Han: Përjashtimi, i pamerituar
Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Ari Han, mendon se përjashtimi i Shqipërisë nga arena ndërkombëtare ishte i pamerituar. Për shkak të këtij pezullimi, holandezi është detyruar të ndryshojë planin e punës, duke humbur mundësinë për të parë një grup të madh lojtarësh, të cilët i konsideron si pjesë e planeve të tij për të ardhmen e futbollit shqiptar. Ai është informuar vetëm dje për detajet e plota të pezullimit, pas një takimi me presidentin Duka, ndërsa ka pranuar se kohëzgjatja e kontratës së tij do të varet shumë nga mundësia e heqjes së këtij pezullimi para fillimit të eliminatoreve të Botërorit 2010.
Han ka mbërritur në Shqipëri në orët e vona të së hënës, ndërsa gjatë ditës së djeshme ka zhvilluar një takim me presidentin e FSHF-së, Armand Duka, i cili e ka informuar gjerësisht mbi arsyen e pezullimit të Shqipërisë nga FIFA, që ka sjellë si rrjedhojë edhe anulimin e miqësoreve të paracaktuara me Arabinë Saudite dhe Moldavinë. Han ka konfirmuar para gazetarëve se kjo situatë nuk ishte aspak pozitive, ndërsa ai e cilësonte të pamerituar përjashtimin e futbollit shqiptar. Por ai ka lëshuar edhe një sinjal të qartë ndaj drejtuesve të FSHF-së, duke deklaruar se në rast të zgjatjes së pezullimit deri në fillimin e Eliminatoreve të Botërorit 2010, ai mund të largohej. "Jam takuar me presidentin e federatës, Armand Duka. Diskutuam rreth situatës aktuale në futbollin e vendit tuaj dhe presim zgjidhje sa më të shpejtë. Shpresoj që palët të ulen në diskutime dhe të arrijnë një marrëveshje për të mirën e futbollit. Vendimi im varet shumë nga kjo. Duhet një zgjidhje, sepse Shqipëria nuk e meriton të pezullohet", deklaroi Han pas mbledhjes me drejtuesit më të lartë të FSHF-së.
Megjithatë, trajneri Han shpreson që gjithçka të zgjidhet sa më shpejt, ashtu siç ka ndodhur edhe më parë me vende të tjera. Pas sinjalit të qartë se ishte kundër ndërhyrjes së politikës në sport, ai ka treguar se pengu i tij është mosrealizimi i planit të detajuar prej kohësh bashkë me FSHF-në. Sipas këtij plani, në miqësoret e planifikuara me Arabinë Saudite dhe Moldavinë ai do të kishte mundësinë të shihte në veprim një numër të konsiderueshëm lojtarësh që bëjnë pjesë në planet e ekipit kombëtar. "Ka pasur edhe vende të tjera që kanë qenë më parë në këtë situatë, Shqipëria nuk është e para dhe nuk do të jetë e fundit. Megjithatë, diçka duhet të jetë e qartë, politika nuk duhet të jetë e përzier me sportin. Kishim dy ndeshje shumë të rëndësishme miqësore, fillimisht me Arabinë Saudite dhe më pas me Moldavinë, ku do të vëzhgoja të gjithë lojtarët që kam në dispozicion, por tani do të më duhet edhe më shumë kohë për t‘i njohur ata dhe për të krijuar një skuadër", tregoi tekniku holandez. Tashmë Han do të jetë i detyruar të vëzhgojë për një kohë më të gjatë futbollistët që aktivizohen në kampionatin shqiptar, pa pasur mundësi të shohë nga afër përgatitjet e tyre në një grumbullim të gjatë me kombëtaren.