Punonjës "vullnetarë", askush s‘paguan
Vazhdojnë të mbeten në punë, edhe pse nuk marrin një rrogë mujore. Punonjës të muzeve arkeologjike të Butrintit, Apolonisë, Durrësit, Korçës dhe subjekte që kanë ruajtur këto objekte, prej më shumë se një viti nuk paguhen për punën që bëjnë. Gjithçka ka nisur prej reformës në kërkimin shkencor, krijimit të Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe shkrirjes në të të disa instituteve. Që atëkohë u lajmërua për shkurtime punonjësish, ndërsa u bënë shumë të diskutueshme ligjet që rregullonin veprimtarinë e strukturave të reja. Punonjësit kanë trokitur në disa derë pa marrë asnjë përgjigje. Qendra e Studimeve Albanologjike i konsideron si ish-punonjës të Institutit Arkeologjik, që tashmë nuk bëjnë më pjesë në organikën e tyre. Për këtë arsye nuk merr përsipër të shlyejë detyrimet. Sipas drejtorit Ardian Marashi, ata kanë zgjedhur përmes dokumentacionit dhe kriteret e përcaktuara 112 punonjësit të parashikuar në ligj. Për të, automatikisht pjesa tjetër janë shkëputur nga marrëdhëniet e punës. "Ata janë ish-punonjës të Institutit të Arkeologjisë që nuk bëjnë më pjesë në Institutin Arkeologjik dhe në Qendrën e Studimeve Albanologjike. IA ka pasur 62 punonjës, duke përfshirë këtu roje, shoferë, punonjës ndihmës, daktilograf, specialistë të terrenit, mirëmbajtës dhe aktualisht ka 27 punonjës. Që në daljen e vendimit të Këshillit të Ministrave në gusht të 2007-ës, të gjithë punonjësit kanë qenë në dijeni se do të ketë shkurtime. Asnjëri prej tyre nuk ishte plotësisht i bindur nëse do të rrinin ose jo, sepse kriteret do të përcaktoheshin me krijimin e QSA-së. Pas aplikimit dhe përzgjedhjes së punonjësve, ne bëmë afishimin e listave të 112 punonjësve të qendrës. Të gjithë ata që kanë ngelur jashtë kësaj liste, automatikisht kanë ngelur pa punë", thekson Marashi. Logjikisht çdokush mund të mendojë se pse këta punonjës, 8 në numër, vazhdonin të punonin kur nuk merrnin rrogë. Por sipas ligjit, ata duhet të ishin vënë në dijeni për shkarkimin e tyre me një shkresë zyrtare, e cila nuk u ka mbërritur. "Këtë duhet t‘ua kishte komunikuar punëdhënësi i tyre, Akademia e Shkencave. Përderisa Akademia i ka pasur nën varësinë e vet, duhet t‘i kishte lajmëruar juridikisht se humbisnin punën", shprehet Marashi. E ndërsa Parqet Arkeologjike kanë kaluar nën varësinë e Ministrisë së Kulturës, kur pyet se çfarë zgjidhje do t‘i jepet këtij problemi, nuk merr asnjë përgjigje. Zyrat brenda këtij institucioni ia delegojnë problemin njëra-tjetrës. Shkresat kalojnë nga tavolinat e trashëgimisë tek ato juridike pa një përgjigje. Në një farë mënyre të lënë të kuptosh se këto janë probleme të trashëguara që zor se do u dalë zot. Ndërkohë, kuadri ligjor me mangësitë e veta e bën edhe më të vështirë që t‘i vejë pikat mbi institucionin përgjegjës. Nëse kjo do të lihej në një vullnet të lirë bashkëpunimi, raste të mëparshme problematike në fushën e kulturës kanë treguar se kjo është e pamundur. Detyrimi që duhet t‘u paguhet punonjësve apo subjekteve që kanë kryer shërbime shkon në shifrën e 8 milionë lekëve të reja, ndërkohë që është ende e paqartë se cili institucion do ta paguajë dhe me çfarë fondi. Një pjesë e punonjësve kanë zgjedhur edhe rrugët ligjore me shpresën se do të gjejnë një zgjidhje kundrejt institucioneve shtetërore.