Han nuk dorëzohet: S’jap dorëheqjen
Jetmir Halilaj
Ari Han nuk dëshiron ta japë dorëheqjen. Holandezi ka konfirmuar edhe dje se dëshiron të vazhdojë trajneri i Shqipërisë. Madje edhe këtë herë ai nuk ka marrë asnjë përgjegjësi përsipër, duke vënë në dukje se skuadra shqiptare nuk mund të bëjë më shumë se kaq. “Nuk mendoj se luajtëm keq, por pësuam dy gola për fajin tonë. Ju i patë vetë ata. Pas golit të parë lojtarët tanë nuk arritën të reagonin dhe pësuan një rënie psikologjike. Danimarka është një skuadër shumë e fortë dhe Shqipëria nuk është e para që humb ndaj kësaj skuadre”, ka thënë trajneri për “Supersport”. I pyetur si e shpjegonte faktin që Shqipëria gjatë 92 minutave lojë nuk gjuajti asnjëherë në kuadrat, Han u përgjigj me diplomaci: “Danimarka ka shumë diferenca nga Shqipëria. Nëse mund t’i shënojmë kësaj skuadre, këtë mund ta bëjmë duke i bërë punuar në grup, por ka disa diferenca shumë të mëdha mes lojtarëve tuaj dhe atyre danezë. Megjithatë jam i bindur se dy gola e Danimarkës ishin në pozicion jashtë loje”. Ari Han ka konfirmuar edhe njëherë se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, madje ka shtuar se shpreson edhe për një rinovim të mundshëm. “Ju (shqiptarët) doni shumë gjëra dhe i doni menjëherë. Rezultatet dhe loja e mirë vijnë pasi bëhet një punë graduale dhe një pune të gjatë. Unë jam i gatshëm të punoj me këtë skuadër edhe në të ardhmen. Për mua kjo skuadër është e mirë, lojtarët po kalojnë një moment të mirë dhe mendoj se kemi bërë diçka të mirë deri tani, por nuk e di se si i mendojnë gjërat të tjerët. E përsëris edhe njëherë se ndaj Danimarkës kanë humbur shumë skuadra të tjera dhe ne duhet të mësojmë nga këto ndeshje. Unë do të dëshiroja të vazhdoja të punoja këtu dhe të qëndroja sa më gjatë në krye të ekipit shqiptar”, është shprehur trajneri. Megjithatë, ka pak gjasa që ai të vazhdojë të drejtojë Shqipërinë edhe pas kësaj humbjeje. Pritet një duel në distancë mes tij dhe presidentit të FSHF-së Armand Duka. Ky i fundit do të përpiqet t’ia bëjë të qartë se dëshiron dorëheqjen e trajnerit, ndërkaq ky i fundit nuk dëshiron të largohet pa i marrë të gjitha paratë.
Morten Olsen
Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, trajneri i Danimarkës, Morten Olsen, u shpreh i lumtur për fitoren 3-0 ndaj shqiptarëve. Megjithatë, ai foli pak për ndeshjen në përgjithësi, duke qenë se ajo nuk pati histori. “Ishte një tjetër performancë e mirë,”- tha Olsen. – Kjo na bën të vazhdojmë të qetë rrugën tonë drejt kualifikimit për në Kupën e Botës. Eshtë fantastike, kur mund kundërshtarin me tre gola, edhe pse duhet të pranojmë që i bëmë një nisje të ngadaltë ndeshjes. Eshtë gjithmonë subjektive kur flet rreth një ndeshjeje, por unë mendoj se kundër Shqipërisë kemi shfaqur një futboll të mirë, ku besoj se edhe tifozët kanë ngelur të kënaqur”.