"Të munguarit" e letërsisë shqipe
Qendra e Studimeve Albanologjike në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës organizojnë sot konferencën shkencore mbarëkombëtare, si dhe tryezën e rrumbullakët me temë "Mendimi shqiptar dhe shkolla shqipe". Qëllimi i realizimit të kësaj konference ka të bëjë kryesisht me pasurimin e të gjitha niveleve të shkollës sonë me mendimin shqiptar të traditës, veçanërisht mendimit kulmor kulturor të viteve ‘30. Bëhet fjalë sidomos për përfshirjen e disa autorëve të rëndësishëm, e madje ndër më të mëdhenjtë e kulturës shqiptare, të cilët krijuan në këtë periudhë, por që janë ende thuajse të panjohur në shkollat tona. Rreth 32 autorë, mes të cilëve Anton Harapi, Branko Merxhani, Arshi Pipa, Ernest Koliqi, Faik Konica etj., janë ndër autorët që propozohen të jenë jo vetëm pjesë e librave mësimorë, por të prezantohen denjësisht jo vetëm me jetën dhe veprën e tyre, por edhe me konceptet dhe idetë që ata arritën të mishëronin.