E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hamë, po nuk dimë se ç"hamë

16/03/2005  Familjet shqiptare, 60 për qind të të ardhurave i konsumojnë për ushqim, që është i pakontrolluar

Kryetari Cami: Ligje dhe drejtori kemi plotë, por nuk kryhen inspektime

Pothuajse i gjithë qumështi që konsumohet në vend është jashtë standardeve dhe konsumatori është i pasigurt. Qumështi dhe nënproduktet e tij janë ndër ushqimet më të konsumuara në vend, me një mesatare prej 200 litrash për frymë në vit. Ky produkt, si shumë të tjerë, shiten në treg jashtë standardeve. Kështu, qumështi që tregtohet në treg është i pasterilizuar, shitja e tij bëhet me shishe të paambalazhuara ose me ambalazhe, të cilat janë të palejueshme. Ky produkt duhet të jetë i ambalazhuar në shishe plastike dhe i etiketuar. Gjithashtu, ai duhet të jetë i shoqëruar me dokumentacionin veterinar, sipas përcaktimeve që bën ligji. Kështu, tregtimi i qumështit dhe nënprodukteve duhet të bëhet vetëm në dyqane me destinacion ushqimor. Sipas projektligjit të ri, shitësit dhe grumbulluesit e qumështit do të pajisen me licensë të posaçme. E nëse produkti është pa cilësi, ndaj tregtarit merren masa deri në heqjen e licensës. Pra, asnjë grumbullues nuk duhet të tërheqë e të shesë qumësht pa certifikatë veterinare. Është vëne re që kushtet higjieno-sanitare të qumështit janë të këqija dhe se sasia e ujit në to është e madhe.

Ligje kemi, por jo mbrojtje

“Tashmë ka Ligj për Mbrojtjen e Konsumatorit, Ligj për Ushqimin, së fundi është përgatitur dhe një projektligj për qumështin. Ligje ka, gjithashtu në Ministrinë e Ekonomisë është ngritur dhe zyra për mbrojtjen e konsumatorit, por as ligjet nuk zbatohen dhe as zyra nuk funksionon”, thotë Islam Cani, kryetari Shoqatës së Konsumatorëve.

Sa harxhon konsumatori për ushqimin

Të varfërit e fshatit e shpenzojnë pjesën më të madhe të buxhetit të tyre familjar për ushqim, 66 për qind, thuhet në Raportin e Zhvillimit Njerëzor të këtij viti dhe më pak për produkte joushqimore, rreth 21 për qind të të ardhurave. Ndërsa ata që jetojnë në Tiranë harxhojnë 48 për qind të të ardhurave për ushqimin dhe 25 për qind për produkte të tjera, si shërbime komunale dhe arsim, në këto shifra luhaten shpenzimet dhe për zont e tjera urbane me maksimumin 1 për qind ndryshim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›