PD: Ishte një akt i rëndë dhe i qëllimshëm
16/03/2005 Partia Demokratike ka dënuar dje incidentin ndaj Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, dhe i ka kërkuar UNMIK dhe qeverisë së Kosovës të bëjnë të mundur arrestimin sa më të shpejtë të autorëve të këtij akti. Sekretari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Besnik Mustafaj, tha dje se atentati është organizuar nga forca me synime të errëta, që kërkojnë të destabilizojnë Kosovën. "Partia Demokratike e dënon ashpër këtë akt të rëndë kriminal dhe e konsideron atë si të qëllimshëm dhe të organizuar nga forca të errëta, që veprojnë brenda dhe jashtë Kosovës, të cilat synojnë shkatërrimin e procesit të nisur nga Kosova për bashkëpunim të ngushtë me komunitetit ndërkombëtar për plotësimin e standardeve të nevojshme për ndërtimin e shtetit ligjor. Rugova ka qenë dhe mbetet mishërimi më i lartë i frymës paqësore të popullit shqiptar të Kosovës. Partia Demokratike i kërkon UMNIK si dhe qeverisë së Kosovës të përdorin të gjitha mjetet ligjore për arrestimin sa më shpejt të përgjegjësve të këtij krimi të rëndë e të shëmtuar dhe nxjerrjen e tyre para drejtësisë", tha Mustafaj.