E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kombëtarja e Ari Hanit na kthen 30 vjet mbrapa

 

Jetmir Halilaj

Përfaqësuesja shqiptare ka prekur fundin dje nën drejtimin e trajnerit Ari Han. Kuqezinjtë u dorëzuan pa kushte dhe humbën 3-0 ndaj Danimarkës. Kishte kohë që Shqipëria nuk luante kaq dobët, madje nuk pësonte dy gola që në pjesën e parë. Përveç kësaj, si asnjëherë tjetër përfaqësuesja jonë dje nuk bëri asnjë gjuajte në portë. Thuajse gjatë gjithë ndeshjes dominoi ekipi vendës, i cili pati edhe shumë raste të tjera për të shënuar.
Ndeshja
Takimi nisi i qetë, ndryshe nga sa pritej. Danezët nuk u sforcuan që të shënonin që në minutat e para. Ushtruan presion ndaj skuadrës tonë, por kuqezinjtë rezistuan. Madje pas minutës së 23-të, skuadra shqiptare arriti të fitonte besim dhe po përpiqej të qarkullonte topin dhe të dilte me anë të pasimeve të shumta para portës kundërshtare, ndoënse gjatë gjithë kohës hasi në një “mur” danez. Pikërisht atëherë kur dukej se Shqipëria po e merrte veten, kuqezinjtë u ndëhskuan nga një gol, ku përgjegjësi mban edhe portieri Isli Hidi. Në minutën e 31-të, mesfushori Leon Andreasen gjuajti fuqishëm nga një distancë prej 25 metrash dhe topi i tij pasi mori një trajektore të çuditshme në afërsi të portës, përfundoi në rrjetë. Megjithatë, topi hyri në pjesën qendrore të portës dhe Hidi, me pak më shumë vëmendje mund ta kishte evituar atë gol. Pjesa pozitive për përfaqësuesen shqiptare përfundoi në atë minutë. Më pas danezët bënë çfarë deshën në fushën e lojës dhe për asnjë moment nuk rrezikuan që ta humbnin takimin, apo të pësonin ndonjë gol plangprishës nga kundërshtarët. Vendësit kontrollonin gjithçka në fushë dhe me një ftohtësi nordikësh shënuan edhe golin e dytë pas gjashtë minutash. Një aksion i Romedal, që përfitoi nga një mosmarrëveshje e Agollit me Currin, u shkëput nga e djathta, krosoi ulët në zonë për Larsenin, që godet në rrëshqitje e sipër. Ky i fundit nxjerr blof Dallkun e Hidin, duke shënuar golin e dytë. Edhe këtë herë mbrojtja shqiptare tregoi se ka ende probleme serioze. Kuqezinjtë më kot tentuan që të dilnin përpara, pasi ishin të paorganizuar dhe mungonin idetë dhe forca për t’iu kundërpërgjigjur ekipit të Olsenit. Në pjesën e dytë Ari Hani hodhi Salihin në fushë, por kjo nuk ndryshoi asgjë në lojën dhe rendimentin e kuqezinjve. Skuadra u pa sërish e ngadaltë, e çorientuar dhe shumë e brishtë në mbrojtje. Danezët, duke parë se kundërshtari ishte tërësisht i dorëzuar në fushë, nuk u sforcuan për të shënuar gola të tjerë. Megjithatë, kjo nuk i shpëtoi kuqezinjtë nga goli i tretë, i shënuar nga mesfushori i Juventusit, Kristian Poulsen. Pas një rasti të humbur nga Larsen, danezët gjejnë golin nga goditja e këndit. Hidi bën një gafë në dalje, topi shkon te Jakobsen, që e fut në qendër. Aty Kristian Poulsen mes rrëmujës e shtyn topin në rrjetë.

SKEDA

Danimarkë-Shqipëri 3-0
Golat: Andreasen 31’, Larsen 37’, K. Poulsen 80’

Danimarka: Sorensen, L. Jacobsen, Andreasen, Agger, M. Jakobsen, Jensen (Bendter 34’), K. Poulsen, Jorgensen (J. Poulsen 46’), Romedahl (Borring 71’), Larsen, Kahlenberg.
Trajner: Morten Olsen

Shqipëria: Hidi, Vangjeli, Dallku, Curri, Agolli, Duro, Lika, Bylykbashi (Beqiri 82’), Bulku (Salihi 46’), Skela, Berisha (Memelli 85’).
Trajner: Ari Han

Kartonë të verdhë: Larsen, M. Jakobsen/Dallku, Vangjeli

Gjyqtar: Damir Skomina (Slovenia)

Danezët bëjnë Salihin viktimë për 1 prillin

Hamdi Salihi ka rënë viktimë e ditës së gënjeshtrave, 1 prillit. Në një shkrim të publikuar dje në gazetën sportive daneze “Sporten”, shkruhej se sulmuesi shkodran e kishte kaluar natën në polici, sepse kishte tentuar të vidhte një makinë tip “Xhaguar”, e parkuar në hotelin ku ishte akomoduar përfaqësuesja shqiptare. Në shkrim thuhej se Salihi ishte arrestuar në veri të Kopenhagenit, teksa po tentonte që makinën ta sillte në Shqipëri. Kjo ishte arsyeja që ai nuk do të luante dje në mbrëmje, pikërisht pasi e kishte kaluar gjithë natën duke u marrë në pyetje nga policia lokale. “Mbrojtja daneze do të ketë më të lehtë sot (dje) përballë skuadrës shqiptare, pasi atyre do t’u mungojë sulmuesi kryesor, Hamdi Salihi. Në vend të tij do të luajë Besart Berisha, futbollisti shqiptar që aktivizohet te Horsensi. Salihi akuzohet për vjedhjen e një makine tip “Xhaguar”, që ishte në pronësi të shtetasit danez, Don O’Vizer. Salihi e ka kaluar gjithë natën në polici, pasi është ndaluar në veri të Kopenhagenit me makinën që kishte vjedhur. Ai ka qëndruar gjatë gjithë natës pa gjumë dhe kjo është arsyeja që do të mungojë në takimin e sotëm”, shkruhej në artikullin e publikuar dje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›