"Ridënimi" i ribotuar
Tregut të librit këto ditë i është shtuar libri "Ridënimi" me autor Fatos Lubonjën, i konsideruar si një ndër kryeveprat e gjinisë së memuaristikës, mjaft e preferuar dhe shumë e përhapur në botë, por që këtu te ne vetëm pas ‘90-ës nisi të profilizohej si gjini më vete dhe me një lexues gjithnjë e në rritje. Memuaristikës shqiptare i ndihmuan shumë faktorë, ku më kryesorët janë: dalja nga kthetrat e realizmit socialist, prurja e madhe në shqip e memuaristikës botërore, si dhe mbarsja e shumë jetëve njerëzore me fate tragjike e absurde gjatë periudhës së regjimit komunist.
Ribotimi i "Ridënimit" të Lubonjës është i treti që i bëhet këtij libri, i cili edhe pse ka mbushur më shumë se 10 vjet nga botimi i parë, vijon të provokojë interes të madh te lexuesi. Dhe jo vetëm për rrëfenjat e atyshme, por edhe për narracionin e veçantë të Lubonjës, të gërshetuara me përsiatje psikologjike e filozofike, analiza e meditime, histori dhe portrete.
Te "Ridënimi", Lubonja merr shkas nga një moment i pazakontë në vitet e tij të vuajtjes në burg, siç ishte ai i një ridënimi me disa vite të tjera burg, duke qenë njëherësh dhe afër dënimit me vdekje, siç u ndodhi dy miqve të tij, Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani, për të treguar në fakt se ç‘ndodhte në burgjet e diktaturës: Si shpërfytyrohej njeriu aty, si viktima e si xhelati? Si ishte raporti mes së vërtetës dhe gënjeshtrës, të drejtës e së padrejtës, të mirës dhe së keqes? Dhe në qendër të tyre është njeriu, gjithnjë ai, si viktimë ose si xhelat.
Për arsye të subjektit, por edhe për arsye letrare, "Ridënimi" shumë shpejt u shndërrua në një bestseller në kohën kur doli për herë të parë, e që vijon ta mbajë këtë status me tri ribotime dhe gjithnjë i kërkuar në treg.