E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zvetllana, Caresha e re e Kremlinit

Raisa apo Ludmilla? Debati që shtrohej pothuajse çdo javë në gazetat ruse, nuk kishte të bënte me zonjat e para të Rusisë, por me modelin që Zvetllana Medvedeva, First Lady e re e vendit, do të ndjekë. Pyetja ishte nëse do të pëlqente Raisa Gorbaçeva gruan e Presidentit të fundit të BRSS, që vdiq nga kanceri në vitin 1999, e dashur nga gjithë Perëndimi, por e kritikuar së tepërmi në Rusi, pasi i kushtonte shumë rëndësi pamjes së jashtme dhe përzihej shumë në punët e të shoqit. Apo nëse do të dojë të ndjekë gjurmët e ish-stjuardesës së "Aeroflot"-it, Ludmilla Putinit, që një ditë e pranoi publikisht se dy rregullat e arta që bashkëshorti Vladimir Putin mendonte për gratë ishin: "Jeta e një gruaje është pas mureve të shtëpisë" dhe "Nuk duhet lavdëruar kurrë një grua, përndryshe të gjen belaja". Ajo që nuk zihet askurrkund në gojë është Naina Iosifna Yeltsina, gruaja e Presidentit të parë rus, e njohur për brishtësinë e saj, që zbriti në skenën politike vetëm në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 1996, kur vota në Rusi vlente akoma dhe bashkëshorti luftonte me gjithë shpirt për të mundur komunistët. Në fakt, Zvetllana Medvedeva nuk doli në skenë për të mbrojtur bashkëshortin e saj, Dimitri, meqenëse triumfi i tij ishte më se i sigurt. Shumë vënë bast se Zveta do të ndjekë më shumë modelin e Raisas, se atë të Ludmillës, meqenëse prej vitesh zonja Medvedeva është shumë aktive në bamirësi dhe projektet kulturore thuajse në të gjithë botën. Sot, Zonja e Parë e Rusisë është presidente e një trusti nën presidencën e patriarkut të Rusisë, Alexei II, për zhvillimin kulturor dhe shpirtëror të rinisë ruse. Është shumë besimtare dhe shpesh është fotografuar në kishë e mbuluar me shami, ndërsa kohët e fundit është bërë edhe padrone e një brefotrofi në Shën Pjetërburg me 316 njerëz me moshë nga 4 në 25 vjeç. Nëse deri në këtë pikë gruaja e Medvedevit ka mundur të evitojë takimet më zyrtare, ka arritur të tregojë impenjimin e saj në ato sociale. Ajo është e njohur gjithashtu si një frekuentuese e rregullt e "Svetskaya Shisn": jeta sociale e VIP-ave rusë. Ka njohje me shumë yje rusë të fushave të ndryshme, nga moda te kinemaja, dhe mes të preferuarve të saj është edhe Valentin Yfashkin, stilist i njohur rus, dhe çifti i famshëm Mikhalkov, ku bashkëshorti Nikita është një regjisor me famë botërore, ndërsa ajo një grua e fuqishme që drejton një rrjet shtëpish mode. Por, në vëmendjen e Zvetllanës janë edhe Pughaçeva, zëri i preferuar i brezave të tërë rusë dhe Lev Leshebko, një tjetër këngëtar i dashur për të gjithë rusët. Është aq shumë e pasionuar pas modës, sa edhe për të shoqëruar bashkëshortin në kutinë e votimit më 2 mars nuk hoqi dorë nga këpucët elegante dhe kostumi i sezonit pranverë-verë, pavarësisht kohës me shi dhe motit të ftohtë rus. Shoqet e saj të shkollës, të pyetura nga gazetat ruse, e përshkruajnë si të qeshur dhe simpatike, si dhe me rezultate të shkëlqyera në shkollë. Pak e kujtojnë Dimën, që ndiqte një tjetër kurs, megjithatë mbajnë mend se ishte i turpshëm dhe mësonte shumë. Dimitri në vitin 1982 u regjistrua në Fakultetin e Jurisprudencës në Leningrad, ndërsa Zvetllana në institutin e famshëm "Voznesensky" për ekonomi dhe financë. "Kur Zveta hyri në jetën time, nuk po interesohesha më për studimet. Ishte më e këndshme të dilja shëtitje me gruan time të ardhshme, se sa të ulesha në bankat e shkollës", tha rreth një muaj më parë Medvedev, në një intervistë për të përjavshmen ruse "Itogi". Në vitin 1989 u martuan, ndërsa në vitin 1996 erdhi në jetë fëmija i tyre, Ilya. Në këtë kohë, Zvetllana braktisi punën e saj si ekonomiste, për t‘u kujdesur për të birin. "Është normale, një burrë kërkon gjithmonë të ketë si mbështetje një bazë të fortë. Shpesh Zveta thotë se do të dëshironte të merrej me ndonjë aktivitet tjetër, por unë i shpjegova se është për të mirën e familjes që gruaja të qëndrojë në shtëpi", thotë Medvedev, që ndoshta është më liberal sa Vladimir Putini për sa i përket emancipimit të grave. Pas martesës, të dy shkuan për të jetuar te prindërit e saj, në një apartament me tri dhoma, larg nga qendra e Leningradit. Ajo, përveç shtëpisë, i gjeti bashkëshortit edhe një punë, sipas asaj që shkruan e përjavshmja "Sobesednik". Në vitin 1991, Dimiti Medvedev nisi të punonte në ndërmarrjen e madhe të prodhimit të celulozës, ku bashkëshortja Zvetllana kishte njohje të vjetra. "Pravda" e Leningradit raporton se një ditë fqinja e shtëpisë takoi në stacionin e autobusit babain e Dimitit, që po shkonte të takonte djalin dhe nusen. Ai ankohej se si Dima dhe Zveta nuk mundnin të blinin një apartament të vetin. Për këtë arsye, shkruan "Pravda", iu desh të prisnin shumë vjet për të pasur një fëmijë. Jeta e çiftit Medvedev ndryshoi vetëm në fund të viteve ‘90, kur kryefamiljari i saj nisi t‘i hynte politikës. Vetëm atëherë familja Medvedev mundi t‘i lejonte vetes një apartament në një nga lagjet më të pasura, në rrugën "Timur Frunze". Por revolucioni i vërtetë në familjen Medvedev ndodhi me transferimin në Moskë në vitin 1999. Tre Medvedevët e rinj erdhën në kryeqytet dhe u vendosën në një apartament në periferi të Moskës, në një nga ata që u pëlqejnë sot pasanikëve rusë, në lagjen plot me grataçiela të dekoruara me mermer, afër stacionit të metrosë dhe me pamje drejt autostradës me 12 korsi. Vetëm këtu mund të ishte e sigurt privatësia e tyre. Tani porta ruhet 24 orë nga gardianë të veshur me të zeza, të cilët kontrollojnë çdokënd që kërkon të kalojë nga ato anë. Pikërisht këtu jeton çifti i ri Medvedev. Fqinjët e rinj? Patriarku i Moskës dhe i kishës ortodokse ruse, Alexei II; sipërmarrës të huaj dhe diplomatë perëndimorë, afër të cilëve gjendet edhe "Garbushka", supermarketi me pajisje elektronike më i famshëm i Moskës. Por, vetëm pak kohë pas zgjedhjes, kanë nisur të dalin në shesh edhe të palarat e Presidentit të ri. Kështu, "Novaya Gazzeta", ku punonte ish-gazetarja e vrarë Anna Politkovskaya, vetëm pak ditë më parë kishte shkruar për pasuritë e Presidentit të porsazgjedhur. Sipas saj, familja Medvedev jeton në një apartament 364.5 metra katrorë, dyshemetë e të cilit janë prej mermeri, katër banja, një studio bibliotekë, një sallon i stërmadh me kolona kristali shkëmbore, me sauna, palestër dhe sallon bukurie. "Novaya Gazzeta" e llogarit vlerën e apartamentit 20 mijë dollarë për metër katror dhe specifikon se është blerë me paratë e shtetit, të vëna në dispozicion për politikanët që erdhën në Moskë nga qytetet e tjera ruse. Svetllana Medvedeva nget një "Volsvagen" që prej vitit 1999, por me kthesën populiste që po merr politika ruse, brishtësia dhe modestia nuk pijnë më ujë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›