

Janë vetëm 5 pikë që e ndajnë nga vendi i parë, ndërsa duhen edhe 7 javë deri në fund të kampionatit.

Salihi realizoi golin e parë për vjenezët, me penallti, duke arritur në kuotën e 15 golave në këtë kampionat, vetëm 1 gol pas kryeshënuesit Kinast të Shturmit të Gracit.

Shqiptari festoi edhe golin e tij të 50-të me fanelën e klubit të shquar austriak, me të cilin shpreson të dalë të paktën në Europë.

Një paraqitje e mirë edhe për Elis Bakajn, pasi mesfushori sulmues shqiptar luajti 83 minuta në barazimin 3-3 të Dinamos së Bukureshtit në fushën e Ocelulit të Galacit.

Ndonëse nuk shënoi gol dhe barazimi i dinamovitëve u arrit kur ai nuk ishte më në fushë, pra në minutat e fundit, sërish prova e Bakajt ishte e mirë sepse ai po stabilizohet si lojtar formacioni në ekipin e njohur rumun.

Javën e kaluar, Bakaj shënoi golin e tij të parë zyrtar për Dinamon, në fitoren 3-1 në kampionat ndaj Unireas, duke u shpallur edhe lojtari i ndeshjes.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›