E Hënë, 2 Nëntor 2026

Më 31 mars votohen çmimet

16/03/2005  Konferenca e kryetarëve ka vendosur nisjen e diskutimeve të Metodikës së pronave në komisione

Drafti i Komitetit Shtetëror do të kalojë për miratim brenda muajit

Konferenca e kryetarëve vendosi dje që metodika e pronave, e hartuar nga Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, të kalojë në seancë plenare më 31 mars të këtij viti. Gjithashtu, konferenca vendosi që brenda kësaj jave drafti i pronave të kalojë në Komisionin e Bujqësisë, ku do t'i bëhen dhe modifikimet dhe përpunimet e nevojshme. Metodika e pronave nga parlamenti kërkon një shumicë të thjeshtë votash, por, gjithsesi, për të qenë sa më e vlefshme kërkohet që pjesëmarrja në seancë plenare të jetë mbi 71 deputetë. Metodika është paraqitur prej disa javësh në zyrat e Kuvendit, por vetëm dje është pranuar kalimi në seancë. Gjithashtu, burimet nga forca të ndryshme politike, shprehin rezerva mbi votimin e draftit në fund të muajit mars, pasi, sipas tyre, Metodika mund të sjellë pakënaqësi te votuesit.

Diskutantët

Relatorë të projektdraftit të Komitetit Pronave do të jenë Maksim Begeja, kryetar i Grupit parlamentar të LZHK-së, si dhe deputeti socialist, Zyhdi Pepa. Metodika e pronave, që do t'i kalojë parlamentit, parashikon formulën për vendosjen e çmimit të kategorive të tokës, për të llogaritur faturën e nevojshme për kompensimin e ish-pronarëve. Kështu, në projektdraftin e hartuar është parashikuar që për zonat turistike çmimi i tokës të variojë nga 40 deri në 208 euro për metër katror, ndërsa për trojet e zëna në zona urbane, pronarët e tokave do të kompensohen me çmimin e tregut që, sipas draftit të hartuar, shkon rreth 606 euro për metër katror. Në rastet kur toka është e lirë, do të përdoret kthimi i fizik i saj pa kufizim, përjashto rastet e tokës bujqësore, ku pronarëve nuk do t'u jepet më shumë se 60 hektar. Gjithsesi, çështja aq shumë e diskutuar e pronave pritet të shkaktojë të tjera debate mes deputetëve në parlamentin shqiptar.

Formulat

Komiteti i Kthimit të Pronave ka vendosur që baza për vendosjen e çmimit të tokës bujqësore të jetë fitimi që një njësi sjell në prodhim. Kjo do të shumëzohet me koeficientin e afërsisë me tregun, infrastrukturën dhe vaditshmërinë. Ndërsa për tokën truall, baza do të jetë ndërtueshmëria e saj, si dhe çmimet e apartamenteve. Të dhënat në këto raste do të merren nga agjencitë private të shitblerjeve të pronave të paluajtshme. Në të njëjtën mënyrë do të veprohet dhe për tokat truall, që janë në zonat turistike. Por deputetët e opozitës kanë kundërshtuar pretendimin se çmimi i tyre do të jetë deri në 208 euro. Sipas tyre, nuk është e pranueshme që në Tiranë çmimi të shkojë në 606 euro, ndërsa në zonat turistike deri në 208 euro.Ekspertët sqarojnë deputetët e PD

Dje, në Grupin parlamentar të Partisë Demokratike, janë paraqitur ekspertët e Komitetit të Pronave, për t'u shpjeguar deputetëve të opozitës Metodikën e hartuar nga ky institucion për kthimin dhe kompensimin e pronave. Njazi Kosovrasti dhe Agim Toro u kanë shpjeguar, përreth dy orë, deputetëve të PD-së, formulat që janë përdorur në hartimin e Metodikës për kompensimin e ish-pronarëve. Ndërkohë, burime nga mbledhja e djeshme shprehen se Grupi parlamentar i PD-së ka rënë dakord në parim me Metodikën e hartuar nga Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, por, gjithsesi, fjala e fundit do të mbetet pasi drafti të jetë përpunuar dhe kaluar në komisionet parlamentare. Në draftin e përgatitur nga ekspertët e Komitetit të Pronave parashikohet që kthimi i tokës bujqësore të jetë deri në 60 hektar, ndërsa për kategoritë e tjera parashikohet kthimi dhe kompensimi pa kufizim. Lidhur me kufizimin në kthimin e tokës bujqësore, opozita ka dalë kundër, pasi, sipas saj, nuk mundet që për pronat e tjera të aplikohet kthimi pa kufizim i pronës, ndërsa kur bëhet fjalë për tokë bujqësore vendosen sanksione.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›