Një ish-idiot politik
"Mbrëmë hapa TV-në. Në të gjitha kanalet televizive ishte i njëjti program, lajmet zyrtare për ndërtesat e bombarduara nga NATO: të njëjtat lajme çdo ditë. Mes lajmeve kishte muzikë dhe filma të ndryshëm në kanale bashkoheshin me fotografitë e njëjta nga lufta. Pos kësaj pashë miken time shqiptare nga Kosova, Vjosën: aktiviste për të drejtat e njeriut, mjeke, grua shumë e bukur. Foli për tmerret që kishin ndodhur gjatë ikjes nga Prishtina. Fillova të qaj, jo nga rrëfimi i saj, ose rrëfimet e tjera të ngjashme të mikeshave të mia feministe nga Kosova, të cilat rrëfimet edhe veç i kam dëgjuar, por për vetë ato: kishin ndryshuar, fytyra u kishte marrë pamjen e njeriut që kurrë më nuk do të qeshnin, po mendoja se edhe unë ashtu mund të dukem. Shikohem me frikë në pasqyrë…". Këto janë disa rreshta nga ditari i Jasmina Tesanoviç mbajtur mbrëmjen e 27 prillit të vitit 1999. Gjatë gjithë asaj mbrëmjeje ajo do të hidhte mbi letër gjithë kujtimet e saj me Vjosën. Kohën kur bashkë me disa kolege të tjera u nisën në Zagreb. Por ndryshe nga ajo, Vjosa do të ndalohej në kufi nga kufitarët kroatë për vizën. "Problemi i saj i vetëm në kufi ishte se ajo nuk ishte as serbe, as kroate, por shqiptare".
Si një femër që ka qenë gjithnjë në kontakt me artin e të shkruarit, qoftë edhe në lidhjen e saj me meshkujt (Jasmina ka qenë gruaja e poetit të njohur serb Raša Livada), gjithë përjetimet e saj si një shtetase serbe, në një kohë kur vendi i saj ishte kthyer në qendër të konfliktit në Ballkan, Jasmina do t‘i përshkruante në një ditar të gjatë, botuar me titullin "Një ish-idiot politik". Përtej mënyrës sesi një grua duhet ta shohë historinë e vendit të saj, Jasmina bën rolin e një kritikeje të ashpër ndaj politikës së Beogradit, duke përcjellë mes rreshtave mesazhin se "ka ardhur koha të ndryshojmë". Qëndrimi i saj i ftohtë ndaj vendit ku u lind dhe jetoi dashuritë e para ndihet kudo në këtë ditar që ka bërë xhiron e botës, duke u përkthyer në shumë gjuhë. Ajo rrëfen ashtu si vetëm një grua mund të rrëfejë, duke futur në rreshta çdo detaj që ka shoqëruar jetën e saj. Flet për Kosovën dhe miqtë e saj atje dhe kërkon një politikë tjetër, një politikë jo në shërbim të politikës, por të njeriut të integrimit.
"Veten time e llogaris të paaftë të gjykoj, të zgjedh ngaqë nuk shoh ndonjë opsion me të cilin do të identifikohesha. Sa është normale kjo? Mos është kjo për atë se jam grua. A është në gjendje normaliteti gruaja, e cila nuk mund të gjykojë për opsionet politike? Gjithë opsionet politike të bashkëqytetarëve të mi tingëllojnë në mënyrë shumë agresive, në mënyrë të çuditshme, çmendurake, ose të paarritura në raport me gjuhën time dhe nevojat e mia kombëtare. Kam nevojë të udhëtoj, më duhet komunikimi, kam nevojë të kem fëmijë, të bisedoj, të luaj, të argëtohem. Ata për këto gjëra s‘flasin, flasin për historinë, për rregullat dhe nevojat historike. Ajo s‘është histori e imja. Edhe po të ishte unë nuk e kam bërë atë. Flasin për gjakun, llojin krenarinë, të drejtat, vizionet. Por mua diçka më mungon, diçka tmerrësisht më mungon. Unë e humb toruan për shkak të mungesës së dashurisë dhe mirëkuptimit, mungesës së argëtimit, haresë dhe lehtësisë së lumturisë…", shkruan Jasmina.
Ditari i saj i gjatë është Serbia e fëmijërisë, e adoleshencës dhe kohës kur ajo nuk e deshi më filozofinë e saj. Për Tesanoviç ky ditar është thjesht një rrëfim, një e vërtetë që e ndiente se duhej ta thoshte.
Jasmina Tesanoviç ka lindur më 17 mars 1954 në Beograd. Ajo ka studiuar në Egjipt dhe më pas në Itali. Autore e një sërë librave historikë, Tesanoviç i ka pasur rrëfimet gjithnjë disi të ndjera. Në vitin 1978 ajo ka qenë organizatorja e Konferencës së Parë Feministe në Beograd. Përveç si shkrimtare, ajo është e njohur dhe si regjisore e disa filmave dhe si përkthyese e njohur nga anglishtja e italishtja.
Në vitin 1994, bashkë me dy gra të tjera, ajo formoi shtëpinë e parë botuese të letërsisë femërore në Beograd. Por, pas martesës me skenaristin e njohur amerikan Bruce Sterling, ajo jeton në SHBA, duke qenë një aktiviste e njohur me ///////////////kolumbat e saj në mediat ndërkombëtare.
Box
3 prill 1998
Para disa ditësh, një ushtar i ri, në shërbim të rregullt ushtarak, është vrarë në Kosovë, në kufi me Shqipërinë. Letra e fundit e tij, drejtuar prindërve, u botua dje në një gazetë ditore. Ishte e sinqertë, e ashpër dhe e vërtetë, si edhe jeta e tij në atë moment jete a vdekjeje. Asnjë letërsi, asnjë politikë nuk do të ishte aq e drejtpërdrejtë, as një qëndrim më i drejtë se: Ndalni të gjithë ju që mendoni se bëni diçka të drejtë, ndalni!
Të rinjtë ///////////////ngjajnë të vriten. Ata e dinë se i vrasin, por s‘mund të ndërmarrin gjë. Ata janë djelmosha të sapodalë nga shkolla, të cilët kryejnë obligimin e tyre tradicional ndaj shtetit, ndaj cilitdo shtet në çdo histori. Mund t‘i paramendoj prindërit e atij djaloshi, mund të isha edhe nëna e tij. Mund t‘i mendoj gjithë mendimet e tij, prej "a kemi mundur diçka të bëjmë", e deri te "vdiq si hero". Para disa vitesh në ashensor takova nënën e një djaloshi të vrarë, ushtar 19 vjeç. Ishte një djalë panker, mbante vath dhe dëgjonte muzikë me zë të lartë. Ishte fqinji im i parë. Fillova të qaj në ashensor, //////////////////nuk doja të them, edhe po të dija nuk mund të nxirrja as edhe një fjalë nga shpërthimi i emocioneve. Nëna e tij më përqafoi, më puthi në sy e faqe. Ajo tha: "Pusho tani, ishte djalë trim dhe vdiq për tokën e tij". Desha të klith: Ti je një grua e marrë, a e di se kjo s‘është e vërtetë, atë e kanë marrë ata që na plaçkitin, të tëra na i marrin, jetët e çmuara, fëmijët… Kur e pashë në fytyrë e dija se ajo mund t‘i dinte këto. Por dinte edhe diçka më shumë. Tani nga kjo situatë ishte vonë të fliste diçka, vetëm koncepti abstrakt mund ta sqaronte këtë ngjarje historike të këtij ushtari të vrarë në luftë. Ajo ka mundur më herët të reagojë, por ajo nuk ishte jeta e saj, por vetëm e tij. Ajo kishte një lutje për mua: Mos ma largo-mos ma merr vdekjen e tij. Vdekja ma mori, ma lejo s‘paku vdekjen e tij, që përgjithmonë t‘më shoqërojë. Nënat, mendoja, nëna, tradhtare të kombit, tradhtare të burrave të tyre, bartëse të jetës dhe vdekjes, por asnjëherë s‘u lejohet që të vendosin për jetën dhe vdekjen për jetë.
Nëna në ashensor lehtë i mbylli dyert. Mendova se kurrë më s‘do t‘më pengojë ajo muzikë me zërin lart. Pas vetes ai la heshtjen. Shumë shpejt u shpërngula: qetësia e padurueshme në katin tim ma kujtonte fëmijërinë time të brendshme. Ashtu e dëshpëruar si isha nuk mund më të përballoja.
17 korrik 1998
Nga i gjithë vendi, prindërit e fëmijëve që po i dërgojnë në luftë në Kosovë për Kosovën po protestojnë. Do të doja t‘ua shihja fytyrat. Ata sigurisht janë njerëz të posaçëm, njerëz të cilët janë të ndershëm, aq sa pranojnë se kjo është ajo lufta e vjetër që udhëhoqi së paku këto 60 vjetët e fundit. Prindërit e mi mendojnë se ne duhet të udhëheqim luftën e tyre, duke menduar se ende ata i kanë çelësat për drejtësi e paqe. Mendojnë se gjithçka e dinë më së miri, duke më llogaritur si idiote politike, si të mjerë dhe tradhtare. Unë, edhe pse keq, mendoj për veten, për shkak të vogëlsisë së jetës sime të mbushur me shqetësime e frikë, pa vepra të mëdha, pa gjurmë. Prindërit e mi, si shumica e prindërve, mendojnë se fëmijët janë që të vazhdojnë punët e prindërve të tyre dhe për asgjë tjetër: as për gëzime, as për dashuri, as për argëtim. Përkundrazi, gjithë përjetimet duhet të jenë në fshehtësi, se në rast se janë të hapura këpusin kontinuitetin e misionit. Unë për babanë tim jam vetëm një grua, që i duhem për qetësi, sepse brezi i meshkujve është i këputur. Jeta ime është më e rëndësishme se veprat e mia, duke marrë parasysh se nuk mund ta parsoj emrin e tij. Deri në fund të jetës mund ta kuroj për këtë edhe vyejnë vajzat. Dhe sërish çfarëdo që të bëja në këtë luftë s‘është me rëndësi, çfarëdo që do të thosha askush s‘do të dëgjonte, madje as babai im, meqë unë nuk jam djalë i tij dheas që i lindi nip, por vetëm i ofroj dashuri, e cila tanimë nuk i duhet. Pleqve vetëm iu duhet forca dhe diçka e përafërt me pavdekësinë. Ndoshta lufta, mbi qafën tonë, për kontuinitet. Hiqmuni qafësh o etër…
6 prill 1999
Sot është përvjetori i bombardimeve të Beogradit më 1941. Por humbjet më të mëdha i janë shkaktuar Beogradit në bombardimin e koordinuar më 1944 dhe britanik ose çlirimtar. E di se të gjithë sot do ta shfrytëzojnë këtë paralele që të ndihen më mirë ose edhe më keq, çfarëdo që të jetë… Më kujtohet një bibliotekist i vjetër, të cilit e fejuara i kishte vdekur gjatë bombardimit të Beogradit dhe asnjëherë më nuk u martua. Rrëfimi për të më impresiononte më shumë se rrëfimet për të vdekurit e humbjet e të mirave dhe objekteve. Rrija dje në ballkon, e dielli më ngrohte me një dashuri të madhe, ëndërroja detin dhe qiellin e pastër, rreth të cilit biseduam mbrëmë gjatë pritjes së avionëve. Dhe ata erdhën, por sërish nuk bombarduan Beogradin: sërish bombarduan vende të tjera, viktima të tjera në ballkone. Ashtu po ndihem fajtore, më shumë se ndonjëherë për ata të tjerët. Miqtë dhe armiqtë e mi nga e gjithë bota, më pyesin: A nuk e di sa tmerr është në Kosovë?
E di, vërtet e di dhe ndihem fajtore pse këtu s‘është ashtu, ndihem keq, por nuk kalojmë nëpër tmerrin e tyre. Por lufta jonë gjithmonë për këto 10-15 vitet e fundit, ishte e atij lloji që nuk duhej edhe shumë për të mbërritur deri te caku që të lirohemi nga ndërgjegjja jonë e rënduar, të miteve të gabuara, të këtij inercioni…
E ndiej si na këpusin nga bota, gjithë ato ura të rrënuara, gjithë ata miq e armiq që na dëftojnë se jemi të këqij, gjithë këta të marrë këtu, të cilët duke u çjerrë na tregojnë se si ne jemi një popull qiellor. E populli? Rri nëpër bodrume ose shtretër, duke mos pritur asgjë.